Presidenti Topi u takua sot me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç

November 25, 2008   | Rajoni / Region

eSot, në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u takua me Kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Duke shprehur kënaqësinë e veçantë për takimin me Kryeministrin Gjukanoviç, Presidenti Topi vlerësoi nivelin aktual shumë të mirë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Kreu i shtetit shqiptar, pasi nënvizoi vendosmërinë e angazhimin e vendit tonë për zhvillimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, që ekzistojnë dhe zhvillohen me vendin mik, Malin e Zi, shprehu angazhimin e Shqipërisë për konsolidimin e Malit të Zi në rrugën e forcimit të demokracisë dhe të zhvillimit të vendit, si dhe për integrimin europian dhe euroatlantik të vendit, si aspirata të përbashkëta të dy vendeve tona mike.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilët ndajnë një histori të përbashkët, kanë sot të gjitha motivet dhe nxitjen për të bashkëpunuar për një të ardhme evropiane të popujve tanë dhe të rajonit në tërësi. Pasi nënvizuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Presidenti Topi dhe Kryeministri malazez nënvizuan interesin për thellimin e këtyre marrëdhënive, ku përparësi merr krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave e njerëzve, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Gjatë takimit, Presidenti Topi, duke vënë në dukje se procese të tjera me interes të ndërsjelltë janë edhe bashkëpunimet në fushat e arsimit, bujqësisë, sigurisë dhe rendit publik, mbrojtjes, punës dhe çështjeve sociale, infrastrukturës ndërlidhëse turistike dhe telekomunikacionit, nënvizoi se nënshkrimi i projekt-marrëveshjeve në proces do të nxisnin zhvillimin e mëtejshëm të vendeve tona, për të krijuar një rajon me standarde evropiane. Në mënyrë të veçantë, Kryetari i Shtetit inkurajoi rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, hartimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, atyre për ruajtjen e ekosistemit dhe zhvillimin e turizmit bregdetar.
“Qytetarët me kombësi shqiptare në rajon dhe në Mal të Zi i konsiderojmë si urë lidhëse dhe miqësie me vendet fqinjë” – u shpreh Presidenti Topi.
Presidenti Topi vlerësoi lart rolin e Presidentit të Malit të Zi si dhe qëndrimin dhe vendimin e qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur besimin se pavarësia e saj i kontribuon krijimit të një klime qëndrueshmërie afatgjatë në rajonin ballkanik.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç falenderoi për mikpritjen dhe vuri në dukje rëndësinë e këtyre kontakteve, vizitave dhe takimeve reciproke të nivelit të lartë sa i përket ruajtjes dhe fuqizimit të klimës dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve tona dhe të rajonit. Z. Gjukanoviç shprehu bindjen se bashkëpunimi rajonal, dialogu politik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare ekonomike do të përmbushin aspiratat integruese të popujve tanë për të qenë anëtarë me të drejta të plota si të BE-së ashtu dhe të NATO-s. Kryeministri Gjukanoviç u shpreh i bindur se e ardhmja e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor është e sigurt në gjirin e familjes së madhe evropiane dhe të strukturave euroatlantike. Z. Gjukanoviç vlerësoi rolin e pakicave kombëtare në të dy vendet si ura lidhëse dhe si një bazament i fortë për t’i zhvilluar akoma më tej marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona. Sa i përket vendimit për të njohur pavarësinë e Kosovës, ai theksoi se ky vendim ishte i matur dhe konstruktiv dhe i kontribuon paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajon.

Sherbimi informatif i president të Shqiperis