Kryetarja e Kuvendit takon Kryetarin dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi.
Reformat dhe sfidat legjislative, shkëmbimi i përvojave në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe bashkëpunimi rajonal ishin fokusi kryesor i takimit që Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli zhvilloi sot me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, Milan Markoviç dhe 7 anëtarët e kësaj gjykate.
Pasi u uroi mirëseardhjen, Kryetarja e Kuvendit thekoi se dy vende kaq të afërta gjeografikisht duhet të intensifikojnë marrëdhëniet në planin dy palësh por edhe rajonal.
“Shqipëria është një vend me transformime më të mëdha, tha zoti Markoviç, vend ku duket qartë zhvillimi ekonomik e infrastrukturor dhe ngjason me një kantier ndërtimi. Ne ndihemi mirë kur një vend mik si Shqipëria ka këtë zhvillim dhe, shkëmbime të tilla vizitash nxisin forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike e profesionale.”
“Reformat e para legjislative që në kryem, theksoi Kryetarja e Kuvendit, ishin ato ekonomike. Përgjysmuam taksat, lehtësuam procedurat e hapjes së një biznesi të ri, krijuam një klimë të tillë ekonomike që ka sjellë një bum investimesh dhe turistësh në vend. Tashmë në Kuvend po vijojmë punën në reformimin e drejtësisë, që është një prioritet i yni.”
Më tej bashkëbiseduesit diskutuan rreth reformave në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në forcimin e shtetit të së drejtës.
Bashkëpunimi rajonal ishte një tjetër pikë e bisedës, ku Kryetarja e Kuvendit theksoi se me realitetin e ri pas pavarësisë së Kosovës, rajoni është më i stabilizuar dhe vendet ballkanike duhet të rrisin bashkëpunimin, për të shkurtuar proceset integruese.
Kryetarja e Kuvendit tha se do të ishte kënaqësi për të dhe Kuvendin e Shqipërisë vizita e Kryetarit të parlamentit të Malit të Zi, brenda një periudhe sa më të afërt.
Në takim ishte i pranishëm edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Vladimir Kristo.
Burimi / Parlament.al