Liqeni i Shkodrës, në prag të katastrofës ekologjike

November 1, 2008   | Reportazh / Reportaža, Shtypi / Mediji

Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Ballkan, është në prag katastrofe ekologjike. Kërcënimi vjen nga shteti më i vogël i Ballkan, Mali të Zi. Lumenjtë që derdhen në liqenin e Shkodrës janë të ndotura me mbetje alumini, të konsideruara si tepër toksike. Alarmin e ka dhënë drejtoresha e Zyrës Rajonale të Mjedisit në qytetin e Shkodrës, Diana Bejko.
Ashtu siç kishin paralajmëruar specialistët vite më parë, fabrika e aluminit në kufi me Podgoricën në Mal të Zi nuk është më një kërcënim por një “përbindësh”. Fabrika derdh mbetjet e aluminit dhe kobaltit në liqen duke e çuar drejt një katastrofe të vërtetë ekologjike.
“Mbetjet e fabrikës së aluminit në Malin e Zi derdhen në liqen. Kjo është me të vërtetë ndotje e rrezikshme, pasi prezupozohet se ekzistenca e metaleve të rënda në ujin e liqenit dhe sidomos përmbajtja e aluminit, krahasuar me normat e lejuara të BE, i kalon shumë këto shifra. Po kështu dhe mbetjet e kobaltit janë përsëri mbi normat e cilësisë së ujërave për standardet evropiane”, ka deklaruar për televizionin Neës24, drejtoresha rajonale e mjedisit, Diana Bejko.
Po kështu lumenjtë që furnizojnë liqenin e Shkodrës nga Mali i Zi, Moraça sjellin dhe ndotje urbane me vete. Por shkëlqimin dhe pasurinë ekologjike për të cilën njihej liqeni më i madh i Gadishullit të Ballkanit, po dëmtohet dhe nga mbetjet e urbane që hidhen nga komuniteti që jeton përreth brigjeve të liqenit të Shkodrës, ndërtimet pa leje dhe prerja e pyjeve në malin e Taraboshit.
Bejko i ka bërë apel Bashkisë për të ndërhyrë duke ushtruar presion ndaj kompanive të ndërtimit të cilët në mënyrë të papërgjegjshme hedhin mbetjet inerte në brigjet e këtij liqeni.
Liqeni i Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Gadishullit të Ballkanit. Ai është pjesë e kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi dhe ka sipërfaqe 368 km2, nga të cilat 149 km2 ndodhen në territorin administrativ të Shqipërisë. Lumi Moraça dhe ai Cem përbëjnë 60% të prurjeve në liqen. 30% e ujit vjen nga burimet nëntokësore e përrenjtë dhe pjesa tjetër nga malet dhe reshjet e shiut. Nyja ujore e hapësirës Bunë-Drin, luan rol të rëndësishëm në sistemin ujor të liqenit.
Dikur, një nga zonat më të populluara me pushues dhe turistë, liqeni i Shkodrës ndihet i braktisur. Gjuetia e paligjshme e peshkut, përdorimi i mjeteve shfarosëse për zënien e tij, janë kërcënime të tjera për këtë liqen, të cilat nga dita në ditë po i zbehin shkëlqimin e dikurshëm.
Burimi / Balkanweb

YouTube Preview Image
1