Flamuri shqiptar, mollë sherri në sport

November 7, 2008   | Sporti / Sport

Një ngjarje sportive nxit nevojën e ndryshimit të ligjit mbi përdorimin e simboleve nacionale
Një ngjarje sportive e javës së kaluar në Ulqin dëshmoi edhe një herë mangësitë e Ligjit mbi përdorimin e simboleve nacionale dhe nevojën për plotësimin dhe ndryshimin e tij.
Për shkak të flamurit shqiptar të vendosur në murin e sallës së Shkollës Fillore “Mareshali Tito”, KFV “Teuta” e humbi ndeshjen ndaj KFV “Nikshiq – Balestra”.
Federata e Futbollit e Malit të Zi kishte kërkuar nga drejtuesit e KFV “Teuta” që të mënjanojë flamurin shqiptar nga muri i sallës para zhvillimit të ndeshjes.
Në një shkresë dërguar KFV “Teuta”, FFMZ thekson se “nga procesverbali i delegatit tonë nga ndeshja e javës së dytë të Ligës së Parë të Futbollit të Vogël të Malit të Zi të cilën e ka organizuar klubi Juaj me KFV “Kollashin” jemi njoftuar se në sallën në të cilën keni zhvilluar ndeshjen e lartpërmendur ka qenë i vendosur flamuri i shtetit të huaj (Shqipërisë).”
“Duke qenë se me dispozitat tona (Rregullorja mbi garat futbollistike të FFMZ-së) në garat sportive është e ndaluar vendosja e flamujve të shteteve të huaja, kjo Ju obligon që në ndeshjen e ardhshme të javës së katërt kur jeni mikpritës i KFV “Nikshiq – Balestra” të mënjanoni flamurin e shtetit të huaj. Në të kundërt ndeshja nuk do të zhvillohet dhe ajo do të regjistrohet me rezultatin zyrtar 3:0 në favor të ekipit kundërshtar,” thuhet në shkresën e dërguar nga kryetari i Komisionit për gara i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Bozhidar Miqunoviq.
“Teuta” pranon humbjen, por jo “turpin”
Përkundër kësaj shkrese, KFV “Teuta” nuk ka pranuar ta mënjanojë flamurin e vendosur në murin e sallës me arsyetimin se ata nuk e kanë vendosur atë, por këtë e ka bërë dikush tjetër.
“Të mërkurën më ka telefonuar Bozhidar Miqunoviq, komesar për gara i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, dhe më ka thënë se është në dijeni nga delegati Momo Saveliq që në sallën ku luhen ndeshjet është i vendosur flamuri i shtetit të huaj e që sipas Rregullores së garave të futbollit është e ndaluar. Unë i jam përgjigjur se kjo është e vërtetë, por ai flamur është simbol i shqiptarëve në Mal të Zi dhe është i vendosur në anën e majtë të flamurit të shtetit të Malit të Zi, kurse në anën e tij të majtë është i vendosur edhe flamuri i Klubit të Basketbollit “Ulqini”. Atë flamur nuk e kemi vendosur ne dhe të njëjtin klubi ynë nuk e largon. Nëse duhet ta largojë dikush, duhet ta largojë ai që e ka vendosur”, thotë Reshit Llolla, kryetar në dorëheqje i Këshillit Drejtues të KFV “Teuta”.
Edhe kryesia e KFV “Teuta” ka marrë vendim që mos ta mënjanojë flamurin edhe me çmimin e humbjes së ndeshjes.
“Kryesia e Klubit është mbledhur dhe e ka diskutuar këtë çështje. Pas konsultimeve me organet kompetente është marrë vendim unanim që flamurin ta heqë ai që e ka vendosur, por kurrsesi KFV “Teuta”, thotë Llolla.
Ligji dhe flamuri shqiptar
Përdorimi i simboleve nacionale, në rastin konkret i flamurit shqiptar, është i sanksionuar me Ligjin mbi përdorimin e simboleve nacionale, të miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi në vitin 2000.
Me përjashtim të UDSH-së, Ligji në fjalë është kritikuar që në kohën e nxjerrjes së tij nga LD në MZ, e më pas edhe nga partitë e tjera shqiptare dhe shumë ekspertë të së drejtës, me arsyetimin se ai ka më tepër karakter restriktiv sesa liberal.
Rastin në fjalë e rregullon pika 3 e nenit 4 të këtij ligji ku thuhet se “ndalohet përdorimi, respektivisht vendosja e simboleve nacionale me rastin e festimeve, solemniteteve, manifestimeve sportive, kulturore dhe manifestimeve të tjera në organizim të Republikës apo organeve të qeverisjes lokale”.
“Në rastin konkret organizator është Republika, prandaj bazuar në Ligjin mbi përdorimin e simboleve nacionale ndalohet përdorimi i tij”, sqaron avokati Loro Markiqi.
Standardet e dyfishta
Përdorimi i flamurit shqiptar në garat sportive u bë problem publik për herë të parë me rastin e mbajtjes së Kupës së Malit të Zi në basketboll në Ulqin, të parës pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi.
Ishte gazeta sportive e asaj kohe “Start” e cila kishte shtruar çështjen se pse në këtë garë në mur ishte i vendosur edhe flamuri shqiptar.
Por Federata e Basketbollit të Malit të Zi nuk ka reaguar asnjëherë lidhur me këtë ngjarje.
Që nga ajo kohë në sallën e Shkollës Fillore “Mareshali Tito” janë zhvilluar shumë ndeshje në sporte të ndryshme ku organizator ka qenë Republika apo qeverisja lokale e ku asnjëherë nuk është bërë problem flamuri shqiptar.
Madje edhe një natë më pas, në të njëjtën sallë është luajtur ndeshja e basketbollit ndërmjet KB “Ulqini”-t dhe KB “Jedinstvo”-s dhe zyrtarët e Federatës së Basketbollit të Malit të Zi nuk kanë reaguar.
“Ne e respektojmë Ligjin, por nuk duam që të përdoren dy standarde, por në këtë mënyrë të veprohet edhe në vende të tjera në Mal të Zi ku kemi raste që kemi jo vetëm flamuj zyrtarë të huaj, por edhe flamuj ofendues të partive dhe lëvizjeve të ndryshme ideologjike”, shprehet Reshit Llolla, kryetar në dorëheqje i KD të KFV “Teuta”, duke përmendur në radhë të parë rastin e ndeshjes së vitit të kaluar në Kollashin ndaj ekipit vendas me ç`rast FFMZ, sipas tij, nuk ka reaguar e as shqiptuar kurrfarë dënimi ndaj ekipit vendas.
Në pyetjen se pse nuk është reaguar më parë duke qenë se në të njëjtën sallë edhe më parë janë luajtur ndeshje futbolli nga KFV “Teuta” e ku ka qëndruar flamuri shqiptar, komesari për gara i FFMZ-së, Bozhidar Miqunoviq, thotë se “vitin e kaluar nuk kemi qenë të njoftuar dhe nuk e kemi ditur se ky flamur ekziston aty”.
“Këtë vit sapo jemi njoftuar ia kemi tërhequr vërejtjen Klubit se nuk ka të drejtë të përdorimit të flamurit të shtetit të huaj”, thotë ai.
Ndërsa sa i përket faktit se në të njëjtën sallë vetëm një natë më pas është zhvilluar ndeshja e basketbollit ndërmjet “Ulqin”-it dhe “Jedinstvo”-s e vlefshme për Ligën e Parë, Miqunoviq thotë se “nuk më interesojnë federaratat e tjera dhe nuk jam meritor të marr vendime në lidhje me to”.
Komesari për gara hedh poshtë deklaratat lidhur me ndeshjen e vitit të kaluar në Kollashin.
“Në ndeshjen për të cilën flisni janë thënë parulla, por jo edhe vendosur flamujt e vendeve të huaja”, thotë Miqunoviq.
Problemin e zbatimit të standardeve të dyfishta kur kemi të bëjmë me Ligjin mbi përdorimin e simboleve nacionale e potencon edhe avokati Loro Markiqi.
“Federata e Futbollit herë e zbaton Ligjin, herë jo. Kur Ligji aplikohet në mënyrë restriktive, kjo rregullisht ndodh në rastet kur ka të bëjë me shqiptarët. Këtë e them sepse në praktikë nuk ka ndeshje sportive që organizohet në Mal të Zi e ku të mos shfaqet flamuri i Serbisë. Por asnjë ndeshje deri tani nuk është anuluar dhe regjistruar me rezultatin 3:0”, thotë Markiqi.
Askush nuk don ta heqë flamurin
Përkundër shkresës së FFMZ-së, flamurin shqiptar të vendosur në sallën e Shkollës Fillore “Mareshali Tito” nuk pranon ta mënjanojë askush.
Drejtuesit e KFV “Teuta” kanë thënë se ata nuk do ta heqin flamurin, por këtë le ta bëjnë ata që e kanë vendosur.

Drejtor i Shkollës Fillore Mareshali Tito Martin Zadrima

Drejtor i Shkollës Fillore "Mareshali Tito" Martin Zadrima

Në fakt, flamuri është vendosur nga Klubi i Basketbollit “Ulqini” në të njëjtin vend së bashku me flamurin e Malit të Zi dhe flamurin e KB “Ulqini”.Martin Zadrima, drejtor i Shkollës Fillore “Mareshali Tito” në kuadër të së cilës funksionon salla, thotë se kjo shkollë nuk ka të bëjë asgjë me garat e ndryshme sportive që organizohen në këtë sallë pasi që e jep atë me qira.
“Ne as nuk e kemi vendosur flamurin dhe as nuk na pengon”, thotë Zadrima.

Domosdoshmëria e ndryshimit të Ligjit

Rasti në ndeshjen e futbollit ka nxjerrë edhe një herë në pah domosdoshmërinë e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit mbi përdorimin e simboleve nacionale.
“Shpresoj që përfaqësuesit tanë këtë rast ta shfrytëzojnë për ndryshimin – përmirësimin e Ligjit ku ta parashikojnë liberalizimin e përdorimit të simboleve kombëtare për çfarë edhe kanë dhënë premtime me rastin e aprovimit të Ligjit ekzistues”, thotë avokati Loro Markiqi.
Lidhur me këtë ngjarje nuk ka reaguar as Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe as partitë shqiptare.
I. Kallaba
Koha Javore