Dorela Hysa kurorezohet si supermodelja shqiptare + Video

November 3, 2008   | Lajmet / Vijesti
Dorela Hysa

Dorela Hysa

Një 15-vjeçare është fituesja e edicionit të katërt të spektaklit “Supermodel of the World Albania”. Dorela Hysa, vajza nga Tirana, është përzgjedhur mes 15 konkurrenteve të tjera, në një spektakël madhështor të organizuar mbrëmjen e së shtunës nga “Top Channel”. Pas kësaj fitoreje, për Dorela Hysën nis rruga e ëndrrës së saj drejt pasarelave të mëdha botërore të modës. Vajza është zgjedhur mes konkurrenteve të tjera nga përfaqësuesja e Ford Agency, Melissa Flores, e cila ka qenë në Shqipëri, për të ndjekur nga afër modelet. Dorela do të jetë vajza që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Supermodel of the World”, një konkurs që këtë vit zhvendoset nga Amerika në Budva të Malit të Zi. Hysa do të përfaqësojë Shqipërinë, në një konkurrim mes 50 vajzave të tjera që vijnë nga vende të ndryshme të botës, në një spektakël që do të organizohet në janar të vitit 2009. “Ne do të dëshironim të fitonim, por, gjithsesi, e rëndësishme është që bukuria shqiptare përfaqësohet në një konkurs ndërkombëtar të modës. Këtë vit “Supermodel of the World” organizohet afër Shqipërisë, në Budva të Malit të Zi dhe një pjesë e mirë kanë mundësi të udhëtojnë për ta parë nga afër”, shprehet producenti Fadil Berisha, i cili edhe këtë vit ka mbërritur në Tiranë për të bërë setet fotografike me vajzat pjesëmarrëse. Konkurrentet, të cilat e shohin këtë aktivitet si një trampolinë drejt botës së modës, kanë qenë nga mosha 14 – 19-vjeçare dhe vinin kryesisht nga kryeqyteti. Në ndryshim nga edicionet e mëparshme, këtë vit spektakli ka mbajtur tërësisht firmën shqiptare. I gjithë stafi realizues i këtij konkursi prestigjioz, ka qenë shqiptar. Përvoja e fituar nga vitet e mëparshme, i ka lejuar të sjellin një spektakël në parametrat bashkëkohorë. Regjia i është besuar Bojken Lakos, i cili tashmë ka disa eksperienca në organizimet e spektakleve në “Top Channel”, prezantimi Arbana Osmanit, stiliste ka qenë Rovena Agolli, me grimin e Lili Ismailit. Ndërsa ajo që është përkujdesur për paraqitjen skenike të vajzave, mënyrën se si të ecin në pasarelë e për gjithë koreografinë, ka qenë Zana Krasniqi, supermodelja e parë shqiptare. Tre vite më parë, ajo do të provonte për së pari emocionet e kësaj pasarele, dhe tashmë, me eksperiencën e fituar, është munduar të krijojë një koreografi që ajo e quan “të thjeshtë, por edhe spektakolare”.

“Që në fillim, menduam që ky edicion të vinte me një staf tërësisht shqiptar. Pas tre vitesh eksperiencë të fituar nga profesionistë të huaj, stafi shqiptar ishte gati të realizonte një show të standardeve perëndimore”, thekson regjisori Bojken Lako. Të rejave në organizimin e këtij edicioni i është shtuar edhe përzgjedhja e vendit, ku u realizua ky edicion i katërt. Nuk ka qenë një sallë e mbyllur, por një pasarelë e ngritur për këtë rast në një qendër tregtare. Dhe jo pa qëllim. Aty gjithçka ka qenë më e prekshme. Publiku i pranishëm, në radhën e parë të së cilit ishin vendosur personazhe VIP të ftuar, mundi të shihte nga afër veshje që nuk janë prodhuar vetëm për të sfiluar në pasarela. Për Lakon, kjo zgjedhje do të tregojë edhe një anë tjetër të Shqipërisë, atë të zhvillimit tregtar të saj. Ndërsa në këtë ambient, vajzat janë ndjerë edhe më sportive. “Ideja që spektakli të bëhej në një vend me standarde evropiane, siç ishte qendra tregtare, lindi për ta bërë gjithçka më të prekshme dhe më afër publikut. Modelet sfiluan me veshje që mund t‘i blesh në dyqane shqiptare të prekshme për të gjithë”, thekson Arbana Osmani, e cila edhe këtë vit ka prezantuar evenimentin e vetëm të këtij lloji që organizohet në Shqipëri nga “Top Channel”. E gatshme t‘i japë gjallërinë e duhur një spektakli të këtyre niveleve, ajo ka zotëruar gjithë atmosferën e kësaj nate. Pesëmbëdhjetë vajzat konkurrente kanë parakaluar në tri sfilata me veshje të ndryshme, në një skenografi të realizuar me teknologjinë më të lartë. Gjatë spektaklit të mbrëmjes së djeshme janë shfaqur edhe tre montazhe me momente nga provat që vajzat konkurrente kanë zhvilluar para se të ngjiteshin në skenën e madhe, plot efekte dritash, në pritje që të zgjidhej më e mira.

Por puna për të mbërritur në natën finale ka nisur muaj më parë. Në fazën e parë, stafi organizator ka përzgjedhur mes 150 vajzave, që këtë vit janë regjistruar për t‘u bërë pjesë e ëndrrës së madhe të modës, vetëm 15 prej tyre. Ndërsa publiku ka pasur mundësi të njihet me to përmes programit “Waiting for Supermodel” (Duke pritur supermodelen), që është transmetuar përgjatë verës në “Top Channel”. Secila prej konkurrenteve e ka ndjerë veten pak modele, në përgatitjet për t‘u ngjitur në skenë, në setet profesionale fotografike, apo edhe në parakalimet në pasarelën e ngritur enkas për to. Por fati i ka buzëqeshur vetëm njërës prej tyre. Dorela Hysa do të vazhdojë ëndrrën e saj. Në janar të 2009-ës e pret një tjetër konkurrim i madh, në përpjekje për të fituar një kontratë miliona dollarësh. Për të tjerat rruga mbetet e hapur përmes “Top Channel”.

Dorela do të jetë vajza që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Supermodel of the World”, një konkurs që këtë vit zhvendoset nga Amerika në Budva të Malit të Zi

Në ndryshim nga edicionet e mëparshme, këtë vit spektakli ka mbajtur tërësisht firmën shqiptare. I gjithë stafi realizues i këtij konkursi prestigjioz, ka qenë shqiptar

Në fazën e parë, stafi organizator ka përzgjedhur mes 150 vajzave, që këtë vit janë regjistruar për t‘u bërë pjesë e ëndrrës së madhe të modës, vetëm 15 prej tyre

Burimi / Gazeta Shqip

YouTube Preview Image