Përse janë SHBA boshti i botës

November 23, 2008   | Reportazh / Reportaža

A mund të imagjinojmë që në ndonjë vend tjetër të botës të zgjedhet president njeriu i cili i takon pakicës, çfarëdo qoftë ajo: nacionale, fetare, gjinore ose racore. Vështirë. Vështirë mund të ndodhë edhe në botën e demokracisë qytetare e të mos flasim për Ballkanin.
Të mërkurën që shkoi, amerikanët e zgjodhën presidentin e ri. Barack Hussein Obama, me një emër jotipik, u bë kryetar i një shteti të cilin e themeluan dhe i dhanë imazh anglosaksonët. Obama nuk është afroamerikani i parë i cili pretendoi për këtë post. I pari, më 1996, ishte gjenerali Colin Powel, hero i Luftës në Gjirin Persik. Edhe pse të gjitha parashikimet shkonin në favor të tij, prapëseprapë, mund të thuhet se befasia ishte e plotë. Por, si është vlerësuar në mbarë botën, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në Amerikë.
A mund të imagjinojmë që në ndonjë vend tjetër të botës të zgjedhet president njeriu i cili i takon pakicës, çfarëdo qoftë ajo: nacionale, fetare, gjinore ose racore. Vështirë. Vështirë mund të ndodhë edhe në botën e demokracisë qytetare e të mos flasim për Ballkanin.
Do t`i parafrazoj fjalët e një lideri shqiptar nga Mali i Zi i cili tha se “ky do të jetë rast ose shembull i mirë edhe për ne në Mal të Zi që të ecim në atë drejtim dhe të mos kemi paragjykime kur kemi të bëjmë me pjesëtarët e pakicave konkrete kur është fjala për shqiptarët”.
Vërtet, a mund të paramendojmë që në ndonjë shtet ballkanik të jetë president pjesëtari i pakicës gjinore, nacionale, fetare? Vështirë, të mos them e pamundur. Ta paramendojmë mundësinë e parë – femrën si presidente të ndonjë shteti ballkanik. Kjo mundësi (nuk është as mundësi, por hipotezë e kotë, të mos them përrallë) nuk ekziston fare.
Të shkojmë më tutje. Pjesëtari i pakicës nacionale si president. E pamundur. Këtu nuk i marrim parasysh përjashtimet në ish shtetin komunist jugosllav kur shqiptari ishte i impostuar formalisht në këtë detyrë. Komunizmi ka rënë, dhe këtu flasim për zgjedhjet e lira ku presidenti zgjedhet me vullnetin e shumicës së popullit.
Mundësia e tretë, pjesëtari i pakicës religjioze si president. Jo assesi. E në anën tjetër, tërë Ballkani, e ka gojën plot Europë. Europa që Europa! Fjalë po, por, sa kanë ndryshuar botëkuptimet tona.
Edhe një herë Amerika e ka treguar përse është e madhe. Përse është boshti i Botës. Përse kur në Amerikë punët shkojnë mirë, atëherë në mbarë botën do të shkojnë më mirë. Sivjet, jo vetëm që president u bë një pjesëtar i pakicës, por, edhe një nga kandidatet në rrethin më të ngushtë të pretendentëve ishte edhe një pjesëtare e pakicës, asaj gjinore, Hillary Clinton. Për ne në Ballkan, gjë që nuk mund as të imagjinohet.
Xhoana M. Perkaj
Koha Javore