Intervistë me kryetarin e UDSH-së Ferhat Dinosha

October 11, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Koha ka dëshmuar politikën e drejtë të UDSH-së (1)
Koha javore: Z. Dinosha, sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin tuaj me PDS-në në nivelin shtetëror dhe atë lokal? Sa janë mbajtur premtimet parazgjedhore?
F. Dinosha: Nëse flitet për bashkëpunimin prej zgjedhjeve të fundit e deri tani absolutisht ky bashkëpunim shkon në pajtim me atë që ka qenë e dakorduar para se të lidhej një marrëveshje me PDS-në. Ata tregojnë gatishmëri për të bashkëpunuar dhe për të dhënë ndihmën e vet në nivelet lokale ku kemi koalicione të drejtpërdrejta, por bashkëpunimi është i mirë edhe në nivelin e Qeverisë ku ne jemi të pranishëm më se dhjetë vjet dhe ku vazhdojmë të realizojmë projekte të cilat sipas mendimit tim janë të rëndësishme për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi.
Edhe këtyre ditëve ka projekte të tilla të cilat do të përmirësojnë pozitën e shqiptarëve dhe të pakicave në përgjithësi në Mal të Zi. Unë e di se së shpejti do të shpallet konkursi për punonjësit e Qendrës për Kulturë të Pakicave Nacionale, qendër e cila përflitet ngaherë, por tash edhe do të jetësohet dhe e di se në këtë drejtim Qeveria jep logjistikën e vet maksimale.

Koha javore: Në kohën e lidhjes së marrëveshjes është thënë se UDSH do të ketë një ministër, një ambasador dhe disa poste në disa ministri të tjera. Aktualisht UDSH-ja ka, nëse flitet për poste me peshë, vetëm një post ministri, që e ka pasur edhe në qeverinë e mëparshme, një post sekretari në Ambasadën e Malit të Zi në Tiranë dhe një konsull në Nju Jork. Sa është respektuar marrëveshja në këtë drejtim? A i janë dhënë UDSH-së të gjitha postet e premtuara dhe nëse jo, pse nuk i janë dhënë?
F. Dinosha: Realizimi i Marrëveshjes në këtë drejtim ka filluar në një masë pak më të madhe seç keni cekur ju. Ne kemi konsull në Nju Jork një kuadër të UDSH-së, kemi numrin 2 në Tiranë, vazhdojnë kontaktet që të kemi njerëzit tonë edhe në viset tjera diku në Europë. Të shohim se çfarë do të ngjajë me Kosovën. Më duket se sinjalet janë të mira dhe se një ditë, shpresoj në një të ardhme të afërt, UDSH do të ketë edhe atje dikë nga radhët e veta.
Veç kësaj në Qeveri përveç ministrit për Pakica ia kam dalë të gjej vend për tre kuadro në ministri të tjera, qoftë të nivelit të këshilltarëve, qoftë të nivelit të njerëzve të cilët kërkojnë punë për të parën herë. Ne kemi kuadro të UDSH-së në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Bujqësisë dhe në Ministrinë e Turizmit dhe Mbrojtjes së Ambientit Jetësor.
Jam në kontakte me Ministrinë e Arsimit për të pasur atje një këshilltar për arsimin shqip dhe besoj se së shpejti do ta realizojmë edhe këtë, si dhe në Ministrinë e Kulturës. Pra, mendoj se dalëngadalë do të vijmë aty ku kemi thënë.

Koha javore: Ju thoni që keni filluar me realizimin e Marrëveshjes, ndërkohë që kanë kalur dy vjet nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Vitin e ardhshëm parashikohet të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
F. Dinosha: Sa i përket kuotave diplomatike, për dy vjet është realizuar gjysma e tyre. Dihet se ky dikaster është shumë delikat dhe kur është fjala për vetë shtetin e Malit të Zi si shtet i ri, kjo kërkon edhe mjete dhe kuadro profesionale.
Kur është fjala për Qeverinë, ne asnjëherë nuk kemi pasur orekse që të jemi të pranishëm në të gjitha ministritë. Për momentin kemi pesë – gjashtë kuadro dhe nëse arrijmë te numri shtatë apo tetë, kjo përbën një depërtim i cili nuk ka qenë asnjëherë më parë i pranishëm dhe është diçka që shkon në pajtim me ato që janë aspiratat tona.

Koha javore: Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ditë më parë Rezolutën mbi domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Malit të Zi në strukturat europiane dhe euroatlantike, ku midis tjerash bëhet fjalë edhe për Kosovën. Pas miratimit të Rezolutës, kur prisni që Mali i Zi ta njohë pavarësinë e Kosovës?
F. Dinosha: Mendoj se kjo do të ngjajë së shpejti. Kur them së shpejti, mendoj se ky vit po se po do të japë përgjigje në këtë drejtim, por mund të ngjajë që kjo të ndodhë brenda këtij muaji.
Kur flasim për këtë rezolutë duhet thënë se edhe çështja e vetë Rezolutës, votimi dhe pjesëmarrja e subjekteve parlamentare në mbledhjen që është diskutuar kjo çështje flet qartë se partitë shqiptare nuk kanë çka hamenden shumë kur është fjala për bashkëpunim me subjekte, me parti të nivelit shtetëror në Mal të Zi. Absolutisht është parë se edhe liberalët kanë votuar kundër Rezolutës, edhe Lëvizja për Ndryshime nuk ka marrë pjesë por lideri i saj është deklaruar se po të kishin marrë pjesë do të kishin votuar kundër. Kemi parë se të gjitha partitë serbe dhe ato proserbe natyrisht kanë qenë kundër. Kështu që edhe kjo flet se pozicionimi i UDSH-së për të krijuar partnerizëm me dikë në Mal të Zi ka qenë i duhur, i drejtë, për arsye se vetëm ky pushtet ka qenë ai i cili është në gjendje dhe ka vullnet të prodhojë diçka të tillë. Natyrisht jo për hatër të shqiptarëve, as për hatër të Kosovës. Nuk janë të gëzuar shumë që ka ndodhur kjo që ka ndodhur, kjo është dëgjuar edhe nga goja e vetë kryeministrit. Mirëpo si njeri pragmatik dhe si pushtet pragmatik absolutisht ka shkuar në atë drejtim që të kihet parasysh interesi nacional dhe shtetëror i Malit të Zi, por kjo ka benefitet e veta edhe për stabilitetin në Ballkan dhe për fqinjësinë e mirë.
Ne natyrisht na intereson më së shumti fqinjësia e mirë me Tiranën dhe me Kosovën dhe kjo po shihet se do të ndodhë. Kështu që edhe kjo flet për bazueshmërinë e asaj që ka qenë qasje e UDSH-së që më heret për arsye se kjo nuk ndodh për një ditë. Këto janë procese dhe ardhja deri këtu ka filluar që më heret.

Koha javore: Kur flasim për Rezolutën, Ju i keni kritikuar deputetët e tjerë shqiptarë nga partitë nacionale në Parlamentin e Malit të Zi për shkak të politikës së tyre duke thënë se janë bërë palë me Listën Serbe, madje kundër Kosovës. Por ata ashtu si dhe Ju kanë votuar pro Rezolutës për Kosovën, madje deputeti Sinishtaj ka deponuar edhe një amandament në Rezolutën e miratuar ku ka kërkuar që Qeveria e Malit të Zi të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës. A nuk domethënë kjo se me votimin e tyre pro Rezolutës, Bardhi dhe Sinishtaj, i kanë hedhur poshtë kritikat Tuaja dhe se ato kanë qenë të motivuara politikisht?
F. Dinosha: Për çdo çështje për të cilën flas publikisht kam dëshirë të shërbehem me argumente. Dhe në këtë drejtim argumenti flet diçka tjetër. Z. Sinishtaj ka qenë nënshkrues i kërkesës bashkë me opozitën malazeze për të tërhequr këtë rezolutë nga rendi i ditës. Çfarë ka ngjarë ndërkohë me të dhe pse tani me një amandament tenton të flasë diçka tjetër për të nxjerrë ndonjë qelepir partiak, kjo është e tejdukshme. Politikat e tilla UDSH kurrë nuk i ka favorizuar.
UDSH dihet se çfarë qasjeje ka pasur lidhur me proceset që më heret. Ne edhe në projektin kryesor për demokratizimin e jetës në Mal të Zi, pra për referendumin, kemi qenë të qartë e transparentë. Nuk kanë qenë të tillë subjektet e tjera shqiptare. Ta zëmë grupimi i z. Sinishtaj asokohe i ka ftuar shqiptarët për të bojkotuar referendumin.
Z. Bardhi në krye të LD në MZ ka qenë asnjanës deri në fund të fushatës kur është pozicionuar me Bllokun pro pavarësisë për disa qelepire tjera. Por absolutisht vetëm UDSH ka marrë pjesë aktivisht në fushatën e referendumit dhe vetëm përfaqësuesi i UDSH-së ka folur në Konventën përfundimtare të kësaj fushate e cila është çmuar të jetë e rëndësishme jo vetëm për shqiptarët ë Mal të Zi, por edhe për proceset në Ballkan. Kjo pastaj rezulton tani me një qasje korrekte, pragmatike, pozitive të Malit të Zi lidhur me çështjen e Kosovës.
Ne vazhdimisht çështjen e Kosovës e kemi pasur agjendë numër një në angazhimet tona politike dhe këtu UDSH dallon nga partitë e tjera shqiptare. Është kritikuar shpesh për hapat e vet, por koha po dëshmon se kemi pasur të drejtë dhe ne do të vazhdojmë absolutisht edhe në fazën e ardhshme të proceseve demokratike në Mal të Zi të luajmë një rol të rëndësishëm në skenën politike të brendshme të Malit të Zi, por edhe për projektet që kanë të bëjnë me stabilitetin në Ballkan, me integrimet e këtij rajoni, me integrimet europiane dhe me integrimet euroatlantike të Malit të Zi.

Koha javore: Kur jemi te njohja e pavarësisë së Kosovës, partitë serbe apo proserbe në Mal të Zi kanë paralajmëruar se në rast të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi do të ketë protesta apo në rastin më të keq edhe trazira. A mendoni se do të ngjajë diçka e tillë dhe nëse po, cili do të jetë ndikimi i tyre?
F. Dinosha: Unë pres që do të ketë reagime, pres se do të ketë edhe protesta, por jo të nivelit të trazirave. E ka të qartë opinioni i Malit të Zi se ku ka ardhur puna, se kthim mbrapa nuk ka. Zor se subjektet politike për interesa partiake do të jenë në gjendje të manipulojnë më tutje me bazat e veta partiake. Absolutisht nuk pres që do të ketë trazira të nivelit të konflikteve për arsye se shteti i cili ka hyrë në këtë rrugë, nuk ka hyrë sido, por ka hyrë duke çmuar mirë se ku mund të dilet dhe shteti tashmë tregohet serioz në ruajtjen e asaj që është prodhim i referendumit të majit të vitit 2006.

Koha javore: Le të kalojmë te një çështje tjetër, ajo e formimit të këshillave nacionale të pakicave. Ju keni kritikuar procedurën e themelimit të tyre duke theksuar, sipas Jush, anomalitë e shumta të ndodhura gjatë këtij procesi. Sidomos keni qenë kritik ndaj mënyrës së themelimit të Këshillit Nacional Shqiptar dhe reagimi Juaj i parë ka qenë se do tzi drejtoheni madje edhe gjyqit. A keni hequr dorë nga kjo?
F. Dinosha: Nuk kam hequr dorë, por kam pasur kontakte të cilat flasin se as përvoja e vetë gjykatave në Mal të Zi nuk është tepër e madhe në këtë drejtim kur është fjala për të drejtat e pakicave. Këto gjëra ndodhin për të parën herë dhe kjo do të merrte kohë shumë. Për të mos u humbur shumë kohë do të tentojmë që të gjejmë rrugë më të shpejtë e paralelisht do të jemi të pranishëm për të kërkuar edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese cilidoqoftë ai.

Koha javore: Cila është sipas Jush rruga më e shkurtër që thoni?
F. Dinosha: Rruga më e shkurtër është ndryshimi i Ligjit. Ndoshta edhe një tryezë e përbashkët e rrumbullakët e të gjitha subjekteve që tani janë prezentë në skenën politike, por edhe në Këshillin Nacional, por duke ftuar edhe intelektualët që i kemi, edhe përfaqësuesit e OJQ-ve, dhe të shtrohet një bisedë e hapur, e sinqertë, për të konkluduar se cila është zgjidhja më e mirë. Absolutisht kjo që ka ndodhur nuk është zgjidhje e mirë.
I.Kallaba
Koha Javore