Intervistë me gazetarin Mustafë Canka

November 3, 2008   | Intervista / Intervju

Mediat e lira janë oksigjen për demokracinë
Koha javore: Z. Canka, cila është pozita e gazetarisë sot në Mal të Zi dhe çfarë vendi zë ajo si profesion në shoqëri?
M. Canka: Fatekeqësisht, e mjerueshme. Me gishtat e njërës dorë mund tzi numëroni mediat vërtet të pavarura. Puna në mediat në Mal të Zi nuk është më profesion tërheqës, por është bërë tashmë profesion kalimtar. Nga gazetaria largohet çdokush që ka mundësi.
Ata që te ne quhen gazetarë janë njerëz që mbajnë diktafonat dhe kamerat, bredhin nga njëra konferencë për shtyp në tjetrën, e vënë në veprim diktafonin dhe kamerat, e fikin diktafonin dhe kamerat, shkojnë në redaksi dhe e hartojnë lajmin dhe e lëshojnë kasetën. Të tillët përbëjnë 90 për qind! Për këtë arsye ndikimi i gazetarëve tani është më i vogël sesa që do të duhej ta kishte “pushteti i shtatë”.
Në të ardhmen do të jetë edhe më e vështirë për të ruajtur pavarësinë, për të mbijetuar në këtë treg tejet të vogël dhe për të përballuar presionet e qendrave politike dhe ekonomike të pushtetit. Megjithatë, duhet të luftohet.
Koha javore: Në këtë kontekst, cila është pozita e gazetarisë shqiptare dhe e mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi?
M. Canka: Edhe më e vështirë sesa në mediat malazeze. Mbizotëron atmosfera e pasigurisë, frikës, autocensurës. A mund të kujtoheni se kur keni lexuar herën e fundit në këto media një tekst të mirë mbi korrupsionin, krimin apo të ashtuquajturin privatizim?! O Zot, nganjëherë më duket sikur koha është ndaluar në vendet ku ne jetojmë!
Gazetaria shqiptare në Mal të Zi është amorfe, e butë, e mërzitshme. E çuditshme, sepse e di që këta njerëz i përcjellin të paktën mediat në Shqipëri. Atje do të duhej të dërgoheshin rregullisht në kurse edhe gazetarët malazezë. Si shqiptar dhe gazetar, jam krenar për pasqyrën mediatike në Shqipëri.
Edhe në Kosovë, ngadalë, por po përmirësohet cilësia e mediave. Për këtë arsye ka shpresë për këto shoqëri sepse mediat e lira janë oksigjen për demokracinë.
Ndërsa shqiptarët në Mal të Zi kanë qenë (dhe akoma janë!) politikisht populli më i mënçur në këtë vend. Frikohem që për shkak të kësaj gjendjeje në media dhe arsim ata do ta humbin së shpejti këtë primat.
Është keq që kjo kuptohet pak edhe në vendet ku merren vendimet. Marrëdhëniet e shtetit ndaj mediave të pakicave kombëtare janë “letër lakmus” për përcaktimin e shkallës së demokracisë në një shoqëri. Në demokracitë, siç është kjo e jona, e cila bazohet në diktatin e shumicës, pakicat dhe kritikët janë në situatë të vështirë. Atyre u lejohet çdo gjë, por si njerëz të margjinës të cilët më kot murmërojnë diçka në turmën e cila çirret.
Koha javore: Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohet sot gazetaria në Mal të Zi?
M. Canka: Huxley e ka kuptuar me kohë mënçurinë e propagandës: nuk është gënjeshtra efikase, por heshtja e së vërtetës. Ndërsa edhe më efikase sesa heshtja është njoftimi i së vërtetës në një mënyrë të parëndësishme në kuadër të informacioneve të dorës së dytë të cilët janë të fryrë deri në qiell.
Për këtë arsye nuk është e rastësishme që ne sot në Mal të Zi kemi aq shumë media (dhe ballina të tilla) përmes të cilave, nga njëra anë, mundohet të plotësohet kjo zbrazëtirë te ne dhe rreth nesh dhe, nga ana tjetër, të ruhet rendi ekzistues.
Pra, është krijuar sistemi në të cilin gazetarët, me dëshirë apo pa dëshirë, nuk ka rëndësi, marrin pjesë. Nëse flisni me ta do tzu thonë se kurrë nuk ka qenë kështu. Njerëzit janë të frikësuar, të stresuar nga situata e keqe materiale, duhet të punojnë jashtë orarit të rregullt të punës apo ndonjë punë tjetër shtesë. Por edhe ata janë vetëm njerëz, nuk janë supermenë.
Gazetarisë në këtë vend i mungon më së tepërmi njohuria, profesionalizmi dhe solidariteti esnaf. Sikur të ekzistonin këto, çdo gjë do të ishte shumë, shumë më mirë.
Koha javore: Duke qenë se punoni edhe për media të huaja, më intereson të di se cili është dallimi të punosh për një medie të huaj dhe një medie vendore?
M. Canka: Falë Zotit, unë kam pasur fatin që prej dhjetë vjetëve të punoj për mediat gjermane gjë që më ka ofruar hapësirë të mjaftueshme për pavarësi në çdo aspekt. Përveç, natyrisht, pavarësisë nga e vërteta. Mund tzju them se kam arritur sukses vetëm për shkak se u jam përmbajtur parimeve të profesionalizmit. Nuk iu mbajnë atje për shkak të syve të bukur, por duhet ta meritoni këtë. Dhe praktikisht, për çdo ditë duhet të dëshmoheni. Në mediat vendore mund të jeni shumë më të relaksuar.
Koha javore: Ju jeni ndër gazetarët e pakët shqiptarë që shkruani apo punoni kryesisht në gjuhën malazeze dhe për mediat joshqipe. Cila është arsyeja?
M. Canka: Arsyeja kryesore është sepse unë të gjithë shkollimin e kam kryer në gjuhën joamtare. Natyrisht që si shqiptar mendoj dhe flas shqip.
Koha javore: Duke lexuar analizat dhe komentet Tuaja, vërehet një lloj syri kritik, një lloj sensi kritik i shikimit të gjërave, sidomos ndaj pushtetit. Pse?
M. Canka: Mendoj se kjo më mveshet mua sepse në trevën ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi ka shumë pak njerëz, madje edhe intelektualë, të cilët mendojnë në mënyrë kritike për gjendjen në shoqëri. Pushtetin e kritikoj sepse ai e ka përgjegjësinë më të madhe për këtë gjendje, ndërsa të gjithë thonë se ajo nuk është e mirë. Intelektuali është, sipas definicionit, kundër regjimit, madje edhe sikur ai të jetë më i miri. Për shkak se gjithmonë mund të jetë më mirë. Ky është thjesht detyrimi i tij. Ai dëshmon, flet, tërheq vërejtjen, madje edhe lavdëron. Pra, unë vetëm mundohem që sa më mirë të kryej punën time të gazetarit të lirë, intelektualit të përgjegjshëm, qytetarit të vetëdijshëm.
Është më e lehtë, natyrisht, rruga tjetër: moskonfrontimi, tzi shkosh përshtat pushtetit, në thelb të heshtësh. A mendoni se unë nuk mund ta bëj këtë, se kjo gjë është e vështirë, se edhe unë nuk mund të jem një drejtor i vogël?! Por, unë nuk e dua këtë. Unë jetoj këtu, mendoj të qëndroj këtu, kam familjen, fëmijët i rris këtu, të gjitha varret tona janë këtu, dhe dëshiroj, që ky të jetë një vend i denjë për të jetuar të gjithë. Ulqini ka mundësi të mëdha për zhvillim të gjithanshëm. Është mëkat që këtu njerëzit në fillim të mijëvjeçarit të tretë të mos jetojnë mirë.
Prandaj ai që ka pak shpirt, zemër dhe mendje, dhe pak guxim intelektual nuk mund ta shikojë heshturazi tërë këtë parregullsi.
Koha javore: Cili është ndikimi i medias, i opinioneve dhe komenteve Tuaja në opinionin publik? Sa komunikojnë ato me opinionin?
M. Canka: Unë nuk kam iluzione. Nuk dëshiroj të ndryshoj botën: vetëm dëshmoj dhe tërheq vërejtjen. Tani, në prag të dyzetave, e di që lufta më e vështirë është me vetveten. Nuk ka luftë më të madhe dhe më të ndershme. Po ashtu e di se janë më të mirët ata njerëz që janë më të dobishmit për komunitetin.
Unë e ndiej këtë ambient, e di se në çfarë mënyre mendojnë njerëzit, çfarë ndiejnë shpirtrat e tyre. Dhe nuk ka ndryshime në botë derisa të mos ndodhin ndryshime në shpirtrat e njerëzve.
Ndoshta për shkak se rrëfimi im është i fokusuar nga shtresat më të thella të vetëdijes, kam edhe sukses. Nganjëherë edhe vetë çuditem se sa shumë njerëzit i shohin dhe i dëgjojnë ato. Kështu të paktën më thonë. Nuk kam arsye që mos tzju besoj. Unë nuk kërkoj asgjë nga ata: nuk dua pushtet, funksione, privilegje. Vetëm që të jenë të vetëdijshëm dhe të sigurt se çdo gjë mund të jetë më mirë dhe më bukur.
Koha javore: A po e luan media në Mal të Zi rolin e saj në shoqëri dhe nëse po, sa po e luan këtë rol?
M. Canka: Shpesh e citoj B. Franklinin: “Ata që ndërmjet lirisë së vërtetë dhe sigurisë kanë zgjedhur sigurinë, nuk e meritojnë as lirinë, as sigurinë”. Duke qenë se siguria është zgjedhja e shumicës së mediave dhe gazetarëve, atëherë është e qartë se ata nuk mund ta kryejnë mirë rolin e tyre themelor: të dëshmojnë, të thonë të vërtetën, të zgjerojnë hapësirën e lirisë.
Kemi vetëm disa media që e bëjnë këtë. Për këtë arsye edhe rëndësia e tyre është aq e madhe, ndonëse tirazhi dhe shikueshmëria nuk është e madhe. Drita gjithmonë e mund errësirën ose, hajde të mos jem edhe aq shumë kritik, të murrmen.
Koha javore: A ka evoluar dhe nëse po, si dhe sa ka evoluar gazetaria në Mal të Zi gjatë dy dekadave të fundit?
M. Canka: Përpos faktit se kemi rënie të përdorimit të gjuhës së urrejtjes në krahasim me fillimin e viteve z90, në përgjithësi shumë pak ka ndryshuar për të mirë. Krahas gjendjes së përgjithshme në shoqëri, fajin për këtë, natyrisht, e mbajnë edhe gazetarët. E kanë pasur rastin, por nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë. Numri më i madh ka pranuar të jetë i korruptuar nga privilegjet e imëta, apo me politikanët ka nënshkruar “paktin e mossulmit”.
Se urrejtja dhe mosbesimi, sidomos ndaj shqiptarëve, nuk është shmangur ende e kemi mësuar nga të dhënat mbi distancën etnike: madje 48 për qind të qytetarëve të Malit të Zi do tzi dëbonin shqiptarët nga ky vend!?
Për këtë arsye nuk çudit fakti se pse një ditë pas marrjes së vendimit të Qeverisë së kryeministrit Millo Gjukanoviq për njohjen e pavarësisë së Kosovës në një gazetë ditore ka qenë i shkruar në tri radhë titulli: “Kriminelëve ua kanë njohur shtetin”.
Ndaj diçkaje të tillë në vitin 1991 me siguri dikush do të kishte reaguar. Ndërsa sot askush. As Prokurori shtetëror, komitetet e Helsinkit, as dy mijë e kusur organizatash joqeveritare.
Viteve të fundit nga Ulqini në mediat malazeze zakonisht kemi skandale, afera, dyluftime deshësh. Si të mos mendojnë atëherë njerëzit që kurrë nuk kanë qenë në Ulqin, e të tillë janë madje 90 për qind, se këtu, në qytetin më të bukur në Adriatik, jetojnë, kryesisht, kriminelë dhe “indianë”?! Dhe si të mos jeni atëherë të zhgënjyer nga profesioni i vet! Pse të çuditeni që pikëpyetjet janë shndërruar në pikëçuditëse!
Koha javore: Së shpejti pritet të dalë nga shtypi libri Juaj me komente, opinione dhe analiza, të publikuara në media të ndryshme. Si lindi ideja dhe cili është qëllimi për botimin e tij?
M. Canka: Shpresoj që libri “QYTETI – komente”, në gjuhën shqipe dhe malazeze, do të gjendet në duart e lexuesve në fund të muajit nëntor. Kanë qenë pikërisht disa njerëz të dashur që me vite e përcjellin punën time ata që më kanë sugjeruar që të bëj përzgjedhjen e komenteve dhe ato tzi botoj në formën e librit. Pas një luhatjeje të gjatë, i kam dëgjuar. Sepse, ajo që nuk mbetet në libër, gazetë, CD, ekranin filmik, e fshin era e harresës.
Fjalën përfundimtare do ta japin qytetarët, kritika dhe koha. Unë i falënderoj të gjithë ata të cilët, në çfarëdo mënyre, kanë kontribuar që libri të botohet.
Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image