Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve Dr. Bahri Brisku,u takua me Hydajet Hysenin

November 12, 2008   | Shtypi / Mediji

Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë të shqiptarëve në mal të zi, dr.Bahri Brisku, u takua me Hydajet Hysenin
Zotim për ndihmë reciproke
Kryetari i Shoqatës së ish të Burgosurve dhe ish të Përndjekurve Politikë Shqiptarë në Mal të Zi, dr. Bahri Brisku, u takua më 28 tetor 2008 me kryetarin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni. Takimi u organizua me ftesën e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës në kuadër të përgatitjes së kremtimit të 40-vjetorit të demonstratave antikomuniste më 1968 në Kosovë. Ky manifestim organizohet nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës në bashkëpunim me Institutin e Historisë dhe Institutin Albanologjik të Kosovës, nën patronatin e Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, së bashku me anëtarët e kryesisë Selatin Novosella dhe prof. Dr. Zymer Neziri e njoftuan mysafirin me veprimtarinë e kësaj shoqate. Hyseni po ashtu foli gjerësisht për përgatitjet e Konferencës shkencore për shënimin e 40-vjetorit të demonstratave të vitit 1968, e cila do të mbahet më 24 nëntor 2008 në Prishtinë e në të cilën do të prezantohen 123 kumtesa nga studiues të njohur.
Në këtë takim u diskutua edhe për rrugët që duhet ndjekur për realizimin e të drejtave legjitime që në bazë të Konventave iu takojnë ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë në këtë hapësirë.
“Është nevojë akute që takimet e shoqatave tona të organizohen sa më shpesh me qëllim që t`i sinkronizojmë kërkesat tona lidhur me realizimin e të gjitha të drejtave që iu takojnë shqiptarëve që kanë vuajtur nëpër kazamatet e rënda komuniste. Gjithashtu nuk duhet anashkaluar as ato personalitete shqiptare të cilët për shkak të bindjeve të tyre demokratike kanë qenë përndjekur dhe larguar nga puna”, theksoi ndër të tjera dr. Bahri Brisku.
Përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës premtuan se do t`i ofrojnë Shoqatës simotër në Mal të Zi çdo ndihmë materiale dhe institucionale lidhur me realizimin e të drejtave materiale që u takojnë në bazë të dispozitave ligjore dhe të konventave universale me të cilat obligohen me anë të standarteve të cilat duhet t`i realizojë çdo shtet.
Edhe Shoqata e ish të Burgosurve dhe ish të Përndjekurve Politikë të Shqiptarëve në Mal të Zi u zotua se do t`i japë çdo ndihmë të mundshme Shoqatës simotër të Kosovës, qoftë në aspektin kadrovik për organizimin e Konferencës shkencore kushtuar demonstrave të vitit 1968, ku do të prezantohen me kumtesa shtatë studiues shqiptarë nga Mali i Zi, qoftë në aspektin e strehimit gjatë pushimeve verore me të cilin rast do të sigurojnë strehim falas për një pjesë të ish të burgosurve politikë.
Në takim u tha se do të analizohen edhe mundësitë e tjera që këto dy shoqata të realizojnë institucionalisht të drejtat e të vuajturve në burgje dhe jashtë tyre, gjë që parashikohet në shumë konventa ndërkombëtare, si dhe që duhet bërë trysni ndaj strukturave shtetërore që të bëjnë sa më parë pagesat e dëmshpërblimeve për këtë kategori të personave.
Kohapress