“Otrant”-i shënoi fitoren e dytë në ligën e dytë të futbollit të Malit të Zi

September 20, 2008   | Shtypi / Mediji, Sporti / Sport

Vazhdim i fitoreve në fushën e vet
Pas javës së katërt, “Otrant”-i ka grumbulluar gjashtë pikë dhe ndodhet në mesin e tabelës së klasifikimit me pikë të barabarta me “Crvena Stijena”-n. Në javën e pestë, futbollistët e “Otrant”-it do të jenë mysafirë të “Zabjello”-s.
Ulqin – Futbollistët e “Otrant”-it kanë vazhduar traditën e mirë të fitoreve në fushën e vet gjatë këtij sezoni futbollistik. Pas fitores në javën e dytë të kampionatit ndaj “Mladost”-it nga Podgorica me rezultatin 2:1, “Otrant”-i ka fituar të dielën ndaj “Crvena Stijena”-s me rezultatin minimal 1:0.
Golin e vetëm për “Otrant”-in e shënoi Arjan Senikoviq me kokë në minutën e 19-të, nga brenda zonës, pas një krosimi nga gjuajtja e lirë e Fetim Kasapit.

Fitim Kasapi

Fitim Kasapi

“Otrant”-i ka luajtur më mirë gjatë gjithë ndeshjes, sidomos gjatë pjesës së parë të saj, kur ka krijuar disa raste për shënim. Por edhe në këtë ndeshje lojtarët e “Otrant”-it nuk kanë qenë efikas, sidomos Fatmir Mollabeqiri dhe Halil Truma të cilët kanë humbur disa raste të pastra për shënim.
Lojtari më i mirë i ndeshjes edhe kësaj radhe ishte Fetim Kasapi.
Pas javës së katërt, “Otrant”-i ka grumbulluar gjashtë pikë dhe ndodhet në mesin e tabelës së klasifikimit me pikë të barabarta me “Crvena Stijena”-n.
Në ndeshjen e javës së pestë, futbollistët e “Otrant”-it do të jenë mysafirë të “Zabjello”-s, që javën e kaluar ka arritur të fitojë në fushën kundërshtare ndaj “Arsenal”-it të Tivatit dhe të fitojë tri pikët e para për sivjet në Ligën e Dytë.
i.k.
Koha Javore