Cana:Sezonin e ardhshem tek Bajerni i Mynihut

November 13, 2008   | Sporti / Sport

E ardhmja e Lorik Canës, në sezonin e 2009-2010, me shumë mundësi do të jetë te Bajerni i Mynihut.
a qenë vetë mesfushori shqiptar i Olimpikut të Marsejës, ai i cili ka identifikuar skuadrën e njohur gjermane si destinacionin thuajse të sigurt të tij në merkaton e verës së ardhshme, pasi ka theksuar se ky mund të jetë viti i fundit në Francë.

E ardhmja
I ndodhur dje në Tiranë, në fundin e një vizite 24- orëshe, ku edhe ka marrë nga Presidenti Bamir Topi titullin “Ambasador i Kombit”, Loriku ka zbuluar për herë të parë ekipin e të ardhmes.
“Nuk jam shumë i sigurt, ka shumë mundësi që ky të jetë viti i fundit, që unë luaj me Olimpikun e Marsejës. Një nga klubet, me të cilin kam kontakte dhe tek i cili do të kisha dëshirë të luaja, patjetër që në krye të listës është Bajerni i Mynihut. Një ofertë e fundit, që kanë për të më bërë muajin e ardhshëm klubet angleze, nuk dua të përmend emra, por shifra është rreth 12 milionë euro (hipotezat të çojnë tek Evertoni), mund t’ju them që tani se kam për ta refuzuar”.

Prapaskenat
Gjatë merkatos së verës 2008, Loriku ka marrë oferta nga kampionate të ndryshme si ai anglez, spanjoll, gjerman etj. Disa nga ekipet e interesuara ishin Arsenali, Evertoni dhe Bajerni i Mynihut.
Skuadra Vengerit, në ditët e fundit të merkatos, bëri një super ofertë prej 20 milionë eurosh, por që u refuzua nga Marseja. Tashmë janë zbardhur edhe prapaskenat e këtij refuzimi, për të cilat Loriku nuk ka preferuar të flasë.
Atëherë, presidenti i Marsejës, Pape Diuf, iu lut të mos largohej, pasi, nëse ikte edhe kapiteni (Cana), tifozët do ta akuzonin presidentin për shkatërrimin e ekipit. Ndërkohë që Diuf do t’i premtonte se, në ofertën e parë të mirë që do të vinte për sezonin tjetër, do ta lejojnë që të largohej.

Pengu
Lorik Cana, i cili konfirmoi edhe njëherë se nuk do të bashkohet me Kombëtaren e Kosovës, por do të qëndrojë tek ajo e Shqipërisë, ka rrëfyer gjithashtu se i ka mbetur peng humbja ndaj Hungarisë, ku mendon se, nëse do të ishte marrë të paktën një rezultat pozitiv, sot mund të flitej për një fillim perfekt të Eliminatoreve të Botërorit.
Burimi / Top Channel