Ditëlindja më e bukur e Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi

December 4, 2008   | Politika

Ulqin – Unioni Demokratik i Shqiptarëve kremtoi të premten në Ulqin 15 – vjetorin e themelimit të vet.
Kryetari i kësaj partie Ferhat Dinosha e cilësoi këtë përvjetor si ditëlindjen më të bukur të UDSH-së deri më sot.
“Keni ardhur në ditëlindjen më të bukur deri më sot të UDSH-së, partisë më të fortë shqiptare në Mal të Zi. Thashë se kjo është ditëlindja më e bukur e jona për arsye se ky është viti më i bukur i shqiptarëve në historinë e tyre më të re”, ka thënë Dinosha duke iu drejtuar të pranishmëve në sallën e Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Duke vazhduar arsyetimin e tij, Dinosha ka thënë se ekzistojnë tri gjëra që na bëjnë të lumtur.
“Viti 2008 ka bërë Kosovën shtet, ka çelur dyert e NATO-s për Shqipërinë dhe ka sjellë njohjen e Kosovës shtet nga ana e Malit të Zi”, ka thënë ai.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast kanë marrë pjesë ndër të tjerë ambasadori Leopold Maurer, shef i Delegacionit të Komisionit Evropian në Mal të Zi, ambasadori i Austrisë në Mal të Zi, Florian Rauning, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Tonin Beci, pastaj prof. Novak Kilibarda, etj.
Në këtë mbrëmje nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e partive të tjera shqiptare. Nga UDSH kanë bërë të ditur se ata nuk ishin ftuar të marrin pjesë në këtë ceremoni.
Gjatë mbrëmjes u hap një ekspozitë dhe u shfaq një film dokumentar kushtuar rrugës 15-vjeçare të kësaj partie.
Në pjesën tjetër të ceremonisë të pranishmit i argëtuan këngëtaret Manjola Nallbani dhe Valbona Mema.
UDSH u themelua në vitin 1993 dhe është partia e dytë shqiptare e themeluar me radhë pas Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, e cila u themelua në vitin 1990.
I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image