Intervistë me aktorin e teatrit kombëtar të prishtinës, Selman Lokaj

November 10, 2008   | Intervista / Intervju

Pozita e aktorit në Kosovë është mjaft e palakmueshme
Selman Lokaj është njëri ndër aktorët e njohur të Teatrit Kombëtar të Prishtinës. Që nga viti 1967 ai ka filluar të luajë në skenën e këtij teatri me aktorë më të njohur të Kosovës. Përveç në teatër, ai ka luajtur edhe në filma dhe drama televizive. Numri i roleve që Lokaj ka luajtur deri më tani është mjaft i madh dhe e ka shumë vështirë tzi mbajë mend. Për zgjuarsinë dhe profesionalizmin e rrallë, regjisorët kosovarë shpesh atij edhe ia kanë besuar të luajë edhe role kryesore. Për luajtjen e shkëlqyer të roleve ai edhe është shpërblyer. Edhe pse Selman Lokaj gjendet para pensionit dhe i ka mbushur 65 vjet akoma thotë se është i fortë fizikisht dhe psikikisht dhe nëse Teatri Kombëtar e sheh si të nevojshme ai përsëri me kënaqësi do të vazhdonte që të luajë edhe ndonjë rol.
Koha javore: Z.Lokaj, të hënën në QKI “Malësia” në Tuz keni luajtur një rol mjaft interesant, i cili është mirëpritur mjaft mirë nga shikuesit. Sa ka qenë e vështirë për Ju realizimi i këtij roli?
S.Lokaj: Rolin të cilin unë e kam luajtur ka qenë mjaft i vështirë për vetë faktin se kjo shfaqje ka qenë e shkruar kryesisht në poezi. Andaj, është mjaft e vështirë ta thuash në skenë poezinë. Siç ka mund të vërehet, në këtë shfaqje nuk kemi të bëjmë vetëm me një shkrimtar, apo me një autor të tekstit, por në fakt kemi pasur të bëjmë me mendimet e shumë autorëve, të cilat është dashur tzi lidhim. Njëkohësisht, edhe për ekipin me të cilin luajtëm ka qenë mjaft e vështirë. Mirëpo, unë dhe aktorët e kësaj shfaqjeje me një disiplinë dhe punë mjaft të madhe dhe me një studim të tekstit jemi munduar që të arrijmë atë që shfaqëm para publikut të Malësisë. Me rëndësi për ne është se shfaqja në Tuz u prit shumë mirë.
Koha javore: Kur keni filluar të merreni me artin e aktrimit?
S.Lokaj: Me aktrim kam filluar të merrem menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme. Meqë në Teatrin e Prishtinës në atë kohë ishte një gjeneratë e vjetër e aktorëve, në vitin 1967 unë pranohem si kuadër i ri dhe kështu edhe fillon puna ime si aktor. Pa ndërprerje nga puna në Teatrin e Kosovës në Prishtinë paralelisht përfundova edhe shkollën e lartë të artit të cilën e kreva me sukses.
Koha javore: Përafërsisht sa role keni realizuar deri më tani. Ju kujtohen ato. E dini numrin e saktë?
S. Lokaj: Për numrin e roleve mund të them vetëm këtë, se deri më tani kam marrë pjesë pothuaj në të gjitha projektet që i ka realizuar Tetari i Prishtinës. Pra, kam qenë i pranishëm në të gjitha shfaqjet dhe në të gjitha zhanret, si në komedi, tragjedi, satirë etj. Minimum gjatë vitit në teatër kam realizuar dy role. Sa i përket numrit të roleve ai është mjaft i madh dhe e kam vështirë që tzi mbaj mend ato.
Koha javore: Ju kujtohet roli i parë që keni luajtur?
S.Lokaj:
Roli i parë që ka lënë përshtypje te shikuesit dhe kritikët ka qenë roli i Agamemnonit, pastaj ai i Halilit në dramën “Halili dhe Hajria” e shumë të tjera. Disa herë në shfaqje, drama televizive dhe në filma kam luajtur role kryesore ku edhe jam shpërblyer me mirënjohje. Kam luajtur nga rolet e veprave të mesjetës e deri në rolet e kohës së tanishme.
Koha javore: Si e ndjeni veten pas gjithë kësaj kohe në skenë. Jeni lodhur në Teatër?
S.Lokaj: Akoma ndihem mirë me shëndet edhe pse është një kohë e gjatë që luaj në skenë. Tani jam në moshën 65 vjeçare dhe ende e ndiej veten të fortë për skenë. Vetëm pas luftës kam arritur që të luaj në dy projekte mjaft të mëdha që i ka realizuar Teatri Kombëtar.
Koha javore: Po në filma, a keni pasur rast të luani?
S.Lokaj: Po. Paralelisht me Teatrin kam marrë pjesë edhe në realizimin e roleve në filma të ndryshëm kosovarë. Sot i kam të realizuara mbi 15-16 role në filma. Kam luajtur edhe në drama televizive.
Koha javore: Cila është pozita e aktorit sot në Kosovë?
S.Lokaj: Pozita e aktorit sot në Kosovë është mjaft e palakmueshme. Këtu e kam fjalën për anën materiale. Të ardhurat e aktorit sot në Kosovë janë mjaft të dobëta, të mos them kurrfare.
Koha javore: Tani tzi kthehemi pak Teatri Kombëtar të Kosovës. Nëse e krahasojmë me vendet e tjera të Ballkanit, ku qëndron sot Kosova sa i përket artit skenik?
S. Lokaj: Te ne në Kosovë Teatri është në pozitë mjaft të keqe, sidomos pas luftës. Jo veç në Teatër, por në përgjithësi edhe në kulturë është situata e ngjashme. Nuk është problemi se nuk ka të holla, por problemi ekziston se njerëzit nuk e dinë, apo nuk e duan kulturën. Kjo është e keqe.
Koha javore: Mund të na tregoni se cilat janë sukseset e Teatrit Kombëtar të Kosovës?
S.Lokaj: Në kohën e fundit Teatri nuk ka mundur të arrijë të bëjë ndonjë projekt që mund të dalë jashtë, për arsye se së pari duhet që teatri të ketë kuadrin e kualifikuar. Për të krijuar një vepër të mirë, Teatri duhet tzi marrë kuadrot e verifikuara. Teatri Kombëtar atë detyrë e ka. Te ne momentalisht nuk ekziston kjo. Teatri Kombëtar nuk e ka detyrën me i dhanë shfaqjet për provim të studentëve. Kuadri duhet të përtërihet me gjeneratat më të mira që i ka Akademia e Kosovës. Tani kemi mjaft aktorë të shkolluar. Në mesin e 400-500 aktorëve të rinj mund të gjenden 30 të mirë dhe kështu të kemi edhe shfaqje më cilësore.
Koha javore: Në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë angazhuar mjaft aktorë të rinj. Si qëndron bashkëpunimi me ta?
S. Lokaj: Bashkëpunimi me gjeneratën e aktorëve të rinj është për çdo lëvdatë. Pra, kemi një bashkëpunim të mirë. Po nuk i pate aktorët nga të gjitha gjeneratat, atëherë në skenë nuk mund të realizosh shfaqje të mirë.
Koha javore: Çfarë prisni nga udhëheqja e Teatrit Kombëtar të Prishtinës e cila është zgjedhur kohë më parë. Mendoni se do të ndryshojnë gjërat në të mirë?
S. Lokaj: Teatri e ka zgjedhur udhëheqjen e re, një kuadër të ri dhe ma merr mendja se ata tani do të fillojnë që ta programojnë punën në teatër.
Koha javore: Çfarë jeni duke punuar tani. Jeni të angazhuar në ndonjë projekt?
S.Lokaj: Para do kohe kam realizuar në Maqedoni një rol në një film që është edhe ndër rolet kryesore, premiera e të cilit pritet të shfaqet në marsin e vitit të ardhshëm. Po ashtu në Kosovë kam realizuar edhe tri role të tjera në drama televizive.
Bisedoi: Rr.Dushaj
Koha Javore

YouTube Preview Image