Andy Dj: Si u riktheva me Julkën pas grindjeve të forta

November 9, 2008   | Lajmet / Vijesti

Andy Dj rrëfen jetën e veçantë që bën si Dj mes muzikës, pagjumësisë, internetit dhe alkoolit. Por dhe se si ia ka dalë bashkë me Julkën, që t’i kapërcejnë krizat e lidhjes së tyre të hershme.

Andy DJ, me çfarë jeni duke u marrë tani?

Me shumë punë në fakt. Aktualisht jam drejtor i grafikës dhe audios në Tv Klan, drejtor artistik në Radio Nrg, dhe Dj/ Producer. Kam bërë një pauzë të gjatë në drejtimin muzikor, e jo pa qëllim dhe tani kam rifilluar në një lloj mënyre të rimarr ritmin. Kam shumë projekte në dorë, që kanë lidhje kryesisht me pjesën e Dj/Producer.

Diçka më konkrete përsa i përket muzikës?

Sapo prezantova në Itali single in më të fundit pranë shtëpisë diskografike “Do It Yourself”. Nuk kam vendosur akoma për titullin por një nga variantet, që na pëlqen është “Synthetic”. Firmosa kontratën paraprake dhe duhet të përfundoj variantin final përpara fundit të këtij viti.

Cilët janë këngëtarët me të cilët ju punoni?

Me shumë këngëtarë dhe bashkëpunimi ka qenë gjithmonë një kënaqësi e madhe. Përveç Julkës, kam punuar me Florin, Elvana Gjatën, Jonida Maliqin, Mariza Ikonomin, Orinda Hutën etj… Kam punuar dhe me disa remixe të ndryshëm. Së fundmi po punoj sërish me Julkën mbi disa projekte të reja, dhe Emmy e Mariza Ikonomin me të cilën mund të kem një projekt të afërt.

Flori Mumajesi ka qenë një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët tuaj. Vazhdon miqësia ende?

Marrëdhënia me Florin ka qenë gjithmonë e bazuar thjesht në formën e bashkëpunimit profesional, edhe pse si e tillë ka nisur. Kemi punuar bashkë në shumë projekte por mbi të gjitha, është një mik shumë i mirë dhe vazhdojmë të kemi marrëdhënie shumë të mira edhe pse shihemi më pak. Nuk di si do të jetë në të ardhmen, por mund të të them, që nuk kemi asnjë lloj konflikti dhe që pavarësisht se si mund të zhvillohet marrëdhënia profesionale për mua mbetet një mik shumë i mirë, një producer shumë i zoti, edhe pse puna e tij flet vetë.

Dikur keni bërë një emision së bashku me Florin, Sony NRG dhe Ardit Roshin, ku ju shfaqeshit si djem karagjozë. Keni plan t’i riktheheni një emisioni të tillë?

Eshtë një emision me të cilin jemi kënaqur pa fund, por mendojmë që ç’do gjë ka një cikël, dhe vendosim për një pauz.Kemi ide për të risjellë një program të tillë, por është pak e vështirë me faktorin kohë. Personalisht kam plane, duhet vetëm qartësuar, kur dhe si.

Sa fitoni nga muzika që krijoni, dhe çfarë është në të vërtetë muzika që ju bëni?

Në Shqipëri, me muzikën mund të fitohet shumë. Unë le të themi nuk jam nga ata, që kanë prodhimin e muzikës burimin kryesor të të ardhurave. Midis një zgjedhjeje ku të prodhosh çdo gjë që të kërkohet dhe të fitosh para duke bërë muzikë, dhe të bërit muzikën që ti mendon qe duhet të bësh pasi seleksionimi do të thotë para që nuk fiton, unë zgjodha të dytën.

Por ju njiheni si Andy Dj, cila është jeta e një DJ-i në Tiranë?

Jeta e një DJ? Le te themi që Shqipëria nuk ofron shumë, duke krahasuar me atë ç’ka në botë sinjifikon të qënit DJ, edhe pse kohët e fundit në Tiranë janë hapur Club-e, që më në fund mund të quhen të tillë (si Lollipop :))etj. Por ne si “specie” gjejmë shumë kënaqësi gjithsesi në atë që bëjmë. Kalojmë shumë kohë me muzikë, me internet, me pagjumësi, me kufje në vesh, me alkool ….(qesh) Gjithmonë në kërkim të diçkaje të veçantë.

Muzika në modë e momentit?

Me lumturinë më të madhe, mund të them absolutisht “House”.

Pse lumturinë më të madhe? Ç’do të thotë “house” për ju?

Mendoj që është një nga rrymat kryesore në muzikën moderne. Eshtë një rrymë që ka shumë degëzime, që do të thotë shumë variacione automatikisht shumë mundësi për të kapur një target të gjerë, të të gjitha moshave. Mund të fillosh me soulfulhouse, më pas me funkyhouse, më pas me pak elektro house, ecën akoma më pak elektrohouse and minimal, dhe me pas me progresive house dhe në orët e para të mëngjesit me pak deep house Me pak fjalë, të jep mundësinë të krijosh një lidhje “One Night Stand me publikun”.

Cilat janë disa pasione jashtë muzikës?

Grafika dhe futbolli.

Kur punoni dhe mix-oni?

Ditën për radion, natën për Club.

Si do të mund ta përshkruanit muzikën elektronike?

Stimuluese, mënyrë të të shprehurit, mundësi për të çliruar adrenalinë.

Jeni djalë i matur, apo impulsiv?

Te kjo pikë më pëlqen të bëj akoma DJ. Miksoj rastin. Ndodh kur mendohem shumë për të marrë një vendim dhe ka raste kur nuk e mendoj aspak. Jam tip, që besoj shume tek ndjesia personale dhe duhet të pranoj gjithsesi, që shumica e vendimeve të mia bazohen në ndjesinë e parë.

Për çfarë i shpenzoni paratë?

Telefona celularë, muzikë, lap-tope… 99 për qind teknollogji.

Lidhja juaj me Julkën, keni bërë plane për martesë?

Mmmm. Plane… Nuk kemi ndonje plan…mbase dhe nga fakti që nuk di se çfarë do të ndryshonte në lidhjen tonë martesa. Mbase një ditë po, por nuk kemi asnjë plan specifik në lidhje me këtë fakt.

Është një nga lidhjet më të gjata mes artistësh, pse ka zgjatur ?

E bukura është që nëpër shkrime të ndryshme ne na kanë bërë të ndarë, të bashkuar sërish, të ndarë prapë (qesh). Sekreti i vërtetë sipas mendimit tim është, që kemi mësuar të respektojmë shumë njëri-tjetrin. Për të qenë më i qartë në Shqipëri një lidhje në shumicën e rasteve bëhet shumë posesive.

E tipit?

E tipit ku je, pse, me kë, po pse nuk me the, po ç’ne kjo nga ana e femrave. Nga meshkujt ka pyetje posesive të tipit; ku ishe, kush është ai, pse u vonove, komente për veshjen, apo pse e pe ashtu (qesh).

E si e keni përballuar ju të dy?

Si shumë lidhje të tjera, edhe për ne kanë ardhur momentet kur njëri apo tjetri ndjehet i pushtuar në një lloj forme. Por me ndryshimin që në vend të një ndarjeje siç rëndom ndodh në një lidhje, ne kemi mësuar të gjejmë sërish njëritjetrin. Kemi mësuar të respektojmë hapësirat respektive, dhe të kuptojmë më mirë se çfarë mund të ndikojë për keq tek partneri respektiv. Kemi patur edhe grindje shumë të forta, por lidhja jonë ka ardhur gjithmonë në përmirësim dhe duke u bërë gjithmonë e më e fortë.

Ku mbaron liria e Andy-t, dhe ku nis e Julkës?

(Qesh)Nuk ndjehem për asnjë moment “i lidhur” në kuptimin e mirëfilltë të fjalës” dhe përpiqem të bëj gjithmonë maksimumin për të krijuar të njëjtën ndjesi tek Julka. Dashuria nuk mjafton në një lidhje, kërkon shumë forcë, mirëkuptim dhe vullnet për të vazhduar një lidhje. Ky besoj ka qenë çelësi i lidhjes sonë.

Ku do t’i kaloni festat e fundvitit?

Nuk bëjmë asnjëherë plane për festa pasi asnjëherë nuk dimë nëse do të jetë “ditë pune”, apo do zgjedhim ta marrim realisht pushim.

PanoramaPlus

YouTube Preview Image