Kryetarja e Kuvendit pret në takim Kryeministrin e Malit të Zi

November 25, 2008   | Politika

Pavarësia e Kosovës ka krijuar një realitet të ri stabiliteti në rajon dhe çdo plan për ndarje mbi baza etnike është një rrezik serioz për stabilitetin e Ballkanit.
Kështu u shprehën në takimin e përbashkët, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç duke ndarë ndarë të njëjtin mendim kundër planit gjashtë pikësh dhe për shtrirjen menjëherë në të gjithë Kosovën të misionit EULEX.
Njohja e Kosovës nga Mali i Zi ishte një hap shumë i rëndësishëm, tha Kryetarja e Kuvendit. Shqyrtimi i raportit të  Ban Ki Moon është shtyrë për një javë dhe unë shpresoj se gjatë kësaj jave do të kemi një rikonsiderim të planit 6 pikësh.
Stabiliteti dhe paqja në Ballkan është shumë e rëndësishme.
Ju e njohët pavarësinë e Kosovës duke patur parasysh këtë ide, ashtu si edhe ne, me njohjen e Malit të Zi dhe Maqedonisë kemi patur parasysh pikërisht këtë ide.
Ne e njohëm Kosovën, tha Kryeministri  Gjukanoviç, të binur së kjo çështje ishte zgjidhur një dekadë më parë dhe thjesht u konfirmua formalisht. Këtë vendim Qeveria e Malit të Zi e ndërmori me bindjen se kështu ndihmojmë Kosovën për të konsoliduar shtetin dhe demokracinë por ndihmojmë edhe Serbinë të mos ketë iluzione dhe të ecë përpara me objektivat e saj integruese.
Biseda mes Kryetares së Kuvendit dhe Kryeministrit të Malit të zi u  ndal gjerësisht edhe në intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Ne jemi krenarë tha Kryeministri Gjukanoviç për marrëdhëniet shumë të mira tradicionale mes dy vendeve tona, dhe kjo vizitë është vijim i kësaj tradite të respektit reciprok mes dy popujve tanë
Ne ndajmë të njëjtat objektiva europiane dhe të dy vendet tona  e shohin veten në NATO dhe BE.
Shqipëria e finalizoi më sukses nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit në NATO dhe kjo është në interes strategjik të të gjithë rajonit. ”
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se vendet e rajonit duhet të flasin me një zë përsa i “përket integrimit euro-atlantik të kësaj zone.
Është në interes të Europës, tha zoti Gjukanoviç, të përfitojë nga euroentuziazmi që ekziston sot në rajon.
“Ne tha Kryetarja e Kuvendit po punojmë shumë për integrimin euro-atlanik të vendit. Ndërsa ratifkimin e MSA-së e mbyllim brenda vitit, po ecim paralelisht me ritëm për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit në NATO. Tetë vendeve që e kanë ratifikuar deri tani, pritet t’i shtohen së afërmi Turqia Kanadaja dhe besojmë se edhe të tjerat me rradhë brenda pak muajsh deri në samitin e ardhshëm.”
Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet  parlamentare mes dy vendeve duke theksuar se ka një bashkëpunim shumë të mirë në rritje mes parlamenteve të Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Si Kryetare e Kuvendit, tha zonja Jozefina Topalli, jam përpjekur për intensifikim të bashkëpunimint me parlamentet e europiane e botërore, por veçanërisht me ato rajonale.  Vetëm dy javët e fundit kanë ardhur për vizita zyrtare në Shqipëri, Kryetarët e parlamenteve të Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Bullgarisë dhe po aq e rëndësishme është edhe rritja e bashkëpunimin mes strukturave parlamentare. Unë pres me kënaqësi në një vizitë të afërt në Shqipëri edhe Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi.”

Duke ju drejtuar Kryetares së Kuvendit, Kryeministri Gjukanoviç tha se “ju presim së shpejti në një vizitë tuajën zyrtare në Malin e zi.”

Sherbimi informatif

1