Një delegacion i shtëpisë së shëndetit Ulqin vizitoi të premten spitalin rajonal në Shkodër

November 13, 2008   | Rajoni / Region

Simpoziumi i 9-të mjekësor më 26-27 dhjetor në Ulqin
Një delegacion i Shtëpisë së Shëndetit Ulqin në krye me drejtorin Prim. Dr. Gani Karamanaga vizitoi të premten Spitalin Rajonal në Shkodër ku u prit nga drejtori i këtij institucioni dr. Namik Kamberi.
Qëllimi i vizitës ishte marrëveshja rreth organizimit të Simpoziumit të ardhshëm mjekësor Ulqin – Shkodër. Në takim u ra dakort që simpoziumi i nëntë me radhë me karakter ndërkombëtar të mbahet në Ulqin më 26-27 dhjetor të këtij viti. Temat bosht të Simpoziumit të sivjetshëm do të jenë Reforma e mbrojtjes shëndetësore primare si dhe Sëmundjet malinje. Po ashtu në Simpozium do të diskutohet edhe për disa tema të tjera të lira.
Përfaqësuesit e dy institucioneve shëndetësore publike vlerësuan bashkëpunimin e tyre të deritashëm si dhe potencuan domosdoshmërinë e vazhdimësisë së këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Gjatë vizitës në Shkodër, delegacioni i Shtëpisë së Shëndetit Ulqin në të cilin përveç drejtorit Karamanaga ishin edhe dr. Sadije Hollaj, dr. Selim Ismaili dhe prim. Dr. Milan Roloviq, u takuan edhe me Prefektin e Shkodrës, Maxhit Cungu. Ata e njoftuan Prefektin Cungu lidhur me marrëveshjen për organizimin e Simpoziumit të 9-të mjekësor Ulqin-Shkodër.
Prefekti Cungu e përkrahu organizimin e këtij aktiviteti dhe aktiviteteve të tjera ndërmjet dy institucioneve shëndetësore, si dhe pranoi ftesën për të marrë pjesë në hapjen e Simpoziumit të 9-të mjekësor.
Kohapress