Ferhat Dinosha:Koha ka dëshmuar politikën e drejtë të UDSH-së (2)

October 12, 2008   | Politika, Shtypi / Mediji

Koha javore: E njihni, domethënë e pranoni Ju z. Dinosha si institucion Këshillin Nacional Shqiptar?
F. Dinosha: Ne jemi angazhuar të parët për Këshillin Nacional të Shqiptarëve dhe natyrisht se prodhimi i bërë është de facto, diçka që ka ndodhur. Tjetër është se jemi të pakënaqur me kombinatorikën e cila ka pasuar. Por si institucion ne do ta njohim. Edhe nëse nuk marrim pjesë në këto kushte në Këshill, ne si institucion do ta njohim për arsye se e dimë se është i nevojshëm për shqiptarët.

Koha javore:Ju dhe përfaqësuesit e tjerë të UDSH-së nuk keni marrë pjesë deri tani në mbledhjet e Këshillit Nacional Shqiptar. Po në të ardhmen do të merrni pjesë në punën e tij?
F. Dinosha: Ne kemi ndërmend që këtë çështje ta shtrojmë edhe një herë në nivel të Këshillit Qendror të UDSH-së për të marrë qëndrim definitiv dhe paralelisht të punojmë në këtë drejtim që e përmenda më parë.

Koha javore: Ju përmendët më parë nevojën e bashkëpunimit ndërmjet partive shqiptare, por për momentin ky bashkëpunim sa i përket UDSH-së nuk ekziston. Në Parlamentin e Malit të Zi Ju ndani një dhomë me deputetët Bardhi dhe Sinishtaj, por me sa di nuk flisni me ta. Cilat janë arsyet?
F. Dinosha: Kjo që thoni nuk flisni nuk qëndron krejtësisht. Ka raporte jo të mira, por nuk është krejtësisht ashtu. Për fat të keq është keq dhe kjo ka ndodhur jo për arsye se ka qenë një dëshirë, një vullnet i imi si përfaqësues i UDSH-së, por për arsye se përfaqësuesit e dy subjekteve të tjera shqiptare të pranishme në Parlamentin e Malit të Zi kanë pasur një vullnet të tillë dhe këtë vullnet e kanë shprehur publikisht.
Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, përfaqësuesi i atëhershëm Iniciativës Qytetare, z. Sinishtaj, ka dalë në opinion me pozicionimin duke thënë se nuk është i gatshëm të formojë klub të deputetëve me përfaqësuesin e UDSH-së duke apostrofuar emrin tim.
Duke ditur ecurinë e tij politike, faktin se ai ka qenë gjatë anëtar i partisë joshqiptare dhe se në kohët e vështira nuk i është dëgjuar zëri për çështjen shqiptare, unë nuk kam dashur të jem ai që i bien në gjunj dikujt të tillë që aman të formojmë klub.
As përfaqësuesi i LD në MZ nuk ka treguar interesim në këtë drejtim dhe ne jemi të vetmit deputetë me të drejtën për të pasur klub që nuk kemi klub parlamentar. Kjo sjell dëm edhe së paku për dy vende pune. Çdo klub i deputetëve ka të drejtë të ketë një këshilltar, të profilit juridik ose ekonomik, dhe të ketë një sekretar të klubit. Ne këto vende na rrinë vakantë për arsye se jemi kështu siç jemi.
Mendoj se kishte qenë mirë që roli i medias këtu të kishte qenë më prezent për të shtjelluar çështjen dhe për të nxjerrë fakte të cilat janë të ditura e jo për të krijuar ose për tzu mos u marrë me këtë çështje fare duke tentuar që fajtori të gjendet atje ku nuk është.
UDSH ka qenë i gatshëm për formimin e klubit. Këtë ua kam bërë me dije përfaqësuesve të dy partive të tjera në disa faza kur kemi pasur më tepër kontakt. Më vonë nuk jam marrë as unë me lutje në këtë drejtim, por më vjen keq që Klubi nuk ekziston. E përsëris, nuk ekziston për arsye të pozicionimeve negative, për arsye të energjisë negative të përfaqësuesve të dy partive të tjera shqiptare.

Koha javore: Në kushtet ekzistuese, a është i mundur bashkëpunimi ndërmjet partive shqiptare, konkretisht ndërmjet UDSH-së dhe partive të tjera shqiptare? A mendoni se pas shkuarjes Tuaj në koalicion me PDS-së mund të krijoni sërish koalicione me partitë e tjera shqiptare?
F. Dinosha: Koalicioni me PDS-në nuk i ka penguar asnjë qendre tjetër shqiptare jashtë Malit të Zi përveç subjekteve shqiptare në Mal të Zi. Ky koalicion ka ndodhur në nivele lokale, për zhvillime ekonomike të niveleve lokale.
Ne nuk jemi në koalicion në nivel të shtetit me partinë në pushtet. Ne jemi në bllokun që bën qeverinë më se dhjetë vjet dhe unë fola diçka më parë se pse kemi qenë dhe mendoj se është e qartë se ka qenë e levërdisshme për shqiptarët që të pozicionohemi kështu. Po i shohim shqiptarët në Maqedoni ku ka pasur edhe pak luftë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonëve, kurse tani i shohim përfaqësuesit e partive shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë, në policinë dhe ushtrinë e Maqedonisë.
Mirëpo unë nuk e kam ndërmend të bind subjektet e tjera politike në Mal të Zi të cilat ose janë shterpe për nga rezultatet që kanë gjatë 18 vjetëve të veprimit ose janë shumë të reja, kurse liderët e tyre janë mjaft të vjetër për tzu gjetur për të na shitur patriotizëm vetëm në dekadën e fundit të shekullit të ri. Në fundin e shekullit të kaluar nuk kanë qenë asgjëkundi dhe mendoj se vetë votuesit shqiptarë do ta hetojnë më mirë këtë gjë në votat që na presin vitin e ardhshëm për arsye se shumë gjëra janë më të qarta dhe për arsye se po rrumbullakësohet ajo që është proces i vendosjes së marrëdhënieve mbi baza të reja në Ballkan.
Sidoqoftë mendoj se duhet të bëhet çmos që të kihet bashkëpunim më i mirë ndërmjet partive shqiptare këtu në Mal të Zi. Ndoshta ka ardhur koha që të punohet në drejtim të asaj që të krijohen dy blloqe, dy subjekte, dy grupime politike shqiptare në Mal të Zi e jo të mbesë situata siç është tani pesë gjashtë parti sa jemi.
Dhe unë mendoj se ne vetë për shkak të vnerit të cilin e kemi mbledhur brenda vetvetes nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë, pra vetë liderët shqiptarë në Mal të Zi, pa ndihmën e dikujt jashtë Malit të Zi. Për këtë arsye UDSH në Kuvendin e vet të fundit zgjedhor ka dalë me një Apel drejtuar partive të tjera shqiptare për vendosjen e një bashkëpunimi më të mirë ndërshqiptar këtu në Mal të Zi duke theksuar në këtë apel se mendojmë se Tirana duhet të jetë ajo e cila duhet të na sjellë këtu. Tani Republika e Shqipërisë ka ambasador në Mal të Zi, rruga deri në Tiranë nuk është shumë larg. Unë ndërkohë kam pasur shumë biseda, takime me disa përfaqësues të shtetit shqiptar të cilat kanë shkuar në atë drejtim që të ndodhë një tavolinë e marrëveshjes së partive shqiptare këtu në Mal të Zi. Kur them marrëveshjes mendoj e një tavoline e cila do të shpiente në një marrëveshje për bashkëpunim të partive shqiptare.
Shprehet një dozë e frikës nga ana e personaliteteve relevante të politikës shqiptare se kjo do të mund të kishte një dozë të përzierjes në punët tona të brendshme. Mirëpo unë nuk mendoj se është ashtu. Nuk mendoj se ndërhyrja e shtetit amë do të kishte dimensionin e përzierjes në punët e brendshme. Domethënë për ne çdo ndërhyrje e tillë do të kishte qenë i mirëseardhur dhe unë do të bëj çmos që kjo të ndodhë, të ulemi në një tavolinë, tzi shtrojmë çështjet haptas, të na sugjerojë edhe dikush që di dhe ka përvojë më shumë ne këtë drejtim se cilat politika shqiptare në Mal të Zi janë të leverdisshme, ku kanë qenë gabimet dhe si të bëhet që në të ardhmen bashkëpunimi ndërmjet partive shqiptare të jetë më i mirë.
Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore