Rrënjët dhe degët e një letërsie

October 12, 2008   | Kulturë / Kultura

Rrënja dhe dega
Ky libër është projektuar si i këtillë që t`u vijë në ndihmë nxënësve të shkollës fillore për të mësuar autorët e letërsisë shqiptare të cilët jetojnë apo janë me origjinë nga Mali i Zi. Si rrjedhim, shkollat dhe institucionet përkatëse ministrore do të duhej të kenë reagimin e duhur për ta bërë këtë libër pjesë të teksteve shkollore. Në anën tjetër, ky është vetëm një nga librat e duhur në shërbim të krijimit të nxënësit shqiptar në Malin e Zi me dije e kulturë si të gjithë bashkëmosharët e tyre në këtë vend.
Letërsitë e ndryshme në botë, sa i përket vendeve e shteteve, gjuhëve dhe rajoneve në të cilat janë krijuar kanë histori nga më të çuditshmet. Thuhet zakonisht se janë qendrat të cilat prodhojnë vlerat më të larta në kulturë e letërsi. Por, duke pasur parasysh ndryshimet kronologjike, kur një qendër mund të bëhet periferi dhe anasjelltas dhe në kohën aktuale kur tashmë realisht një shkrimtar mund të bëjë letërsi për çmimin Nobël edhe duke jetuar në një ishull, është relativizuar edhe më shumë pohimi se vetëm qendrat mund të krijojnë vlerat e vërteta letrare. P.sh. në qoftë se Parisi deri vonë mund të konsiderohej qendra kryesore e letërsisë, aktualisht Londra e Nju Jorku, mund të jenë më përpara.
Në rrafshin shqiptar, nëse mund të thuhet se janë Tirana e Prishtina të cilat përbëjnë qendrat kulturore shqiptare, nuk do të thotë se të këtilla kanë qenë gjithnjë. Po përmendim rolin në këtë drejtim që e ka pasur Shkodra në kulturë e letërsi, deri në vitet e pasluftës së dytë Botërore. Po të mos ishin, sidomos autorët shkodranë në letërsinë shqiptare: Fishta, Camaj, Koliqi, letërsia shqiptare do të kishte një pamje tjetër, sigurisht më të zbehtë. Por, po t`i relativizojmë kufijtë politikë të vendeve shqiptare, gjeografikisht Ulqini është në mes të vendeve shqiptare. Dhe ky mes që pastaj mund të dalë se ka qenë pikërisht i destinuar që të jetë vend ku ka nisur të bulojë për herë të parë letërsia shqipe, ka mbështetje në një fakt që tashmë është i pranuar gjerësisht nga personalitetet më të njohura të shkencës së albanologjisë. Fjala është për pohimin se autori i parë i gjuhës shqipe, Gjon Buzuku ka lindur dikund në trekëndëshin Ulqin – Tivar – Shkodër. Përpos këtij fakti, dëshmia më e hershme për mundësinë e të folurit dhe të shkruarit shqip e Atë Brokardit e ka vulën e vitit 1333 dhe të qytetit të Tivarit, na bënë të relativizojmë edhe më shumë se pjesa e letërsisë shqipe që është krijuar, sot në kuadër të kufijve politikë të Malit të Zi, është periferike. Realisht libri i parë i gjuhës shqipe “Meshari” i Buzukut së bashku me dëshminë e Atë Brokardit, mbase të parën për gjuhën shqipe dhe fakti i ekzistimit të qendrës së kulturës dhe letërsie si rrjedhim, na bënë që të pohojmë me siguri se epitetet kulturë e letërsi periferike apo të skajshme për këto vende: Shkodrën e Ulqinin luhatën përfundimisht. Prandaj, në diskutimin e çështjes se kush është apo ishte qendër e periferi në letërsinë e kulturën shqiptare, mund të thuhet, duke u nisur nga ky këndshikim i problemit, se pikërisht aty ku sot mund të thuhet se janë degët e letërsisë në nisjen e lindjes së kësaj letërsie, ishin rrënjët.

Dy degët e origjinës
Duke këmbëngulur në gjetjen e rrënjëve të vërteta, mund të vërejmë se edhe bimët, drunjtë, p.sh, kur shikojmë degët e një lisi, aty gjejmë edhe rrënjët e tij. Në këtë drejtim mund të shikohet edhe letërsia e sotme shqiptare që është shkruar nga shqiptarët që janë me origjinë nga vendet shqiptare në Malin e Zi, apo jetojnë këtu.
Pikërisht shkrimtarët që kanë hyrë në librin me titullin “Dega e një trungu” përzgjedhur nga shkrimtari Hajro Ulqinaku e vërtetojnë sidomos dy emra: Esat Mekuli dhe Rexhep Qosja. I pari, në krijimtarinë e tij të hershme vjen me nota nostalgjike për vendin e tij të origjinës, kurse më pastaj shndërrohet në emërues të përbashkët të ideve, qëllimeve të gjysmës së pjesës më të dhimbshme shqiptare, që është Kosova. Esat Mekuli me poezinë e tij do të jetë artikuluesi i përjetimeve individuale të shqiptarëve të Kosovës dhe i fatit të përgjithshëm të saj, por më në fund ai do të jetë edhe përjetuesi i zhgënjimeve të mëdha. Kurse në planin kulturor, arsimor, mediatik e shkencor Esat Mekulit i njihet merita e themeluesit, pionierit të institucioneve përkatëse në Kosovë.
Emri tjetër, që po ashtu rrjedh nga trevat shqiptare në Malin e Zi, Rexhep Qosja, aktualisht është padyshim një nga njerëzit më me kulturë shumëplanshe që nga letërsia e deri te filozofia në tërë hapësirën shqiptare. Ndihmesa e tij në studimet letrare mund të matet me arritjet e institucioneve në nivel evropian. Kurse veprimtaria e tij e pastër imagjinative letrare, me befasitë në metodologji dhe përmbajtje, mund të merret si model sesi duket shkruar përballë njëtrajtshmërisë që letërsisë shqiptare ia ka marrë frymën.
Të dy këto personalitete të kulturës dhe letërsisë shqiptare dhe më gjerë: Esat Mekuli dhe Rexhep Qosja kanë arritur që të bëhen emra të pashmangshëm në fushat e kulturës shpirtërore shqiptare dhe asaj të Kosovës në veçanti, edhe pse kanë lindur në periferinë gjeografike të sotme shqiptare.
Dy shkrimtarët e tjerë përfshirë në këtë libër: Hajro Ulqinaku dhe Nol Berisha kanë hyrë në letërsinë shqiptare pikërisht falë trajtimit të duhur letrar të mjediseve nga vijnë: i pari nga bregdeti dhe i dyti nga malësia. Këta dy autorë zënë vendin e tyre në letërsi, duke u bazuar në faktin e pasurimit të letërsisë me tema, personazhe, ngjarje e mjedise nga vijnë. Dy autorët e tjerë: Asllan Bisha dhe Ibrahim Berjashi vijnë në këtë përzgjedhje për të dëshmuar se letërsi shqipe është shkruar në Malin e Zi edhe atëherë kur gazetën në gjuhën shqipe është dashur ta mbështjellësh me një gazetë në gjuhën serbokroate, siç quhej atëherë. Ata të dy së bashku, reflektojnë në veprat e tyre motivin e vendlindjes, duke sjellë aromën e bregut të Bunës dhe Liqenit të Shkodrës (anën e këndejme). Përfshirja në këtë libër e Zuvdija Hoxhiqit – Berishës, dëshmon për ekzistimin e situatave jotipike në letërsi. Ky autor i cili nuk shkruan në shqip, por që temat, personazhet, ngjarjet i ka shqiptare dhe është shkrimtari, i cili pothuajse, të gjitha veprat i ka të përkthyera në shqip, ka botuar romanin “Viti i Gucisë” për ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit, në kohën kur ajo ngjarje ishte e anatemuar në ish-Jugosllavi. Dhe së fundi, inkuadrimi edhe i disa autorëve të tjerë, besoj ka si pretendim formimin e pasqyrës së plotë për degën e një letërsie, siç ka dëshirë ta quajë autori i përmbledhjes, Hajro Ulqinaku.
Shkrimtarët që janë me origjinë nga trevat shqiptare në Mal të Zi, por që krijimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në Prishtinë dhe ata që jetojnë në këto treva përbëjnë dy degët e një letërsie të përbashkët që është letërsia shqipe, kurse pesha e secilës degë edhe pse nuk është e njëjtë, ndikojnë që të krijojnë drejtpeshimin e tërë drurit të letërsisë në tërësi.

Roli i doracakut
Libri “Dega e një trungu” e cila iu kushtohet lexuesve të moshës fëmijërore dhe të rinjve ka si një nga qëllimet që të mbulojë sadopak atë boshllëkun që ekziston sa u përket botimeve të teksteve letrare të autorëve të vendlindjes për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi. Në bazë të plan-programeve shkollore parashikohet që për autorët e mjedisit ku jetojnë nxënësit të kenë orë të posaçme, rreth 20% të tyre. Ky libër është projektuar si i këtillë që t`u vijë në ndihmë nxënësve të shkollës fillore për të mësuar autorët e letërsisë shqiptare të cilët jetojnë apo janë me origjinë nga Mali i Zi. Si rrjedhim, shkollat dhe institucionet përkatëse ministrore do të duhej të kenë reagimin e duhur për ta bërë këtë libër pjesë të teksteve shkollore. Në anën tjetër, ky është vetëm një nga librat e duhur në shërbim të krijimit të nxënësit shqiptar në Malin e Zi me dije e kulturë si të gjithë bashkëmosharët e tyre në këtë vend.
Mr. Haxhi Shabani
Koha Javore