Ministri Beqiri priti shkrimtarin malazias Jevrem Bërkoviq

November 3, 2008   | Kulturë / Kultura

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, z. Valton Beqiri, priti shkrimtarin e shquar malazias, z. Jevrem Bërkoviq, i cili këto ditë po merr pjesë në Takimet Poetike Ndërkombëtare “Kepi i Shpresës së Mirë –Fahredin Gunga”, në Mitrovicë. Në këtë pritje, që iu bë njeriut të shquar të letrave dhe njërit nga përkrahësit e fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, u bisedua rreth problemeve aktuale në fushën e kulturës dhe, veçmas, për nevojën e bashkëpunimit dhe të komunikimit ndërkulturor midis Kosovës dhe Malit të Zi.
Ministri Beqiri e njoftoi mysafirin rreth gjendjes së kulturës në Kosovë, me theks të veçantë për problemet e trashëgimisë kulturore, duke u ndalur sidomos në përpjekjet për kthimin e eksponateve etnologjike dhe arkeologjike, të cilat regjimi i Beogradit i ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ndërkaq, z. Bërkoviq, duke shprehur kënaqësinë e të qenit mysafir në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, theksoi se për kthimin e këtyre eksponateve duhet të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat e institucioneve ndërkombëtare. Kosova, theksoi z. Bërkoviq, si një vend i pasur me mbetje arkeologjike, duhet ta dëshmojë kontinuitetin e saj iliro-dardan dhe të shtetësisë së saj që nga antikiteti, sepse, siç tha ai, shteti i  Kosovës nuk ekziston vetëm në dy vitet e fundit,  por ai ka një histori të gjatë nëpër shekuj.
Ministri Beqiri dhe shkrimtari Bërkoviq shtruan nevojën e një komunikimi institucional midis dy ministrive të kulturës në Kosovë dhe në Mal të Zi, në mënyrë që përvojat e ndërsjella të ndihmojnë në zhvillimin e gjithanshëm të kulturës dhe të komunikimit ndërkulturor midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Mali të Zi.
Burimi / mkrs-ks.org