Njohja e Kosovës dhe rikomponimi i skenës politike në Mal të Zi

November 11, 2008   | Rajoni / Region

Cilat janë interesat e shqiptarëve
Eshtë koha që liderët e partive politike shqiptare ta ngrisin vetëdijen e tyre intelektuale në një nivel më të lartë, atë strategjik. Hapi i parë në këtë drejtim do të kishte qenë simbolik, por, i rëndësishëm: të pushojnë të shahen përmes gazetave të cilat i lexon mbarë opinioni shqiptar, pra, jo vetëm ai në Mal të Zi.
Rikomponimi
Këto ditë, lideri i Alternativës Shqiptare, V. Sinishtaj, në një deklaratë për opinion, konstatoi se “pasi që Qeveria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, me siguri do të vie deri te rikomponimi i strukturave politike në Mal të Zi”.
Konstatimi është i logjikshëm, sepse, është më se e qartë se momenti i njohjes së pavarësisë së Kosovës ka qenë test vendimtar për disa nga subjektet më të forta politike në Mal të Zi. Tashmë mund të parashikohet me siguri të madhe se në periudhën e ardhshme do të vie deri te dobësimi i disa subjekteve politike në një anë dhe forcimi i disa të tjerave në anën tjetër.
Grupit të parë do t’i takojë Lëvizja për Ndryshime, e cila është humbësi më i madh. Kjo është edhe shembulli më i mirë se në politikë nuk mund të rrihet në dy karrika. Në këtë rast e kemi situatën që është startuar me një program të një partie klasike qytetare, ndërsa, në provimin e parë serioz, është bërë flirt me opcionin nacional deri në atë shkallë sa që janë tejkaluar edhe bartësit origjinalë të kësaj ideje në Mal të Zi – partitë e bllokut serb.
Në grupin e dytë, atë të fituesve, duke shikuar nga rrafshi i përcaktimit të tyre origjinal strategjik, janë partitë e krahut të fortë të bllokut serb. Pse LpN në të ardhmen mund të konsiderohet si subjekt i vdekur politik ndërsa, në anën tjetër, është forcuar krahu serb i skenës politike malazeze? Nga shkaku i thjeshtë se opcionin origjinal serb e përfaqësojnë partitë të cilat qysh në start me programet e tyre janë përcaktuar dhe deklaruar për opcionin konsekuent nacional. Cila do të ishte arsyeja që votuesi i rëndomtë serb (mendoj për serbët etnikë) në Mal të Zi të përcaktohet nesër për diçka që është fake (lexohet “feik”, anglisht, shprehje për mallin i cili eshtë imitacion i origjinalit), nëse mund të përcaktohet për origjinalin. Të mos harrojmë se përqindjen e rëndësishme të votave në zgjedhjet e fundit për president të Malit të Zi, që i ka marrë kandidati i LpN (14 %), kanë ardhur nga trupi votues i pakicave (shqiptare dhe boshnjake). Një nga arsyet ka qenë edhe përkrahja e bindshme që LpN i ka dhënë idesë së komunës së plotë të Tuzit. Mirëpo, në testin e parë të madh, atë të Kosovës, lideri i kësaj partie është veçuar për deklaratat e tmerrshme antikosovare. Të flasësh kundër Kosovës, do të thotë të flasësh kundër shqiptarëve ku do që jemi. Pikë!

Strategjia
Çfarë strategjie do të duhej të bënin partitë shqiptare në situatë të re të rikomponimit të skenës politike malazeze? Mendoj se lideret tanë, nëse pretendojnë të jenë liderë të vërtetë e jo vetëm individë që e fitojnë rrogën në politikë, do të duhej të kenë parasysh tri nivele strategjike. Këto do të ishin:
1) Interesat e pakicës shqiptare në nivel lokal
2) Interesat e pakicës shqiptare në nivelin e Malit të Zi
3) Vendi i shqiptarëve të Malit të Zi brenda korpusit mbarëkombëtar shqiptar
– Niveli lokal përfshin interesat jetike të shqiptarëve në mjedise lokale: Tuzi, Ulqini, Plava, Rozhaja.
– Niveli republikan përfshin rregullimin dhe realizimin e interesave shqiptare në nivelin e instititucioneve të shtetit të Malit të Zi.
– Niveli i tretë përfshin raportet me dy qendra më të forta kombëtare – Prishtinën dhe Tiranën, raportet me trojet e tjera etnike shqiptare si dhe me Diasporën.
Poashtu, është koha që liderët e partive politike shqiptare ta ngrisin vetdijen e tyre intelektuale në një nivel më të lartë, atë strategjik. Hapi i parë në këtë drejtim do të kishte qenë simbolik, por, i rëndësishëm: të pushojnë të shahen përmes gazetave të cilat i lexon mbarë opinioni shqiptar, pra, jo vetëm ai në Mal të Zi.
xhoanaperkaj@yahoo.com
Xhoana M. Perkaj
Koha Javore