Roderick Moore:Shtetet që kanë njohur Kosovën s’do ndryshojnë qëndrim
PODGORICE- Ambasadori amerikan në Podgoricë, Roderick Moore beson se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do ta miratojë nismën serbe që nga Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë të kërkohet mendimi mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, ai u shpreh se pa marrë parasysh vendimin e gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë, shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën, nuk do ta tërheqin prapa vendimin e tyre.
Moore po ashtu tha se Mali i Zi nuk do të ballafaqohet me sanksione nëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por shtoi se, me këtë rast, do të rrezikohej stabiliteti rajonal.
Në një intervistë për radion Antena M, Moore u shpreh se është e tepërt të thuhet se procesi i integrimeve euroatlantike është i kushtëzuar me njohjen e Kosovës, por shtoi se, nëse rrezikohet stabilitetit rajonal, atëherë edhe rrugëtimi ngadalësohet.
“Nëse, në këtë moment, Mali i Zi i bashkohet shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kjo do të dërgonte një sinjal solidariteti drejt atyre shteteve dhe se Mali i Zi është i gatshëm të sjellë vendime të vështira”, tha Moore.
S.G.
Burimi / BalkanWeb