Juna e Big Brother rikthehet tek i dashuri, Arbri

November 9, 2008   | Lajmet / Vijesti

Personazhet e “Big Brother” fituan shumë duke marrë pjesë në këtë program super të ndjekur. Ata u bënë të famshëm dhe të pëlqyer nga të gjithë, por si çdo e mirë që e ka një të keqe mbrapa, lidhjet e tyre të dashurisë u tronditën keq. Mjafton të kujtojmë ndarjet e bujshme të këtyre personazheve”: Olsit me Lusin, Polit me ish të dashurën, Visit me ish të dashurën, por edhe Junës me të dashurin.

Ndërkohë për këtë të fundit nuk është folur aq shumë. Dihej që Juna kishte patur një lidhje e cila njeh fillimet e saj gati dy vite më parë, pikërisht atëherë kur vajzës simpatike bionde i duhej një këngë për tu paraqitur tek “Top Fest “. Dhe dikush i sugjeroi si kompozitor Arbër Gjokën, djalin 23 vjeçar i cili këndon me grupin “Alb Magji” por edhe bën vetë këngë. Pikërisht kështu ka filluar lidhja e Junës me djalin nga Lezha. Kur doli nga shtëpia e “Big Brother” Junën e prisnin të gjithë të afërmit dhe miqtë e saj, përveç Arbrit i cili kishte vendosur të mos sakrifikonte imazhin e tij thjesht për të bërë show.

Hamendjet ishin nga më të ndryshmet por teza që behej më lehtë e besueshme, ishte se i dashuri i Junës mund të ishte bërë xheloz nga miqësia speciale që Olsi krijoi me Junën brenda shtëpisë. Më pas nuk mësuam më asgjë. Por ja ku vjen lajmi që Juna është ribashkuar me të dashurin e saj, madje Juna tregon se ajo dhe Arbri nuk janë ndarë asnjëherë shpirtërisht pavarësisht problemeve të vogla që u krijuan pas daljes së saj nga shtëpia.

Madje dy të rinjtë sot janë më të dashuruar se kurrë më parë dhe duket se kjo tronditje e vogël apo edhe pak kohë largësi, i ka bërë të kuptojnë se sa të rëndësishëm janë për njëri tjetrin dhe sa të pazëvendësueshëm gjithashtu. As interesimi i madh i meshkujve për Junën e bukur e cila tani është edhe e famshme, nuk e ka tunduar aspak atë. Tani ajo vazhdon studimet në Universiteitn e Kamzës për Financë ndërkohë që punon tek “Chardoney”, lokal tek blloku ku mëson të gjithë klientët të këndojnë karaoke. Ndërsa i dashuri i saj studion në Universitetin “Kristal”. Juna mendon se programi “Big Brother” i ka shërbyer për të rritur popullaritetin e saj si këngëtare, pasi ajo e ka dobësi këngën. Së shpjeti tek “Top Fest” ajo do të paraqitet me një këngë të re, mbase të kompozuar nga i dashuri i saj.

PanoramaPlus