Mali i Zi do të përmbahet gjatë votimit për Kosovën në New York
Përfaqësuesit e Mali të Zi sipas të gjitha gjasave do të përmbahen me rastin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për propozimin e Serbisë që të kërkohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Një burim nga kreu i lartë shtetëror malazez ka thënë për gazetën “Republika” të Podgoricës se kjo çështje është shumë delikate për Malin e Zi dhe se janë të vetëdijshëm që çdo zgjidhje do të kritikohet.
“Po t’i kishim thënë ‘po’ kërkesës së Serbisë do të na shihte për të madhe Perëndimi, po të themi ‘jo’ na sheh për të madhe Serbia, andaj të përmbajturit në këtë moment është opsioni më i mirë”, ka thënë bashkëbiseduesi i gazetës në fjalë, duke shtuar se do të përcjellin me vëmendje reagimet e shteteve perëndimore dhe të SHBA-ve për nismën e Serbisë.
Ndërkaq gazeta tjetër malazeze “Vijesti” pohon se presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe kryeministri Millo Gjukanoviq “po fshehin taktikën për New York”. Ata në deklarata të veçanta iu kanë shmangur përgjigjeve direkte se si do të shprehet Mali i Zi në Asamblenë e Përgjithshme të KB në New York për propozimin e Serbisë.
Burimi / QIK