Në një autobus të Malit të Zi policia e Pejës gjen armë – arrestohet një person

November 12, 2008   | Shtypi / Mediji

Policia rajonale e Pejës ka konfirmuar herët në mëngjes në një autobus me targa të Malit të Zi, janë zbuluar armë dhe municion që po trafikoheshin për në Kosovë. Zëdhënësi i drejtorisë rajonale të policisë në Pejë, Avni Gjevukaj, ka deklaruar se autobusi është ndaluar mëngjesin e së martës, rreth orës 03:30 në afërsi të Shkollës Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, nga njësitet patrulluese të Stacionit policor të Pejës.
Ndalimi i autobusit me udhëtarë është bërë, sipas policisë, pasi ekzistonte dyshimi se në të po trafikoheshin armë dhe municione. Me këtë rast janë kontrolluar udhëtarët dhe autobusi me targa të Malit të Zi, që është pronë e kompanisë “Barileva Tours”, në të cilin janë gjetur një pushkë automatike, një karikator, 26 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, një palë dylbi si dhe një granatë dore.
Për shkaqe sigurie, nga autobusi menjëherë janë larguar udhëtarët dhe është bërë sigurimi i autobusit deri në ardhjen e njësitit për çminim, që e kanë larguar granatën.
Me këtë rast, policia ka arrestuar udhëtarin 29 vjeç Bajram Muhaxherin.
Burimi / s.b & RTK staff

1