Podgorica rrezikon me kërcënimet franceze

November 24, 2008   | Lajmet / Vijesti

Liderët e Malit të Zi thonë se këtë vit do të aplikojnë për status të kandidatit në BE, pa marrë parasysh se entuziazmin e njëjtë nuk e tregon edhe Brukseli, posaçërisht kryesimi francez, që edhe duhet ta pranojë aplikimin.
“Ekzistojnë shumë kritere që duhet të plotësohen, e ndoshta Mali i Zi nuk i plotëson të gjitha”, paralajmëroi para do kohe zëdhënësja e presidencës franceze, Marijan de Karne. Sipas sajë, ekzistojnë dilema nëse është mirë të aplikohet, kur duket se kjo nuk është hapi i vërtetë. Por, shton Karne, për këtë vendosë Mali i Zi.
Presidenca franceze që nga fillimi është e sigurt se nëse nuk ekziston zhvillim pozitiv kundrejt Serbisë, i tërë Ballkani Perëndimorë do të mbetet anash gjatë mandatit të tyre, kurse kjo edhe u konfirmua. Diplomatë në BE sqarojnë se “stagnimi” i Serbisë në procesin e sajë evropian është një nga shkaqet pse Franca është aq e “dëshpëruar” nga aplikimi i paralajmëruar malazez.
Serbia e nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim (MSA) me BE-në prill, por disa vende anëtare ende nuk e kanë ratifikuar pasi është kushtëzuar me bashkëpunim të plotë të Beogradit me Tribunalin e Hagës. Mali i Zi nga ana tjetër e nënshkroi Marrëveshjen gati një vit para Serbisë dhe në rrjedhë është procesi për implementimin e sajë.
Burime në Brukseli thonë se Podgorica haptazi është paralajmëruar që të mos ndërmarrë një hap të tillë në periudhën e presidencës evropiane.
“Parisi nuk e dëshiron Ballkanin Perëndimorë në agjendën e vet dhe këtë qartë ua kemi thënë malazezëve. U thamë se nëse nuk e dëgjojnë ‘këshillën’ tonë dhe megjithatë vendosin të aplikojnë, këtë do ta vlerësojmë si një lloj shpallje të luftës”, deklaroi një diplomat francez në Bruksel.
Burime në Mal të Zi e konfirmojnë këtë version të ngjarjeve, por udhëheqësia refuzoi të tërhiqet, duke e treguar vendosmërinë e vet, posaçërisht gjatë vizitës së delegacionit malazez në Bruksel, vizitë të cilën e vlerësuan si të fundit në selinë e BE-së para aplikimit.
Ministrja për eurointegrime Gordana Gjuroviç tha se “ndihen të përgatitur për fazën e ardhshme të procesit të eurointegrimit, aplikim deri në fund të vitit”. Përfaqësues i Qeverisë malazeze konfirmoi se edhe pse Parisi vazhdon ta demotivojë përpjekjen e tyre, Podgorica vlerëson se tani është momenti i vërtetë, sepse vendi ka plotësuar mjaft kushte në këtë drejtim.
“Ata edhe më tej na paralajmërojnë të mos marrim guxim të aplikojmë gjatë presidencës franceze, por përgjigja jonë është gjithnjë e njëjtë: na pritni në dhjetorë”, thotë i njëjti burim.
Por edhe Parisi ka planet e veta. Duke pasur parasysh festat e Kërshëndellave dhe të Vitit të Ri, Franca nuk do të jetë e obliguar të ndërmarrë ndonjë hap procedural, përveç se dokumentin t’ia dorëzojë presidencës së ardhshme çeke.
Çekët nga ana tjetër, janë të lumtur që Ballkani Perëndimorë do të jetë në mesin e prioriteteve të tyre dhe nuk e kundërshtojnë aplikimin malazez, edhe pse janë të vetëdijshëm se nuk do të jetë lehtë të gjendet konsensus për këtë çështje në mesin e 27 vendeve anëtare.
“Për t’i dhënë mandat Komisionit, na nevojitet konsensus. E presim aplikimin, e pastaj do të bëjmë përpjekje të sigurojmë konsensus”, deklaroi Juri Klasikov, anëtarë i misionit Çek në BE.
Diplomatë perëndimorë paralajmërojnë se ato vende që nuk e pëlqejnë idenë që Mali i Zi të bëhet kandidat para Serbisë, lehtë do të gjejnë shkas për ta prolonguar vendimin. Ata thonë se shumë vende si arsyetim do ta shfrytëzojnë raportin e fundit të KE-së në të cilin qëndron se Mali i Zi nuk e ka përfunduar implementimin e MSA-së.
Vendi i vetëm në BE që haptazi i përkrahë aspiratat e Malit të Zi është Sllovenia.
“Sllovenia fuqimisht e përkrahë Malin e Zi sepse vlerësojmë se i tërë Ballkani Perëndimorë duhet të përparojë drejt BE-së sa më shpejtë që është e mundshme”, deklaroi ministri i punëve të jashtme, Dimitrij Rupel. Megjithatë, diplomatët slloven kanë frikë se tani për tani janë të vetmuar me një qëndrim të tillë. Burime nga Lubjana thonë se “atmosfera nuk është shumë e lakmueshme për Malin e Zi. Do të jetë vështirë të arrihet konsensus 27 vendeve anëtare për procesuim të aplikimit malazez dhe t’i mundësohet ecje përpara, deri sa Serbia stagnon”.
Të njëjtat burime deklarojnë se ato vende të cilat nuk e pëlqejnë idenë që vende tjera të rajonit ta kalojnë Serbinë në procesin eurointegrues, do të gjejnë arsyetime të ndryshme që aplikimi të mos marrë përgjigje pozitive. Ato supozojnë se disa vende do të thonë se Podgorica nuk e ka implementuar në tërësi MSA-në, kurse disa do të arsyetohen me kornizën e pamjaftueshme institucionale për zgjerimin e BE-së. Parashikimet e këtyre burimeve janë se ndonjë formë e “marrëveshjes së kushtëzuar” është maksimumi që mundet ta presë Mali i Zi në vitin 2009.
Lajmpress