Përfaqësuesi i UDSH-së në Selanik

November 3, 2008   | Shtypi / Mediji

Tubim ndërkombëtar për proceset rajonale
Me ftesë të Projektit për Marrëdhënie Etnike, kryetari i UDSH-së, z. Ferhat Dinosha, ka qëndruar fundjavën e shkuar në Selanik të Greqisë, ku është mbajtur një tubim ndërkombëtar, me dy sesione: 1. Vendet e Rajonit dhe integrimet evropiane e euroatlantike dhe 2. Roli i lidershipit rajonal në këto procese.
Në tubim morën pjesë politikanë të spikatur nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe BeH.
Fakti se nga partitë shqiptare në Mal të Zi ishte ftuar vetëm z. Dinosha flet se UDSH-ja vazhdon të jetë subjekt relevant politik, jo vetëm në ngjarjet e brendshme, por edhe në ato rajonale. Deri më tash janë mbajtur 11 konferenca me tema aktuale nga rajoni dhe kryetari i UDSH-së ka marrë pjesë në të gjitha këto, gjë që dëshmon se pikëpamjet e tij që dalin nga programi i partisë më të fortë shqiptare zgjojnë kërshërinë e subjekteve relevante ndërkombëtare që përciellin proceset demokratike në Ballkanin Perëndimor. Në tubimin e Selanikut, veç kontributit dhënë temave të lartpërmendura, z. Dinosha ka këmbyer mendime me politikanët e pranishëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia për rrjedhat në politikat shqiptare, sidomos pas njohjes së Kosovës së pavarur nga ana e Malit të Zi dhe të Maqedonisë.
Koha Javore