Cana,fanellë për Xhim Belushin

November 13, 2008   | Lajmet / Vijesti

Ylli i futbollit shqiptar, Lorik Cana i dhuroi një fanellë të kombëtares shqiptare aktorit të njohur amerikan me prejardhje shqiptare, Xhim Belushi. Futbollisti i kombëtares shqiptare dhe kapiten i Olimpikut të Marsejës, ashtu sikur Xhim Belushi, ishte i ftuar special në spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë”. Cana ka pohuar se është një fans i hershëm i Xhim Belushit. “Të gjithë njerëzit meritojnë që t’u bëjmë një dhuratë. Mua thjesht më është dhënë rasti që këtë person, pra Xhim Belushin, ta nderojë me një fanellë të kombëtares sonë. E kam ditur që është shqiptar, prandaj e kam përcjellë gjithmonë dhe jam një fans i tij. E kam edhe fanellën e Marsejës, por besoj se për të fanella e Shqipërisë me shqiponjën dykrerëshe do të ketë më shumë vlerë”, ka thënë Lorik Cana. 25-vjeçari kosovar i ka dhuruar po ashtu fanellën e klubit të tij, Olimpik Marsejë, aktorit të njohur shqiptar, Timo Flloko. Cana, i ulur përkrah shumë personaliteteve të  tjerë, tha se përpiqet gjithnjë që të nderojë e të ngrejë sa më lart emrin e Shqipërisë. Ndërkohë, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në shenjë nderimi dhe vlerësimi për kontributin e dhënë në sport për lartësimin e emrit të Shqipërisë dhe përçimit të vlerave më të vyera të kombit shqiptar anembanë botës, i ka dorëzuar Lorik Canës titullin “Ambasador i Kombit”.
Kosova Sot