Flet për Kosovën sikur pavarësia e saj është meritë ekskluzive e Ferhatit

November 10, 2008   | Politika

T`i kthehemi halleve që na brengosin brënda. Para disa ditësh në Ulqin, një klub sportiv zyrtarisht e humbet lojen vetëm se në muret e shkollës figuronte flamuri shqiptar. Edhe kjo meritë e juaja.
Çdo ditë rrahni tupanin se ju e sollët flamurin shqiptar në Mal të Zi.
Po si u humbaska loja për flamur të cilin vetë Dinosha na e siguroi?!
Të falenderojmë edhe për këtë meritë.
Ulqinit i keni sjellur edhe merita të tjera për të cilën gjë ata duhet t`ju falendërojnë, nëse një gjë të tillë nuk e kanë bërë edhe deri më tani.
Kriporen e privatizuat me kushte shumë “të favorshme” për qytetin e Ulqinit. Aq janë kushtet e favorshme sa që pronari në një të afërme ndoshta mendon që ta mbyll kriporen e ta shesë për truall .
Dhashtë zoti që t`i nxjerrë të hollat prej 960.000 euro për sipërfaqe toke 15 milionë metra katrorë së bashku me kriporen.
Nuk do të ishte mirë që të na e shihte sherrin se u mundua i gjori të na ndihmojë së bashku me ata të cilët edhe e perkrahën dhe nuk than asnjë fjalë ndaj këtij transferi shekullor.
Çfarë do të bëni me ullishtat e Valdanosit? Ndoshta pritni ndonjë marrëveshje me sheikët arabianë që po paralajmërohen kohëve të fundit nga kreu partiak, komunal dhe shtetëror, e të bëni një transfer të ngjashëm me atë të kripores.
Çka do të bëhet me Alpet Shqiptare në Komunën e Plavës që me votën tuaj u nacionalizuan?
Do t`i zgjidhni këto çështje, ska dyshim, nëse fitoni detyrë nga lartë . Prap arsyetimi besojmë se do te jetë i njëjtë, ju kanë këshilluar Amerikanët, se ju nuk ishit për një zgjidhje të tillë. Ashtu si shkoi puna edhe me komunën e Tuzit.
Jo, jo zotëri, Amerikanët e as Kinezët nuk të detyrojnë të veprosh kundër interesave të popullit, po as kundër bindjeve politike.
Po ç`u bë me diasporën që dikur e doje shumë?
Nuk shohim më ftesa nga shqiptarët tonë drejtuar shpëtimtarit të çështjes shqiptare.
Na intereson të dimë se a ndërruat ju qëndrimet dhe u parkuat gabimisht apo ndoshta diaspora nuk është më e njëjta që ishte deri para disa viteve.
Keni edhe merita të cilat nuk duhet t`i lëmë anash. Sa i përket punësimeve keni arritur një sukses të lakmueshëm. Me urdhërin tuaj keni punësuar edhe diplomatë dhe policë. Por mjerisht nuk keni shumë njerëz të besueshëm në Malësi, andaj u detyruat që në vënde të besueshme të punësoni familjarët tuaj apo më të afërmit. Edhe kësaj i thonë politikë.
Të punësosh sot shqiptarë është patriotizëm edhe nëse në këto vende te punës e inkuadron pothuaj krejt familjen.
Kritere të ngjashme për punësim kishim vetëm në sistemet komuniste autoritare.
Mbetet të shohim se çfarë detyre do të të japin, gjegjësisht do të pranosh në të ardhmen, apo ndoshta dhashtë Zoti përsëri do t`i kthehësh folesë dhe së bashku do të punojmë për një të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve.
Deri atëherë ju këshillojmë që të merrni dhe lexoni aktakuzën ndaj vëllezërve tanë të burgosur në aksionin policor ,,Fluturimi i shqiponjës”, që sipas jush janë të burgosur nga ne e të cilët akuzohen në mes tjerash, edhe për ndihmën financiare që i paskan bërë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ju pastaj shpjegoni se kujt i takon paditësi shtetëror – politikës suaj apo tonës?
Dhe së fundi, edhe një këshillë: krahasoni tekstin e propozimit të kushtetutës me atë që kemi sot. Nëse ju nuk vëreni dallime, qytetarët shqiptarë ato i shohin. Kjo meritë me siguri se nuk ju takon juve ngase, për dallim nga të tjerët, nuk kishit asnjë amandament partiak. Kjo edhe na nxitë të besojmë dhe të punojmë si opozitë shqiptare në Mal të Zi drejt angazhimit tonë për një platformë të qartë politike të veprimit, që të gjithëve së bashku do tna çonte drejt arritjes së të drejtave tona si popull autokton në trojet e veta etnike.
Smajl-Maliq Çunmulaj
Vasel Sinishtaj
Koha Javore