Një autoambulancë për stacionin shëndetësor në Katërkollë

Diaspora ndihmon vendlindjen
Ulqin – Mjeku Bahri Ceka dhe bashkëshortja e tij Yllka, të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA, i dhuruan stacionit shëndetësor në Katërkollë një autoambulancë.Ceremonia e dorëzim-pranimit u zhvillua të enjten me ç`rast kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ia dorëzoi autoambulancën e tipit “Ford” drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, Gani Karamanaga.Të dy ata falënderuan mjekët Bahri dhe Yllka Ceka për donacionin.
Kryetari i Komunës së Ulqinit theksoi se ky donacion është rezultat i një bashkëpunimi të mirë që pushteti lokal në Ulqin ka me diasporën.
Ai tha se është diçka e mirë kur ata që jetojnë në diasporë mendojnë për njerëzit e vet në vendlindje.
“Te ne dhe tek unë personalisht do të kenë dorën e bashkëpunimit dhe përkrahjen për të realizuar pikësynimet dhe projektet e veta”, tha Hajdinaga.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, Gani Karamanaga, theksoi se autoambulanca do t`i shërbejë të gjithë popullatës së Anës së Malit.”Besoj që kjo autoambulancë do të përmirësojë shërbimin shëndetësor në Anë të Malit dhe në Ulqin në përgjithësi”, tha ai.Në emër të bashkatdhetarëve tanë në diasporë përshëndeti Naser Nika.”Besoj që do të jetë një ndihmë e mirë për bashkëvendasit tanë dhe Anën e Malit”, tha ai.
I.Kallaba
Burimi / Koha Javore