Afër 2.000 adhurues nga Shqipëria do të shkojnë në Budva

September 10, 2008   | Shtypi / Mediji

Afër 2.000 qytetarë të Shqipërisë do të shohin nga afër, koncertin e mbretëreshës së popit, Madonna, që do të mbahet në datën 25 shtator në plazhin Jaz në Budva, njofton gazeta “Panorama”.
Organizatorët e këtij koncerti të parë, të konsideruar si një nga ngjarjet më të mëdha në Evropën Juglindore, kanë bërë të ditur dje në Tiranë shifrat e sakta dhe detajet rreth këtij evenimenti.
Të pranishëm në një konferencë për shtyp në ambientet e “Hotel Tirana International”, Jelene Ragjenoviq, drejtoresha e organizatës turistike të komunës së Budvës, është shprehur se për shqiptarët biletat e thjeshta kushtojnë 39.6 euro, ndërkohë paketa e plotë, në të cilën përfshihet udhëtimi me autobus dhe akomodimi për një natë kushton 120 euro. Për biletat VIP, çmimi i biletës dhe akomodimit shkon 325 euro.
Deri tani numri i përgjithshëm i biletave të shitura për koncertin madhështor arrin në 36 mijë. Sipas organizatorëve, mësohet se koncerti do të nisë në orën 20:00 dhe do të zgjasë dy orë. Koncerti do të paraprihet nga këngëtarja suedeze Robin. Ndërkohë mbretëresha e muzikës, do të qëndrojë për tri ditë me radhë në Budva.
Me vete Madonna do të sjellë kuzhinierin personal dhe për stafin që do ta shoqërojë janë porositur plot 300 peshqirë dhe 300 sapunë. Gjatë dy orëve të koncertit Madonna do të interpretojë këngë nga albumi i saj i fundit “Hard Candy”, në kuadër të turit botëror “Sticky end Sweet”, ndërkaq këngëtarja e famshme nuk do të japë konferencë për shtyp në Budva.
Autor /Panorama

YouTube Preview Image