Vështrim mbi vëllimin me tregime për fëmijë nga Ibrahim Berjashi

November 3, 2008 by Ulqini  
Filed under Kulturë / Kultura

Një liqen me shumë thesare
Berjashi, përveç se shkruan për gjëra interesante, që ngacmojnë kureshtjen dhe nxisin fantazinë e fëmijëve, tregon edhe mjeshtri shkrimi. Leksiku i tij është i kapshëm për lexuesit e vegjël, gjuha e rrëfimit është e thjeshtë, spontane dhe e qartë, fjalitë nuk janë tepër të gjata, personazhet janë të individualizuar mirë - me pak fjalë… Ai këtu del një prozator i mirë.
Se gazetaria dhe letërsia mund të shkojnë bashkë, këtë e dëshmon edhe Ibrahim Berjashi. Ai shkruan për të rritur dhe fëmijë dhe është ndër krijuesit e njohur të letërsisë shqipe në Mal të Zi.
Vëllimi me tregime “Floçka e liqenit” ka gjithsej tridhjetë tregime, të ndara në katër pjesë (cikle).
Të shkruash për fëmijë do të thotë të kultivosh një formë të të shkruarit që përveç veçorive standarde artistiko-letrare nënkupton edhe disa specifika që e veçojnë nga letërsia për të rriturit.
Interpretimi që merr parasysh disa nga kërkesat kryesore të letërsisë për fëmijë (dhënien e disa informacioneve/njohurive të reja, pastaj funksioni argëtues, edukativ dhe estetik) mzu duk i përshtatshëm për tzi bërë një analizë të qëndrueshme “anatomisë” letrare-artistike të këtij libri.
Pjesa dërrmuese e tregimeve të Berjashit zhvillohen në liqen, apo në brigjet e tij, por disa edhe në Ulqin, gjegjësisht në (breg)det. Lexuesi i ri në këto tregime p.sh. mund të mësojë disa fjalë nga leksiku i peshkatarëve (objektet lundruese dhe pjesët e tyre: suli, lundra, motoskafi, anija, popja, kiçi, kuverta, rremat, spiranca, grepi, fuzhnja, njica, tratka etj., pastaj disa emra peshqish: krapi, sardelja, gjumëca, por edhe shpezësh e kafshësh: pulëbardha, rosaku, albatrosi, madje edhe kali, dhelpra dhe ujku paraqiten krahas tyre, e gjithashtu edhe emra (vendesh) karakteristikë për viset buzë ujërave: vau, gjiri, ishulli, liqeni, deti, mandej këneta, kallmishta, bollujca, llopufi, shelgjishta…). Këto fjalë jo vetëm se e pasurojnë fjalorin e fëmijëve, por si rrjedhojë edhe i zgjerojnë njohuritë e tyre.
Një tjetër kontribut i këtyre tregimeve është se në disa prej tyre kryepersonazhet, që janë më së shpeshti dy fëmijët simpatikë - Jani dhe Fani, ndërmarrin ekspedita të vogla hulumtuese, siç ndodh për shembull në tregimin “Kali i drunjtë”. Aventurierët e rinj p.sh. zbulojnë një anije të mbytur dhe madje nxjerrin në sipërfaqe edhe amfora me vlerë. Në këtë mënyrë, autori duke shkruar për liqenin dhe thesaret e fshehura në të, njëkohësisht ngjall dashuri dhe respekt për liqenin, por ngacmon edhe kureshtjen e fëmijëve që te ndonjëri mund të ndezë dritën jeshile për të marrë rrugën e studiuesit të ardhshëm të arkeologjisë apo historisë.
(”- Kjo anije është e vjetër dy mijë vjet, - filloi Petriti. - Këtu për rreth liqenit jetonin labeatët. Ata bënin tregti me liburnët, të cilët njiheshin si mjeshtër të zotë për ndërtimin e anijeve. E kishin traditë që në kiç të gdhendnin ndonjë totem - kokë ujku, gjarpër…” - “Kali i drunjtë”)
Personazhi i Floçkës, që i jep emrin librit, është huazuar me sukses nga folklori kombëtar, por në tregimin “Floçka e liqenit” autori krijon një rrëfim origjinal në fillim aq të bukur (”Dy të rinjtë dashurinë e palosën në shami prej dielli edhe e futën në vazot më të thella të zemrës.”), por në fund edhe aq pikëllues, sepse Iliri është larguar në det kurse Floçka, nusja e tij me dy fëmijë e pret e dëshpëruar. (”Mbase një ditë do të kthehet Iliri, - foli Floçka duke kujtuar me aq mall ditët kur ia dhuroi krejt çka fshihte në shpirtin e saj të trazuar. E shtrirë në kullë, me një sy mundohej të flejë, kurse me tjetrin sodiste liqenin në sfond. Pos ndonjë pulëbardhe që ka humbur rrugën, në Vaun e Arbneshit tash sa kohë nuk dëgjohet askush.)
Sikur ta lexoja si një rrëfim alegorik, fare lehtë Floçkën do ta merrja si një simbol për vetë liqenin e Shkodrës (çzmë bie ndërmend Rozafa!?) që me shumë mallë pret kthimin e “ilirëve” të vet.
Tregimi është shumë i bukur, megjithëse doza e dhimbjes mund të jetë tepër e fortë për fëmijë.
Humori është shumë i rëndësishëm në letërsinë për fëmijë. Këtë e di mirë edhe I. Berjashi, prandaj në tregimet e tij lexuesi takon mjaft skena me vlera të mirëfillta argëtuese e humoristike. Vetë Jani, njëri nga dy kryeprotagonistët e shumicës së tregimeve, që paraqitet edhe si narrator (rrëfimtar) në vetën e parë, rregullisht gjendet në situata komike, si p.sh. kur në tregimin “Frika” e ngatërron macen me ujkun, apo kur në tregimin “Kali i drunjtë”, së pari hijen e anijes së mbytur nën ujë e shikon si një hije fantazmë, e pastaj edhe koka e kalit në kiçin e anijes i ngjason me një gjarpër laraman. Prandaj ai edhe mban nofkën Jan frikacaku, të cilën nuk e do, por që shpesh e mishëron.
Humori i Berjashit është i realizuar mirë, kryesisht i natyrshëm dhe besoj i përshtatshëm për psikologjinë e fëmijëve. Ky gjykim vlen për të gjitha tregimet e këtij vëllimi, veç jo për “Kuleta me bisht”, që është hartuar mirë stilistikisht, por si ngjarje nuk është një gjetje e papritur, prandaj duke qenë një truk aq i njohur nga përvoja jonë e përditshme, mund të kritikohet për mungesë origjinaliteti.
Ndërkaq, një tregim që më ka pëlqyer mjaft në këtë kënd vrojtimi është “Peshku”. Edhe tregimi “Bima e kripës”, veç tjerash, përmban vlera të konsiderueshme argëtuese.
Jam më se i bindur se falë humorit të shëndoshë e të sinqertë dhe vlerave argëtuese që ofrojnë, këto tregime do të priten mirë nga fëmijët.
Studiuesit bashkëkohorë të letërsisë për fëmijë parapëlqejnë që vlerat edukuese tzi përfillin shumë më pak se në të kaluarën. Ata mendojnë se vlerat argëtuese dhe ato estetike, por edhe ato gnoseologjike, janë shumë më të rëndësishme sesa vlerat pedagogjike, apo moralizimet didaktike.
Ibrahim Berjashi di të bëjë humor, por ai nuk e humb nga vëmendja se fëmijët janë krijesa të njoma që kanë nevojë për këshilla, për mësime dhe për edukatë. Disa nga tregimet e tij janë mjaft të realizuara në këtë segment, madje fjalitë përmbyllëse të tyre nganjëherë janë porosi të mirëfillta, moralizuese (p.sh. “Kuleta me bisht”, “Letra gjysmë e grisur”…).
Një problem në vete në teorinë dhe kritikën e letërsisë për fëmijë paraqet çështja se a duhet lejuar që veprat letrare për fëmijë të kenë përmbajtje që mund të japin mesazhe të diskutueshme (?). Tregimet “Canushi” dhe “Lulushi” vërtet janë tregime interesante dhe shumë prekëse, që kanë përfundime të bukura dhe me porosi shumë humane, por në to përmendet një personazh negativ, i paraqitur me një emër të përgjithshëm, njerka, (që i tillë haset edhe në përrallat popullore, por edhe te vëllezërit Grimm dhe te Anderseni), e që në kontekstin e jetës moderne, kur divorcet dhe martesat për të dytën, të tretën… herë janë gjithnjë e më të shpeshta, tregimet si ky mund të kontribuojnë në krijimin e paragjykimeve për njerkat moderne që në jetën e përditshme nuk është e thënë që të jenë gjithmonë dhe papërjashtimisht: shtriga zemërliga. Përndryshe, Canushi dhe Lulushi janë ndër personazhet më simpatikë të librit.
Edhe një sqarim për të shmangur keqkuptimin: vërejtjen e mësipërme duhet kuptuar si të natyrës “pedagogjike” (që sot bëhet rrallë), e jo estetike!
Berjashi, përveç se shkruan për gjëra interesante, që ngacmojnë kureshtjen dhe nxisin fantazinë e fëmijëve, tregon edhe mjeshtri shkrimi. Leksiku i tij është i kapshëm për lexuesit e vegjël, gjuha e rrëfimit është e thjeshtë, spontane dhe e qartë, fjalitë nuk janë tepër të gjata, personazhet janë të individualizuara mirë - me pak fjalë… Ai këtu del një prozator i mirë.
Arti i tij shkëlqen herë pas here, madje me shumë forcë. Ja disa përshkrime shumë të bukura: “Kur dielli nxori syrin mbi Bjeshkët e Nemuna, liqenit i ishin qetësuar valët. Dukej si një foshnje që ëndërron ëmbël në djep.” (”Lundra e humbur”) ose: “Pullazet e shtëpive fishkëllonin si tel violine.” (Shkundëtari), apo: “Sytë e saj dukeshin si ndonjë arkë magjike, e mbushur margaritarë. Kur i hapte qepallat, rrezet e diellit piknin ar mbi shuplakat e bjeshkës, gufonte e gufonte blerimi. Kur këndonte, zëri i saj tundte malet, e bilbilat në atë melodi nuk pushonin dot duke u puthur.” (”Baresha”)
Fragmente të tilla, të qëndisura me shprehje të pasura dhe stilistikisht të bukura, të cilat gjithsesi edhe e “edukojnë” shijen estetike të lexuesit të ri, gjenden pothuaj në të gjitha tregimet e këtij libri.
Pas këtij vështrimi, ndoshta edhe tepër “akademik” e cikërrimtar kur kihet parasysh sa rrallë botohen libra të tillë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, do të ishte e padrejtë sikur Ibrahim Berjashi të mos përgëzohej për liqenin e mrekullueshëm me thesaret e tij të fshehta që ua zbulon fëmijëve. Jam më se i sigurt se “Floçkën e liqenit” do ta lexojnë me ëndje jo vetëm fëmijët në Mal të Zi, por edhe në trevat e tjera ku lexohet shqip. Natyra e këtyre tregimeve është e tillë sa që mendoj se sikur të përktheheshin në ndonjë gjuhë të huaj, do të priteshin gjithashtu mirë.
Anton Gojçaj
Koha Javore

Comments

Tell us what you're thinking...
and oh, if you want a pic to show with your comment, go get a gravatar!