Dinosha:Lojën e kujt e do media shqipe?

November 2, 2008   | Politika

UDSH dhe përfaqësuesi i tij në Parlament janë përpjekur t`i krijojnë sadopak hapësirë Qeverisë së Malit të Zi për të marrë vendimin për njohjen e Kosovës së pavarur edhe kur të tjerët, qoftë përfaqësues politikë, qoftë gazetarë shqiptarë nuk e kanë përmendur këtë. Qysh në muajin prill, përfaqësuesi i UDSH-së ka thënë se është në interesin e Malit të Zi që të njohë Kosovën dhe se në këtë rrugë s`bën të ketë shumë vonesë. Ai e ka përsëritur këtë disa herë publikisht, duke e shtruar edhe në kontaktet e rregullta me zyrtarët e Malit të Zi në të cilat ka qenë i informuar se kjo çështje do të ketë epilog fatlum e afatgjatë. Por, me disa gjëra nuk licitohet derisa të ndodhin dhe këtë UDSH e di, nëse jo edhe gazetari ynë.
Një titull në ballinën e “Koha Javore” nr. 342 dhe një nëntitull i anterfilesë dalë nga teksti i gazetarit I.K. më shtyjnë t`i bëj një retrospektivë angazhimit të medias shqipe lidhur me ngjarjet kryesore në Mal të Zi gjatë këtyre viteve të fundit.
Duke informuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Malit të Zi, gazetarit dhe gazetës duhet t`u ketë pëlqyer titulli: “Mali i Zi i jep goditje tjetër Serbisë”. Ky titull s`do të të vriste syrin shumë po të hasej në rubrikën “Opinione e vështrime” që nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht politikën redaksionale të gazetës, por gazeta e vetme shqiptare, duke e veshur ballinën me këtë petk, thua se qan më tepër hallin e Serbisë sesa favorizon hapin e guximshëm të Malit të Zi, të cilin Kosova e ka shumë të rëndësishëm. Ky titull sikur të ishte marrë nga deklaratat e udhëheqësve më radikalë politikë e fetarë serbë, të cilët vendimin e Qeverisë Malazeze e kishin quajtur “thikë në shpinë Serbisë”. Deshte a s`deshte, titulli përkon më tepër me reagimet e padrejta të opozitës serbe se me vendimin e drejtë të Qeverisë Malazeze, të cilin ajo nuk e kishte marrë as për inat të Serbisë, as për hatër të Kosovës, por për interes të vetin nacional e shtetëror.
Me siguri padashtas, por gazetari qan hallin e Serbisë edhe kur në vazhdim të tekstit thotë se “njohja erdhi në një moment të papritur dhe delikat për Serbinë…”, thua se s`paskemi ç`të bëjmë veç të mendojmë për të priturat a të papriturat e Serbisë.
Kjo edhe mund të jetë pasojë e mungesës së përvojës, por gazetari tregohet tendencioz dhe dezinformon kur në anterfilesë, nxjerr titullin: “Shqiptarët në Mal të Zi jashtë loje”.
Së pari, Parlamenti i Malit të Zi, nuk ka nxjerrë rezolutë për njohjen e Kosovës, por rezolutë për domosdoshmërinë e përshpejtimit të proceseve integruese, në ç`gjë pozicionimi ndaj çështjes së Kosovës ka qenë i rëndësishëm dhe Mali i Zi thotë në këtë rezolutë se çështjen e Kosovës do ta shohë sikurse tërë bota demokratike.
Së dyti, relacionet ndërmjet Malit të Zi e Serbisë janë diçka krejtësisht tjetër, krahasuar me relacionet e Serbisë dhe të Maqedonisë. Veç kësaj, shqiptarët në Maqedoni dhe ata në Mal të Zi, edhe për nga numri edhe për nga përkrahja e elektoratit janë në situata të ndryshme.
Së treti, gazetari duhej ta dinte dhe ta thoshte se prej tri partive shqiptare që kanë përfaqësuesit e vet në Parlamentin e Malit të Zi, dy bashkëpunojnë me opozitën e jo me pozitën, e cila kishte propozuar Rezolutën. Vetëm UDSH-ja ka bashkëpunim e partneritet me pozitën meqë pozita ka shumicën edhe pa përfaqësuesin e UDSH-së, është çmuar se në këtë çështje të ndjeshme dhe në këtë situatë të ndjeshme, është më profitabile që ndër propozuesit e Rezolutës të jetë edhe përfaqësuesi i UDSH-së. Nëse jo gazetari i “Koha Javore” këtë e merr vesh çdo analist politik dhe çdo diplomaci parlamentare. Falë UDSH-së shqiptarët në Mal të Zi kanë qenë e vazhdojnë të jenë në lojën e demokracisë dhe të stabilitetit në Rajon, në lojën e integrimeve dhe të faktorizimit të shqiptarëve në to. Është problem i gazetarit nëse ai do t`i shohë shqiptarët në ndonjë lojë tjetër dhe shtrohet pyetja – lojën e kujt e do media shqipe?
UDSH dhe përfaqësuesi i tij në Parlament janë përpjekur t`i krijojnë sadopak hapësirë Qeverisë së Malit të Zi për të marrë vendimin për njohjen e Kosovës së pavarur edhe kur të tjerët, qoftë përfaqësues politikë, qoftë gazetarë shqiptarë nuk e kanë përmendur këtë. Qysh në muajin prill, përfaqësuesi i UDSH-së ka thënë se është në interesin e Malit të Zi që të njohë Kosovën dhe se në këtë rrugë s`bën të ketë shumë vonesë. Ai e ka përsëritur këtë disa herë publikisht, duke e shtruar edhe në kontaktet e rregullta me zyrtarët e Malit të Zi në të cilat ka qenë i informuar se kjo çështje do të ketë epilog fatlum e afatgjatë. Por, me disa gjëra nuk licitohet derisa të ndodhin dhe këtë UDSH e di, nëse jo edhe gazetari ynë.
Ata madje, hajde dije pse, nxitojnë të sulmojnë atë që duhet ta përkrahin. Kështu, p.sh. gjatë verës që shkoi, derisa angazhimet e UDSH-së lidhur me njohjen e Kosovës ende nuk kishin pasur efektin e pritshëm, një shkrim i gazetarit I.Berjashi në një të përditshme të Kosovës, prodhon titullin: “Pse Qeveria e Malit të Zi nuk ia vë veshin Ferhat Dinoshës”? Ai habitet si UDSH mund të jetë pjesë e një qeverie që nuk përfillka kërkesat e kryetarit të saj, pa pasur durim që të priste edhe një çik, që duke ditur se vendim më të vështirë Qeveria e Malit të Zi nuk ka patur deri më tash në punën e saj.
Kur kjo qeveri, më 9 tetor 2008, njeh Kosovën, gazetari ynë nuk nxiton të informojë opinionin se, më në fund, Qeveria paska vënë veshin …
Këta dhe gazetarë të tjerë shqiptarë nuk kanë patur aspak sens analitik ose energji pozitive as lidhur me ngjarje të tjera kyçe që kanë krijuar logjistikë për një hap të këtilë të Qeverisë së Malit të Zi. Sot është e qartë, e dikush e ka pasur të qartë kaherë, se pavarësia e Malit të Zi është paradhomë e pavarësisë së Kosovës. Bashkëpunimi me forcat e pavarësisë në Mal të Zi ka qenë imperativ i kohës për subjektet shqiptare që veprojnë këtu. Por, vetëm UDSH është sjellë në pajtim me këtë imperativ.
Të tjerët kanë thirrë për bojkot, ose kanë qenë asnjanës. Gazetarët tanë nuk kanë thënë asnjëherë se kush kishte të drejtë, e lëre më t`u sugjeronin shqiptarëve, në mëynrë të pavarur, se ç`duhej të bënin. Për më tepër, ata shpesh kanë favorizuar qasjet e subjekteve apo grupacioneve të ndryshme që, me apo pa vetëdije, kanë çuar ujë në mullirin e politikave serbe.
Duke e parë këtë sidomos pas dështimit të koalicionit “Shqiptarët Bashkë”, inicues i të cilit kishte qenë pikërisht UDSH kjo parti shqiptare vazhdon të kultivojë partneritetin me forcat antimillosheviqiane në Mal të Zi, duke e konkretizuar atë edhe me forma të reja të bashkëpunimit – me koalicione zhvillimore- teknike në nivele lokale me partitë në pushtet të z. Gjukanoviq.
Kjo formë e re e bashkëpunimit të UDSH me PDS shihet si hapësirë për të sulmuar UDSH-në, nga ana e disa gazetarëve, të cilët, për ta bërë këtë, favorizojnë edhe qasjet e ish-bashkëpunëtorëve të shërbimeve të sigurimit të sistemit të vjetër të cilët tash ofrojnë alternativa për shqiptarët?
Më kujtohet pyetja e gazetarit M. Gjoka, e kësaj kohe që kishte tendencë të sugjeronte se autori i këtyre rreshtave, si përfaqësues i UDSH-së, kishte harruar një deklaratë të vetën të mëposhtme, në të cilën kishte thënë:”…ne do të marrim frymë me mushkëri të Çun Mules e të Baca Kurtit, të Dedë Gjo`Lulit e të Mul Delisë”. Pra, duke aluduar në bashkëpunimin e tashëm të UDSH me PDS gazetari pyet: “Me mushkëritë e kujt merr frymë sot Ferhat Dinosha?” Asokohe natyrisht se gazetari ka marrë përgjigje, të cilës sot mund t`i shtohet:”…edhe me mushkëritë e 17 shkurtit 2008 dhe të 9 tetorit 2008″, të cilat janë hapur edhe falë partneritetit të UDSH me PDS, që e kanë sulmuar gazetarët tonë. Të njëjtit, të cilët asnjëherë nuk e kanë sulmuar bashkëpunimin e partive të tjera shqiptare me partitë serbe e proserbe, të cilat edhe sot po protestojnë në Podgoricë kundër vendimit të Qeverisë së Malit të Zi (nën udhëheqje të kryetarit të PDS) për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Mua më duket se faza e deritashme e pluralizmit politik në Ballkan ka nxjerrë data të reja historike për shqiptarët dhe se duhet të jemi të kënaqur me këtë. Më duket se kaq ka qenë kaçiku i shqiptarëve i vendosur në mënynë e miqve amerikanë, pa të cilët të gjitha na i kishte ngrënë qoftlargu në bark. Nëse gazetarët tonë, padronët e tyre, apo kanakarët e tyre politik kanë diç më tepër, le të na tregojnë të gjithëve.
Nëse jo, le të pushojnë të na shesin gogla për dushk, a shlivovic për viski.
Ferhat Dinosha
Koha Javore