Politikat agrare dhe zhvillimi rural në Mal të Zi

November 17, 2008   | Ekonomia / Ekonomija

Sigurimi i ushqimit – prioritet parësor i politikës agrare
Bujqësinë e Malit të Zi dhe sigurimin e ushqimit në përgjithësi, në kohë të fundit e karakterizojnë reformat intensive, të cilat shkojnë në tri drejtime kryesore:
-reforma legjislative dhe harmonizimi me Acquis communautaire të BE-së;
-reforma e politikës agrare,përdorimi gradual i instrumenteve të Politikës së Përbashkët Agrare (CAP) të BE-së;
-reforma institucionale,forcimi i institucioneve ekzistuese dhe formimi i institucioneve të reja për zbatimin e politikës agrare dhe harmonizimin e rregullativës në praktikë.
Në sektorin e reformës legjislative janë miratuar një mori ligjesh në sigurimin e ushqimit, veterinari, në mbrojtjen shëndetësore të bimëve, në prodhimin e fidaneve dhe matrialit mbjellës etj. Krahas miratimit të ligjeve të reja, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore e Malit të Zi, përcjell disa prarime me rëndësi: ligjet duhet të kenë rregullativë të avancuar juridike për zhvillim të mëtutjeshëm të zhvillimit bujqësor; që vendimet ligjore të jenë të zbatueshme në praktikë dhe të jenë në përputhje me parimet e Bashkimit Europian dhe OBT (Organizatës Botërore të Tregëtisë). Pra, ligjet e reja paraqesin hapa të rëndësishëm për kufizimin e rregullativës ligjore për zhvillim të mëtutjeshëm.
Projektligji për bujqësi dhe zhvillim rural në kapitullin e parë, si kulmi i ligjit për bujqësi parasheh: zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale, formimin e kushteve për stimulimin bujqësor, aktivitetet shtesë në bujqësi, format e organizimit në bujqësi, punët me interes publik, formimin e Agjencisë për pagesë, si dhe regjistrat dhe evidencat me rendësi jetike për bujqësi dhe zhvillim rural.
Në kapitullin e dytë janë përkufizuar qellimet e politikës agrare, në përputhje me Strategjinë, si dhe parimi që politika nacionale të miratohet e implementohet në tri nivele: i pari është Strategjia, i dyti Programi Nacional dhe i treti Agrobuxheti, me të cilin politika agrare zbatohet në shkallë vjetore. Gjithashtu ky ligj parasheh edhe obligimin e hartimit të raportit vjetor për realizimin e këtij dokumenti.
Kapitulli i tretë-Masat e politikës agrare, ndahet në katër grupe kryesore: politikën e çmimeve, të zhvillimit rural,të punëve me interes publik dhe transfertat sociale të prodhuesve bujqësorë.
Në politikën e çmimeve Mali i Zi është i orientuar për konceptin i cili me efikasitet do të zbatojë zhvillimin bujqësor nëpërmjet pagesës direkte për krerë në blegtori dhe për ha (hektar) sipërfaqe për prodhimtarinë bimore, por janë të parapara edhe masat dhe instrumentet për stabilizim të tregjeve. Këto masa janë të përshtatura me standardet ndërkombëtare që ka si obligim Mali i Zi, në përputhje me parimet e OBT-së, e njëkohësisht përcjell reformat më të reja të Politikës së Përbashkët Agrare të BE-së.
Vendin kryesor në politikën agrare e zënë masat e zhvillimit rural, të cilat janë të përshtatura me parimet e reja dhe me perspektivat e politikës së zhvillimit rural të Bashkimit Europian, të miratuara në vitin 2005. Ligji parasheh që kjo politikë të zbatohet përmes katër grupeve kryesore, siç është rasti në BE.
Grupi i parë është orientuar në rritjen e konkurrencës për prodhuesit bujqësorë, para së gjithash përmes përkrahjes me investime në bujqësinë primare dhe në industrinë përpunuese-agroindustri, pastaj investimet për zbatimin e politikës së tokës, përkrahjes në zbatimin të standardeve ndërkombëtare, organizimin dhe lidhjen e prodhuesve bujqësorë me njëri tjetrin, si dhe forcimin e zinxhirit të përgjithshëm në sigurimin e ushqimit nëpërmjet forcimit të integrimeve. Ligji, sipas formës së rregullativës më të re të Bashkimit Europian,vëndos dhe definon përkrahjen për investime, aqë gjerësisht saqë do të jetë përkrahja më e madhe financiare, sidomos gjatë periudhës para anëtarësimit kur dhe është e domosdoshme të implementohen standardet e përshtatshme, posaçërisht për investime në bujqësinë primare.
Grupi i dytë bazohet në menaxhimin pronësor të resurseve, dhe ligji përkufizon përkrahjen e zonave me mundësi të kufizuara për bujqësi (zonave më pak të përshtatshme për zhvillim bujqësor), të masave agroekologjike, gjegjësisht të masave që janë të përshtatshme me mbrojtjen e ambientit jetësor, ku vend të veçantë zënë bujqësia organike dhe integrale. Pastaj shfrytëzimin e resurseve gjenetike, shfrytëzimin e kullotave si dhe masat e pylltarisë me qëllim të valorizimit të sipërfaqeve të caktuara me shkurre dhe të cilat në të shumtën e rasteve janë të përfshira nga zjarri.
Në grupin e tretë janë masat të cilat do të përmirësojnë cilacësinë e jetës në fshat, nëpërmes rregullimit të infrastrukturës dhe programeve për zhvillim të fshatit, e të cilat do të zgjerojnë aktivitetin ekonomik në zonat rurale jo vetëm përmes aktiviteteve të prodhuesve bujqësor por edhe përmjet përkrahjes së zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmes turizmit në zonat rurale etj.
Përmes grupit të katërt të zhvillimit rural duhet afirmuar dhe përkrahur vetëqeverisjet lokale si dhe organizatat e grupet e tjera.
Komponenti i tretë me rëndësi për politikën agrare bazohet në përkrahjen financiare të realizimit të punëve me interes publik. Pra, praktika e shteteve të zhvilluara ka treguar se nuk ka zhvillim të mirë pa përkrahje efektive institucionale. Kjo është posaçërisht me rëndësi në procesin e anëtarësimit në BE, sepse bujqësia është sektori që më së tepërmi kërkon përshtatje me parimet e BE-së. Nga kjo del se Ligji në kapitullin kryesor njeh dhe përkufizon punët me interes publik, të cilat do të financohen nga masat stimuluese, gjegjësisht nga agrobuxheti: punët e shërbimeve, punët profesionale në blegtori dhe prodhimtari bimore, projektet dhe analizat shkencore si dhe arsimimi në bujqësi.
Komponenti i katërt i politikës agrare bazohet në transfertat sociale për prodhuesit individualë (familiarë).
Përkrahja në formën e shtesave për pleqëri, e cila gjithashtu drejtohet në plotësimin e njërit nga qëllimet e përgjithshme të politikës agrare: përmirsimi i standardit jetësor për popullsi dhe zhvillimi i përgjithshëm rural gjithashtu ka gjetur vend në këtë ligj. Ligji gjithashtu parasheh lehtësime për sigurimet sociale të prodhuesve bujqësorë. Me këto komponente politika agrare plotëson dhe zgjeron në përgjithësi njëllojshmërinë ligjore për të gjithë popullatën, pavarësisht se në çfarë zone gjeografike jetonë ajo dhe pjesëtarët e së cilës me ligjin e deritanishëm nuk kanë qenë në mundësi t’i realizojnë këto të drejta.
Kapitulli i katërt përkufizon qartë shfrytëzuesit e përkrahjes për bujqësi, mënyrën dhe procedurat e implementimit të politikës agrare. Është parashikuar formimi i Agjencisë për pagesë në bujqësi i cili do të marrë të gjitha obligimet për realizimin e përkrahjes për bujqësi dhe zhvillim rural, si nga buxheti shtetëror, po ashtu edhe nga donacionet, sidomos përkrajha IPARD në periudhën para anëtarësimit.
Organizimi i prodhuesve bujqësorë është i paraparë në kapitullin e pestë, ngjashëm me format në organizatat moderne europiane, në organizata bujqësore, në organizatat ndërsektoriale etj.
Në kapitullin e gjashtë paraqitet cilësia e prodhimeve bujqësore.
Kapitulli i shtatë përmban aktivitete të tjera shtesë, që për herë të parë parshihkohën me ligj, me qellim të shfrytëzimit sa më të mirë të mundësive prodhuese dhe fuqisë punëtore.
Parashihet gjithashtu Këshilli Nacional për Bujqësi dhe Zhvillim Rural si forum profesional dhe konsultativ për dhënien e ndihmës në propozimin dhe realizimin e politikës agrare.
Në Projektligjin e ri zënë vend edhe regjistrat dhe evidencat, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e përkrahjes së sistemit bujqësor dhe përshtatjen me sistemin që funksionon në Bashkimin Europian.
Duke patur parasysh se Ligji (projektligji) merret si kulm, shumë çështje do të përkufizohen me nënakte ligjore.
Për zbatimin e këtij ligji është e nevojshme të sigurohen të ardhurat buxhetore,në kuadër të Strategjisë së sigurimit të ushqimit dhe zhvillimit të zonave rurale, që i ka miratuar Qeveria e Malit të Zi.
Mr Enis Gjokaj
Koha Javore

YouTube Preview Image