Dinosha:Mali i Zi njeh pavarësinë e kosovës

October 20, 2008   | Anketë / Anketa, Shtypi / Mediji

Vula
Në vitin e shqiptarëve edhe 9 tetori do të hyjë ndër datat tona historike. Më 9 tetor 2008 “na u hap lajmi i vërtetë”. Qeveria e Malit të Zi ka njohur Kosovën e pavarur. Kjo i vë vulë epokës së orekseve serbe për dominim në Ballkan dhe hapë epokën e marrëdhënieve të reja në rajonin e trazuar të Europës Juglindore. Mali i Zi dëshmon kësisoji se është i gatshëm të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan, për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët dhe për përshpejtimin e integrimeve europiane e eurotalantike të rajonit. Kjo i jep dimension edhe gatishmërisë së Malit të Zi për partneritet të mirëfilltë e respekt të ndërsjellë me faktorin shqiptar brenda tij.
Është e qartë se, duke patur parasysh ambientin politik në Serbi dhe në një pjesë të mirë të Malit të Zi, ky vendim i Qeverisë së Malit të Zi ka qenë shumë i vështirë. Vetëm supet e kryeministrit Gjukanoviq kanë mundur të duronin barrën e këtij vendimi, më të vështirit që e kanë ndërmarrë në karrierën e tij të deritashme politike. Me tërë opozitën serbo-malazeze kundër, ky thotë qartë se këto janë llogari për politikat e dështuara serbe të fundshekullit të shkuar, duke treguar vendosmëri për të ruajtur dhe për t`i dhënë përparësi interesit nacional e shtetëror të Malit të Zi. Me këtë ai i vë vulë edhe imazhit të tij prej burrit të shtetit e kontributorit në proceset demokratike në historinë më të re të Ballkanit, i cili realitetin e shikon në sy edhe kur më të afërmit janë të gatshëm ta anatemojnë.
Shenja të tilla ky personalitet politik kishte treguar që më heret. Në vitin 1997 ai kishte mbledhur kurajo e përkrahje brenda partisë së tij për t`u shkëputur nga përqafimi gati fatal me Sllobodan Millosheviqin dhe me partinë e tij. Në këtë vit ai u kishte thënë STOP politikave të diktatorit serb i cili po e zhbënte me gjak e gjenocid ish-Jugosllavinë. E kishte hetuar se është koha për ta ruajtur nga gllabërimi Malin e Zi dhe për t`i prirë në rrugën drejt pavarësisë.
Z. Gjukanoviq po bëhej kështu gjithnjë e më interesant edhe për faktorin politik shqiptar në Mal të Zi. Kundërshtarit më të madh të armikut të shqiptarëve duhej t`i ofrohej miqësi politike. Ndjej nevojë t`i rikujtoj opinionit shqiptar në Mal të Zi sjelljen e subjekteve politike shqiptare dhe raportet e tyre me z. Gjukanoviq dhe partinë e tij sepse kjo i vë vulë pozicionimit të tyre të gabuar në të ardhmen gjë që duhet të shërbejë për të zgjedhur ofertat politike edhe në të ardhmen. Do të mundohem të jap një kronologji të argumentuar nga e cila do të dalë se, prej partive shqiptare, vetëm Unioni Demokratik i Shqiptarëve ka patur sens, durim, pragmatizëm e kapacitet për të vendosur partneritet e bashkëpunim me liderin i cili u ka prirë proceseve demokratike në Mal të Zi deri në vënien e vulës pavarësisë së Kosovës, deri në njohjen e pavarësisë së saj (qysh në vitin 1997).
Ne prej fillimit të kësaj periudhe kemi pasur bindjen se vetëm në Podgoricë mund të grushtohen përfundimisht politikat hegjemoniste të Beogradit dhe se rolin e sparing-partnerit në këtë “meç” duhet ta luante vetëm z. Gjukanoviq.
Pas plasjes së partisë në pushtet në dy krih në vitin 1997, opozita malazeze dhe dy partitë shqiptare, LD në MZ e UDSH, me krahun antimillosheviqian të z. Gjukanoviq nënshkruajnë Marrëveshjen për vendosjen e minimumit të kushteve demokratike në Mal të Zi, duke synuar të luftonin krahun promillosheviqian të z.Momir Bullatoviq, i cili ishte kryetar i partisë (së deriatëhershme) në pushtet dhe kryetar i shtetit të Malit të Zi.
Menjëherë pas kësaj ndodhin zgjedhjet presidenciale në të cilat kundërkandidatët janë pikërisht bashkjëpunëtorët e deridjeshëm e rivalët e rastit, Gjukanoviq e Bullatoviq.
UDSH, që në start, përkrah publikisht z. Gjukanoviq, i cili në rrethin e parë, merr më pak vota se Bullatoviq, gjë që flet për epërsinë e elementit proserb në Mal të Zi. Por, as Bullatoviq nuk merr përqindje të mjaftueshme sa për t`u bërë menjëherë kryetar. Pason rrethi i dytë. I pyetur për të komentuar rezultatet e rrethit të parë, autori i këtyre rreshtave, si deputet i UDSH-së, për gazetën “Vijesti” deklaroi: “Nuk kam ditur se ka kaq pak malazezë në Mal të Zi!” Arrin kërcënimi i radikalëve serbë, të cilët përkahnin z. Bullatoviq, për autorin e kësaj deklarate në formë të pyetjes: “Kah do t`ia mbajë Dinosha pas zgjedhjeve?”, gjë që flet për nivelin e tendosjes në prag të zgjedhjeve. Para rrethit të dytë pason edhe përkrahja e Lidhjes Liberale dhe e LD në MZ për z. Gjukanoviq. Këto kishin hezituar në rrethin e parë. Pas rrethit të dytë kryetar i Mali të Zi bëhet Millo Gjukanoviq. Fitore e mirë pas divorcit me Millosheviqin.
Para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të qershorit të vitit 2008, pason formimi i qeverisë së përkohshme të Malit të Zi. Mandatori Filip Vujanoviq i bën ofertë UDSH-së për t`u kyçur në qeverinë e tij. Me dilema brendapartiake dhe me sulme jashtëpartiake, ky autor bëhet ministër pa portofol, me premtim se po të fitonte krahu i Z. Gjukanoviq do të formohej Ministria për të Drejtat e Pakicave. Kështu edhe ndodhi. Pas fitores së krahut të Gjukanoviqit në zgjedhjet parlamentare të 2008-ës formohet Ministria e Pakicave, e cila i ka mbushur tashmë dhjetë vjet dhe në krye të së cilës kanë qenë vazhdimisht ministrat e UDSH-së. Partia tjetër shqitpare, LD në MZ (aso kohe ishin vetëm dy parti shqiptare) e kundërshton hyrjen në Qeveri, edhe pse kishte marrë dy poste të sekretarëve në të (arsimi dhe informimi). UDSH-së i dukej se ky ishte një hap serioz drejt kyçjes në institucione dhe veprimit institucional për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi. Na duhej edhe ky hap serioz drejt vendosjes së një partneriteti të mirëfilltë me një qeveri antimillosheviqiane, e cila e vetmja kishte gjasa t`i printe valles së pavarësimit të Malit të Zi, të cilin vazhdimisht e kemi parë të rëndësishëm për pavarësimin e Kosovës.
Kjo qeveri vazhdon të dëshmohet sensitive dhe e vendosur për t`u dhënë përgjigjje demokratike çështjeve më sfiduese të kohës.
Gjatë luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s të vitit 1999, ajo kishte çelë dyert e Malit të Zi për rreth 100 mijë shqiptarë të dëbuar nga Kosova, të cilët po iknin para krimeve të ushtrisë së Millosheviqit, që ishte prezente në këtë kohë edhe në Mal të Zi. Ishte ky sinjal i qartë se Podgorica ndaj shqitparëve nuk do të sillej më si Beogradi dhe se ajo po ndiste me vëmendje politikat e Perendimit ndaj Ballkanit.
Gjatë bombardimeve të NATO-s është qëlluar edhe ndonjë cak në Mal të Zi meqë edhe ushtria e këtushme dëgjonte urdhërat e Beogradit i cili e quante agresion këtë intervenim të NATO-s, kështu që e kishte spostuar ushtrinë në terren për t`i bërë “rezistencë agresionit”.
Pa ushtrinë në anën e vet, me rreth 100 mijë shqiptarë të Kosovës brenda dhe me shqiptarët që jetojnë këtu, Qeveria e Malit të Zi nuk e kishte aspak lehtë të menaxhonte situatën. Asaj në këtë drejtim i duhej edhe ndihma e faktorit të brendshëm shqiptar. Edhe në Kuvendin e Malit të Zi ishin organizuar takime të përditshme konsultative për të përcjellur situatën (të udhëhequra nga kryetari i Kuvendit), e cila çdo çast mund të përshkallëzonte në përleshje ose konflikt. Ka ndodhur në këtë kohë, gjatë 80 ditëve të fushatës ushtarake të NATO-s, që i vetmi zë i përfaqësuesve të politikës shqiptare në Mal të Zi, i pranishëm në media dhe në opinion, të ishte pikërisht ai i deputetit të UDSH-së. Të tjerët kishin heshtur.
Ai ishte i vetmi shqiptar anëtar i delegacionit shtetëror të Malit të Zi për të marrë pjesë në konferencën paraprake, në Institutin Amerikan pë Paqe, në Uashtington, me temën: “Montenegro at risk” (Mali i Zi në rrezik), ku fjala e tij kishte zgjuar kërshërinë më të madhe të gazetarëve, të përfaqësuesve të Stejt Department -it, të Pentagonit… Emërues i përbashkët i ligjeratës së tij kishte dalë pohimi se shqitparët në Mal të Zi dhe vetë shteti i Malit të Zi mund të rrezikoheshin nga ushtria e Millosheviqit, nga e cila po i mbronte policia malazeze dhe se Millosheviqi nuk do të ndalej pa përdorimin e forcës perëndimore…
Vetëm intervenimi i NATO-s, i definuar në kancelaritë e politikave ndërkombëtare, prodhon kapitulimin e ushtrisë së Millosheviqit në Kosovë, gjë që më vonë krijon kushte për qeverinë properëndimore të Gjukanoviqit që të merrej më shlirtë me krijimin e logjistikës për Referendumin e Pavarësisë.
Duke marrë parasysh ecuritë e përgjithshme politike në rajon, arkitektët e tij ia dolën të organizojnë referendumin vetëm për në maj të vitit 2006. Shpallja e tij pritej të angazhonte të gjitha subjektet politike shqiptare në Mal të Zi pasi që ishte e qartë se pavarësia e Malit të Zi do të ishte me interes jetik edhe për shqiptarët e këtushëm, dhe jo vetëm për ta. Por, vetëm UDSH i kishte ftuar haptas shqiptarët për të përkrahur pavarësinë, dhe vetëm ai nga partitë shqiptare kishte nënshkruar një marrëveshje për veprim të përbashkët me forcat pro pavarësisë në krye të të cilave ishte Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) e z. Gjukanoviq.
Pa marrë parasysh sjelljen e partive të tjera shqiptare gjatë fushatës së referendumit, pothuaj të shqiptarët më 21 maj 2006 kishin përkrahur pavarësinë e Malit të Zi, duke bërë investimin mëtë mirë për faktorizimin e vet në skenën politike të Malit të Zi të pavarur.
Me pavarësimin e Malit të Zi pritej që të gjitha partitë shqiptare, pa marrë parasysh sjelljet paraprake do ta kenë të qartë se partneriteti me forcat e pavarësisë do të ishte i levërdishëm edhe për proceset demokratike në rajon sidomos lidhur me pavarësinë e Kosovës. Por, përfaqësuesit e LD në MZ dhe të ASH, rreshtohen në bllokun e opozitës e cila kishte kundërshtuar pavarësinë e Malit të Zi dhe e cila po proteston këto ditë në Podgoricë, pasi Qeveria e Malit të Zi, më 9 tetor njohu Kosovën e pavarur. Ajo qeveri, pjesë e së cilës është UDSH.
Për të ardhur deri këtu është dashur të bëhen edhe hapa ndonjëherë të çuditshëm, por absolutisht të provokuar nga shterpësia ose “trimëria pas lufte” e partive të tjera shqiptare, të cilat besoj se tash do ta kenë të qartë se bashkëpunimi me partitë serbe a proserbe nuk mund t`u sjellë asnjë të mirë shqiptarëve.
Njohja e Kosovës nga ana e Qeverisë së Malit të Zi i vë vulë pozicionimit të drejtë e të duhur të UDSH-së në skenën e trazuar politike të fundshekullit të shkuar e të fillimit të mileniumit të ri, në momentet më vendimtare që kanë prodhuar logjistikën për marrëdhënie të reja në Ballkan, e cila rrumbullakësohet pikërisht me 9 tetorin e Podgoricës.
Këto ditë ky autor ka marrë shumë mesazhe falënderimi e mirënjohjeje nga Tirana e Prishtina, por edhe nga Ambasada Amerikane, për rolin dhe pozicionimin e sipërpërmendur të UDSH-së. Tani jam edhe më optimist se UDSH-ja do të jetë bërthamë në trekëndëshin Podgoricë – Prishtinë – Tiranë…
Ferhat Dinosha
Burimi / Koha Javore