Mali i Zi shumë shpejt do të njohë Kosovën
Podgoricë, 8 tetor – Presidenti Filip Vujanoviq dhe kryeministri Milo Gjukanoviq paralajmëruan dje se Mali i Zi shumë shpejt do të njohë pavarësinë e Kosovës, madje para aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njoftojnë mediat malazeze. Vujanoviq deklaroi se Mali i Zi duhet të vendosë nëse duhet të ndjekë interesat e veta dhe të njohë Kosovën apo të pësojë “dëm shtetëror dhe të rrezikojë integrimet në BE dhe në NAT0”.Presidenti malazez Filip Vujanovic e ka cilësuar “jodiplomatike” deklaratën e shefit të diplomacisë serbe Vuk Jeremic se njohja e eventuale e Republikës së Kosovës do të ishte “thikë pas shpine për Serbinë”.Vujanovic ka thënë se Mali i Zi, “kurrë askujt nuk i ka ngulur thika dhe nuk ka punuar pas shpines se dikujt”.
Vujanovic ka theksuar se është e pamundur që të shtyhet më tej deklarimi për Kosovën për shkak të vazhdimit të integrimit të Mali të Zi në Bashkimin Evropian.
Ndërsa Gjukanoviq tha se veprimet e autoriteteve të Podgoricës angazhohen “për të prodhuar dobi për Malin e Zi e jo t’i bëjnë dëm dikujt”.
Në një koment të gazetës “Republika” të Podgoricës në lidhje me deklaratat e ministrit të jashtëm serb, theksohet se në nëntekstin e mesazheve të Jeremiqit shihet “pafuqia e cila shprehet në qëllimin që në vend të 40 shteteve të botës, që e kanë njohur Kosovën, të sanksionohet Mali i Zi”. “Me njohjen e Kosovës Mali i Zi do t’i kontribuojë kthjellimit politik të Serbisë në kohën e duhur, dhe do të ndihmojë që sa më pa dhembje të shkulet thika nga gjoksi vetjak që Serbia vetvetes ia nguli me politikën vetëvrasëse dhe me synimet joerale politike”, thotë autori i komentit, duke i rikujtuar politikanët e Beogradit se Mali i Zi “ka shpinën e vet dhe në të një ikebanë të tërë të thikave ‘vëllazërore’ mbi të cilën kjo apo ajo politikë serbe i ka ngulur (Mali të Zi) në këtë apo në atë kohë”.
Burimi / QIK