Dinosha:Politika shqiptare dhe mesazhi amerikan

November 10, 2008   | Lajmet / Vijesti

Koha e telekomandave po skadon
Shqiptarët, si entitet i veçantë nacional në Ballkan, qysh ilirëve e këndej, nuk kanë qenë kurrë më mirë sot. Me Shqipërinë në NATO, me Kosovën shtet, me miqësinë shqiptaro-amerikane, nuk guxojmë të vëjmë pyka në rrotën e historisë që ka marrë ecje të mbarë.
Dy kanë qenë projektet në rrjedhën e deritashme të pluralizmit në Mal të Zi të cilat janë bërë mollë sherri ndërmjet partive shqiptare të këtushme, ose kanë nxjerrë në sipërfaqe edhe grupacione politike që më parë nuk u kishte shkuar mendja të jepnin ndonjë kontribut në punën e partive shqiptare.
I pari është Fakulteti i Mësuesisë (në shqip) në Podgoricë dhe projekti i dytë i Komunës Urbane të Tuzit. I pari ka hyrë në vitin e pestë kurse i dyti në të tretin. Askush nuk mund të thotë dhe nuk thotë se nuk do të kishte qenë më mirë që fakulteti të ishte në Ulqin dhe të kihej Komuna e plotë për Tuzin, por askush nuk mund të thotë se për momentin e pikërishëm dhe për kaçikun tonë këto kanë qenë projekte të dëmshme për shqiptarët. Sidomos kur dihet se ato janë prodhuar me ndërmjetësimin e faktorit amerikan dhe kur dihet se asnjërit nuk i janë mbyllur dyert edhe për zgjidhje të tjera.
Por, këto projekte, sidomos i dyti, kanë bërë që UDSH dhe autori i këtyre rreshtave si kryetar i tij, t`u nënshtroheshin sulmeve nga më të ndryshmet dhe nga më të ndryshmit.
Unë gjithë kohën kam ndjerë mirëkuptim për patriotët dhe veprimtarët e mirëfilltë dhe të sinqertë të cilët janë gjetur të zhgënjyer nga këto, duke mos qenë drejtpërsëdrejti të kyçur dhe duke mos patur tërë informacionin e duhur, por asnjëherë nuk i kam kuptuar pse aq lehtë kishin rënë viktimë të manipulimeve të patriotëve me telekomandë të cilët kishin zënë të na shiteshin shpëtimtarë të kombit.
Këtu e në diasporë, përpak na shitën patriotizëm ata që gjithë kohën kanë pasur punë të tjera, që ndjenjën më fisnike për Tiranën gjithë e kanë shitur lirë në sportelet e sigurimeve të regjimeve sllave të Beogradit a të Titogradit – Podgoricës. Duke çmuar se ishte koha, ata tash ishin riaktivizuar për të krijuar kore të brohoritjeve e për të përhapur të pavërteta të pacipta. “Ferhat Dinosha e ka shitur Malësinë. Ai punon çka punon Gjukanoviqi”. Në protestat e diasporës, ata madje ia kishin dalur të gjuanin gurin e të fshehnin dorën, të vënin mbi supet e shqiptarëve të sinqertë e nostalgjikë, por naivë e të manipuluar, pankardën e porositur: “Ferhat Dinosha – tradhëtar”. Mbi supet e shqiptarëve të sinqertë por naivë, në prag të Referendumit për pavarësinë e Malit të Zi i cili ka qenë me interes vital edhe për shqiptarët, në një tubim të forcave që sot e udhëheqin Komunën Urbane të Tuzit, ishte gjetur një pankardë tjetër, tërheqëse por simpatike, me shkronjat UÇK”. Ishte pak vonë që UÇK -ja të krijonte Komunën e pavarur të Malësisë! Ajo kishte krijuar Kosovën e pavarur. Por sot, ata të cilët kishin mbi supe UÇK-në janë në burg, kurse kanakarët e tyre politikë marrin rroga të majme në Komunën Urbane të Tuzit dhe në Parlamentin e Malit të Zi dhe na preferojnë opozitën serbe në vend të pozitës e cila para do kohe njohu pavarësinë e Kosovës.
Po i përmend këto segmente nga e kaluara e jonë e afërt politike për arsye se duhet të marrë fund sjellja e cila nuk përkon me rrjedhjen e proceseve të gjithëmbarshme demokratike për shqiptarët në Rajon.
Shqiptarët, si entitet i veçantë nacional në Ballkan, qysh ilirëve e këndej, nuk kanë qenë kurrë më mirë sot. Me Shqipërinë në NATO, me Kosovën shtet, me miqësinë shqiptaro-amerikane, nuk guxojmë të vëjmë pyka në rrotën e historisë që ka marrë ecje të mbarë. Po fillon epoka e marrëdhënieve të reja në Ballkan, në të cilin shqiptarët do të jenë faktor i pakapërcyeshëm për të prodhuar stabilitet e integrime. Nuk mund të ndodh më që shqiptarët e telekomanduar të sulmojnë vlerat tona më sublime dhe bartësit e tyre. Nuk mund të ndodhë të harrojmë se dora e telekomanduar shqiptare ka tentuar dy herë atentat mbi presidentin historik dr. Ibrahim Rugovën. Koha e telekomandave po skadon.
Për të hyrë në kohë të re na duhet dije, sinqeritet e pastërti. Na duhet vetëdije se asnjëherë nuk guxojmë të përbuzim sugjerimin amerikan, i cili na ka sjellë këtë kohë të re.
UDSH asnjëherë nuk është sjellë ndryshe. Ai kaherë ka thënë:”Ne s`do t`i biem çiftelisë pa një tel amerikan”.
UDSH dhe përfaqësuesit e tij kaherë e kanë ditur cilën këngë të gjeneratave të tashme do të sjellë teli amerikan. Ky autor nuk do të harrojë një fjalim të senatorit Xhozef Bajden në një hotel të Nju Jorkut, në darkën që, për nder të tij, e kishin organizuar Liga Shqiptro-Amerikane dhe shqiptarët e diasporës. Duhet të ketë qenë fundi i vitit 1999.
Në një moment të fjalimit të vet, senatori thotë:”Më ka ndodhur të thërras në mesnatë Presidentin Klinton dhe t`i them: “Sllobodan Millosheviqi nuk ndalet pa forcë!”
Thyhen muret e sallës ku ishin mbi një mijë shqiptarë, nga duartrokitjet e tyre. Bajden, duke ngritur njërën dorë, ndërpret duartrokitjet, me këto fjalë: “Please stop! Tash do t`ju them diçka që s`do të duartrokitni” dhe, modest ashtu siç janë njerëzit e mëdhenj, vazhdoi: “Nuk them se unë e kam bindur Presidentin për të bombarduar Serbinë, por ndoshta edhe fjala ime ka ndikuar në këtë, por, nëse ju tash, atje ku jeni në tokat e veta, më thoni se të gjithë duhet të jetoni në një shtet, unë do të sillem ndaj jush si ndaj Millosheviqit. Kjo do të jetë politika amerikane…”. E dëgjon mizën në sallë. Asnjë duartrokitje.
Po, po. Këto ishin fjalët e senatorit Bajden, i cili nesër mund të bëhet nënkryetar i Amerikës, nëse fiton taborri i demokratëve, megjithëse politika e jashtme amerikane nuk pëson ndryshime as nën udhëheqjen e republikanëve. Presidenti Bush është dëshmuar miku më i madh i shqiptarëve. Pra, këto fjalë duhet t`i mbajmë mend edhe nëse fitojnë republikanët në zgjedhjën e katër nëntorit. Ato janë mesazh amerikan.
Për çudi, disa shqiptarë, qoftë këtu qoftë në diasporë, sikur kohëve të fundit kanë dashur të na ofronin mesazhe të tjera. Duhet të ju kenë rënë edhe juve lexues të nderuar që të dëgjoni ndonjë sish duke na kujtuar se na qenka koha për tanke, meqë paskan mbetur pa u përgjakur vetëm tokat tona në Mal të Zi.
Këtë tekst po e përfundoj pasi dëgjova fjalët e kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha, gjatë pritjes në Tiranë të Kryetarit të Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu: “Shqiptarët kanë shumë arsye të jenë shumë të kënaqur”. Koha e atyre që na flasin ndryshe ka perënduar.
Ferhat Dinosha
Koha Javore