Mali i Zi pret Asamblenë e Përgjithshme me 8 tetor
Podgorica nuk do të njohë Kosovën përpara votimit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara për rezolutën serbe që kërkon të dërgojë çështjen e Kosovës përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Miodrag Vukovic, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) që qeveris Malin e Zi, ka thënë për agjencinë serbe Tanjug se Podgorica është duke u përballur me presion për të njohur Kosovën, por jo duke u shantazhuar. Ai ka shtuar se Mali i Zi po pret që gjërat të shkojnë në vendin e tyre përpara se të vendosë për këtë çështje. “Do të presim të shohim se cili do të jetë fati i iniciativës së Serbisë në Kombet e Bashkuara, dhe për të parë procedurë të mëtejme në këtë çështje. Vendimi, siç është thënë shpesh më parë, do të merret në përputhje me interesat e shtetit”, ka thënë Vukovic. “Njohja e Kosovës nga Mali i Zi do ndodhë kur kushtet do të jenë arrirë, dhe ne edhe më tej duhet të presim: një ditë ose dy, një vit ose dy, ose në 30 vjet”.
Burimi / Gazeta Express