Kriza politike në Malin e Zi,Topi anulon vizitën

October 21, 2008   | Bota, Shtypi / Mediji

Përplasjet ndërmjet pozitës dhe opozitës në Malin e Zi për pavarësinë e Kosovës detyrojnë Presidentin shqiptar, Bamir Topi, që të shtyjë vizitën e tij në një afat të pacaktuar. Vizita zyrtare e kreut të shtetit ishte parashikuar që të realizohej dje, por Presidenca ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar për mosrealizimin e saj në shtetin fqinj verior, Malin e Zi. Vizita e tij zyrtare, e para si një president i Shqipërisë, ishte parashikuar dy ditë, ku pritej që të kishte takime me drejtuesit e shtetit të Malit të Zi, presidentin, kryeministrin, si dhe me politikanët shqiptarë që jetojnë atje. Gjithashtu ajo mund të cilësohej dhe si shenjë falënderimi për qëndrimin e Malit të Zi në raport me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Sipas radio BBC-së, seksionit shqip, Presidenca ka konfirmuar anulimin e vizitës, porse arsyeja nuk është zyrtare. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, vizita e Presidentit Bamir Topi, e planifikuar për të nisur të martën, është shtyrë për një datë tjetër. Mendohet se tensionet e ditëve të fundit në Podgoricë, të shkaktuar nga opozita, e cila është e hapur proserbe, në lidhje me njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Opozita malazeze, duke kontestuar vendimin e Qeverisë dhe Parlamentit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka kërkuar mbajtjen e një referendumi për një çështje të tillë. Por Kryeministri Milo Gjukanoviç ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike realizimin e një referendumi, pasi vendimi për njohjen e Kosovës është marrë. Ndërsa kryeparlamentari malazez, Krivokapiçi deklaroi se “s’ka rast në botë, ku dikush për shkak të politikës së jashtme të një vendi tjetër, kërkon organizim të referendumit në shtetin e vet, siç bëjnë partitë opozitare në Mal të Zi”. Podgorica zyrtare ka fajësuar Serbinë për ndërhyrje në punët e brendshme të saj. Mali i Zi së bashku me Maqedoni shpallën njohjen e shtetit më ri të Ballkanit, Kosovën, por tensionet e brendshme përfshinë vetëm Malin e Zi. Presidenti Topi ka zhvilluar deri më tani vizita zyrtare në Shtetet e Ballkanit si në Maqedoni, Kosovë, Kroaci dhe Greqi. Shqipëria ka si primare marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku të gjitha shtetet, përpos Kosovës, janë duke u përfshirë në procesin integrues në BE dhe në NATO.
Burimi / Panorama