Intervistë me ambasadorin e SHBA-së në Podgoricë,Roderik Mur

October 27, 2008   | Intervista / Intervju, Shtypi / Mediji

Vendimi i Malit të Zi për njohjen e Kosovës ishte autonom
Koha javore: Z. Ambasador, Mali i Zi është përcaktuar për integrimet europiane dhe euroatlantike. Sa ka avancuar ai, sipas Jush, në plotësimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve në këtë drejtim?
R. Moore: Mali i Zi ka bërë progres të dukshëm në reformat në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike që nga pavarësimi i tij. Gjatë këtij viti që unë jam këtu, jam dëshmitar i miratimit të Kushtetutës së re, nënshkrimit të Marrëveshjes së stabilizim asociimit të Malit të Zi me Bashkimin Europian dhe ftesës së bërë Malit të Zi për të filluar Dialogun e Intensifikuar me NATO-n.Mali i Zi po ashtu shpreson të aplikojë për tzu bërë kandidat për hyrjen në BE dhe të marrë ftesën për Planin e Veprimit të Anëtarësimit në NATO në të ardhmen e afërt.
Progresi i bërë deri tani është i rëndësishëm dhe Mali i Zi duhet të jetë krenar për atë çfarë ka arritur. Sidoqoftë, siç është rasti me shtetet e tjera post-socialiste në rajon, ende ka shumë për tzu bërë sa i përket reformave në fushën legjislative, ekonomike dhe të mbrojtjes për të vazhduar afrimin drejt institucioneve euro-atlantike.
Koha javore: Pavarësisht politikës shtetërore pro integrimeve europiane dhe euro-atlantike, ekziston një mospajtueshmëri sa i përket mbështetjes së opinionit kur bëhet fjalë për hyrjen në Bashkimin Europian dhe në NATO. Konkretisht shumica e opinionit në Mal të Zi janë pro hyrjes në BE, por kundër hyrjes në NATO. Madje sondazhet e fundit flasin për ulje të mbështetjes për hyrje në NATO. Cilat janë arsyet dhe çfarë duhet të bëjë Mali i Zi për rritjen e mbështetjes së opinionit si një kriter shumë i rëndësishëm që duhet plotësuar?
R. Moore: Ne përshëndesim vendimin e Malit të Zi për të vënë anëtarësimin në NATO si prioritetin e parë të politikës së jashtme, në masën më të madhe sepse ne besojmë se integrimi juaj i suksesshëm në Aleancë do të forcojë stabilitetin e këtij rajoni. Pa dyshim që përkrahja e konsiderueshme publike është kriter i rëndësishëm për anëtarësimin eventual, pasi që anëtarësimi në NATO nënkupton përkushtim serioz ndaj shteteve që përbëjnë Aleancën.Jam i bindur që përmes informimit më të mirë dhe debatit më të gjallë publik, përkrahja e anëtarësimit në NATO do të rritet ashtu siç ka ndodhur në vendet e tjera në rajon, sidomos në Kroaci dhe Bullgari.Këto shtete ashtu sikurse shtetet e tjera në Europën Qendrore dhe Lindore, e filluan procesin e anëtarësimit në NATO me nivele të ngjashme të përkrahjes publike, siç ekziston sot këtu.
Koha javore: Mali i Zi tashmë e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Në opinion është thënë vazhdimisht se SHBA dhe disa vende të tjera europiane kanë bërë presion mbi Malin e Zi në marrjen e këtij vendimi. Çfarë ndikimi ka luajtur SHBA, konkretisht Ju si ambasador në vendimin e Qeverisë së Malit të Zi?
R. Moore: Nuk duhet të gabojmë lidhur me këtë. Ky ishte një vendim autonom i Qeverisë së Malit të Zi, e cila vendosi kështu pasi që vlerësoi se një gjë e tillë është në interes të vendit tuaj.Ne e përkrahim këtë vendim sepse besojmë se do të stabilizojë rajonin dhe do tzi ndihmojë Malit të Zi të zëjë vendin që i takon në Euopën e bashkuar, të lirë dhe në paqe. Ne e dimë që ky nuk ishte një vendim i lehtë, por besojmë se dëshmon që Mali i Zi është i përgatitur që të marrë vendime të vështira si një partner i besueshëm i komunitetit Euro-Atlantik duke i kontribuar stabilitetit rajonal.
Koha javore: Çfarë ndikimi do të ketë njohja e Kosovës nga Mali i Zi dhe Maqedonia? A mendoni se kjo do të ndikojë në përshpejtimin e njohjes së Kosovës nga vendet e tjera që nuk e kanë njohur atë deri tani?
R. Moore: Çdo shtet do të marrë vendimin e vet, por ne besojmë se fakti që mbi 50 shtete -përfshirë shumicën më të madhe të shteteve të NATO-s dhe BE-së e kanë njohur Kosovën tregon se pavarësia e saj është e bazuar në themele të qëndrueshme dhe se do tzi kontribuojë të ardhmes më të mirë të tërë rajonit.
Koha javore: Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar ditë më parë Rezolutën e paraqitur nga Serbia që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të vlerësojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. A mendoni se kjo do të ketë ndonjë lloj ndikimi për Kosovën? Pse SHBA ka votuar kundër kësaj rezolute ndonëse shumica e vendeve anëtare të OKB-së e kanë përkrahur atë?
R. Moore: Siç theksuat, ky do të jetë një opinion këshilldhënës për të cilin nuk besojmë se do të ndryshojë vendimin e mbi 50 shteteve që e kanë njohur tashmë shtetin më të ri të pavarur në botë. Ne e konsiderojmë pavarësinë e Kosovës si çështje të përfunduar dhe ne do të punojmë me të gjitha vendet e rajonit për ndërtimin e së ardhmes më të mirë.
Koha javore: SHBA e ka ndihmuar vazhdimisht Malin e Zi përmes programeve të ndryshme që kanë të bëjnë me reformat institucionale, ushtarake, policore, etj. Cila do të jetë ndihma e SHBA-së për Malin e Zi në të ardhmen?
R. Moore: Siç e kemi bërë tashmë të njohur, programi i ri i ndihmës së Ambasadës do të fokusohet para së gjithash në perkrahjen e zhvillimit ekonomik të veriut të Malit të Zi. Më shumë se 10 milionë dollarë do të investohen në këtë rajon në tre vitet e ardhshme me qëllim të zvogëlimit të pabarazisë në zhvillim dhe për të ndihmuar integrimin ekonomik të rajoneve të Malit të Zi. Ndihma jonë do të fokusohet në sipërmarrësit dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në fushën e bujqësisë, turizmit dhe fushat e tjera.Ambasada e ka rritur në mënyrë të ndjeshme ndihmën e vet për të ndihmuar përpjekjet e Malit të Zi për të forcuar sundimin e së drejtës. Ndër aktivitetet e tjera, ne kemi emëruar një prokuror nga SHBA në Ambasadën tonë, i cili do të punojë drejtpërdrejt me organet ligjore dhe gjyqësore në Mal të Zi me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve të tyre për tzi nxjerrë kriminelët para drejtësisë.Ne do të vazhdojmë po ashtu të kemi programe shkëmbimi, të cilat janë vendimtare për ndërtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe në transmetimin e përvojave të qytetarëve të dy vendeve tona. Ne duam të dërgojmë sa më shumë qytetarë të Malit të Zi që të jetë e mundur në SHBA me qëllim të të kuptuarit sa më të mirë të Amerikës dhe të zhvillimit të marrëdhënieve me homologët e tyre të profesionit dhe me qytetarët në përgjithësi.
Koha javore: Ndonëse nga Ambasada Amerikane vazhdimisht theksohet sensibilizimi i investitorëve amerikanë për të investuar në Mal të Zi, kapitali amerikan nuk është shumë i pranishëm në Mal të Zi apo është në nivel shumë më të ulët në krahasim me disa vende të tjera. Cilat janë arsyet?
R. Moore: Kjo është po ashtu njëra nga detyrat kryesore të Ambasadës. Unë besoj se ka interes për Malin e Zi në komunitetin amerikan të biznesit. Përmes aktiviteteve intensive promovuese të Qeverisë së Malit të Zi dhe përpjekjeve të Ambasadës sonë ka gjithnjë e më tepër kompani amerikane të interesuara për të marrë pjesë në tenderat vendorë. Shpresoj se do të kemi më tepër investitorë amerikanë në të ardhmen në disa projekte të mëdha investuese siç janë ato në sektorët e turizmit dhe energjetikës.Po ashtu ekzistojnë projekte infrastrukturore të proklamuara nga Qeveria e Malit të Zi që do të hapen në të ardhmen e afërt, të cilat po ashtu mund të jenë me interes për kompanitë amerikane.Çelësi për tërheqjen e investimeve amerikane dhe nga perëndimi në përgjithësi është promovimi i ambientit të hapur për biznesin, të bazuar në kornizën e fortë ligjore, si në nivelin shtetëror ashtu edhe në atë lokal.
Koha javore: Si e vlerësoni procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve të arrestuar në aksionin policor të njohur si “Fluturimi i shqiponjës” për të cilin gjykata e shkallës së parë tashmë ka dhënë një vendim. A mendoni se kemi pasur një proces të paanshëm gjyqësor? Partitë shqiptare e kanë akuzuar pushtetin duke thënë se kemi të bëjmë me një proces të montuar politik? A kemi të bëjmë në këtë rast me terrorizëm ashtu siç pretendon prokuroria?
R. Moore: Nuk është roli ynë të vendosim për fajësinë apo pafajësinë apo të gjykojmë vlerat e një procesi, edhe pse natyrisht ne presim që drejtësia të jetë e shpejtë dhe e paanshme. Është përgjegjësia jonë e drejtpërdrejtë që të monitorojmë gjykimin dhe të mbrojmë shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e shtetasve amerikanë jashtë vendit. Stafi ynë konsullor viziton rregullisht të burgosurit dhe komunikon me familjarët e tyre.Unë vazhdimisht kam shprehur shqetësimin – qoftë publikisht, qoftë në takimet e shumta private me zyrtarët e lartë qeveritarë dhe policorë – lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit dhe fazave të gjykimit dhe me mungesën e vendosmërisë lidhur me pretendimet e qytetarëve tonë se ishin të keqtrajtuar nga policia.Ne presim nga autoritetet që të sigurojnë përfundimin e procesit të apelit në mënyrë të shpejtë dhe të paanshme dhe hulumtimet lidhur me trajtimin e policëve ndaj të burgosurve.
Koha javore: Shumë organizata joqeveritare kanë konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut qoftë gjatë arrestimeve të kryera gjatë këtij aksioni policor, por edhe gjatë qëndrimit të të burgosurve në burg. Sa janë shkelur në këtë rast të drejtat e njeriut? Ju si Ambasadë me siguri keni bërë hetimet Tuaja duke pasur parasysh faktin se disa nga të arrestuarit janë shtetas amerikanë?
R. Moore: Kolegët e mi dhe unë vazhdimisht kemi shprehur shqetësimin lidhur me pretendimet për keqtrajtim, dhe, siç theksova edhe më parë, ne presim nga autoritetet që të përfundojnë hetimin dhe të dënojnë çdo individ i cili ka shkelur ligjin.
Koha javore: Në muajin nëntor në SHBA do të mbahen zgjedhjet presidenciale. A do të kenë ato ndikim dhe nëse po, çfarë ndikimi do të kenë në politikën e jashtme të ardhshme të SHBA-së në rajon?
R. Moore: Zgjedhjet presidenciale të vitit 2009 pra zgjojnë interesim të madh në mbarë botën. Unë jam i gëzuar që ekziston një interesim i madh edhe në Mal të Zi për proceset tona demokratike. Pavarësisht se kush do të fitojë, jam i sigurt që politika e jashtme amerikane ndaj këtij rajoni do të vazhdojë të bazohet në vlerat tona themelore të demokracisë, të drejtat e njeriut dhe civile, si dhe tregjet e hapura.
Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore