Gëzim Hajdinaga mori pjesë në punimet e Nalas-it në Tiranë

December 4, 2008   | Politika

Diskutohet për decentralizimin financiar dhe efektet e krizës globale
Kryetari i Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga mori pjesë në fillim të javës në punimet e Rrjetit të Asociacionit të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore (NALAS) që i zhvilloi punimet në Tiranë.
Temë bosht e takimit ishte “Decentralizimi financiar dhe mundësia e ndikimit të krizës financiare globale në punën e administratës lokale në Evropën juglindore”.
Në takimin dyditor morën pjesë Javus Mildon, kryetar i Kongresit të pushtetit lokal dhe rajonal të Këshillit të Evropës, Jos Chabert, kryesues i grupit punues për Ballkanin perëndimor, përfaqësues të shumë asociacioneve të pushtetit lokal nga Evropa, si dhe ekspertë më në zë të makroekonomisë.
Kryetari i Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga, i cili është përfaqësues i Bashkësisë së Komunave nga Mali i Zi dhe kryetari i Komunës së Bjello Poles Tarzan Millosheviq, i cili është njëkohësisht kryetar i Bashkësisë së Komunave të Malit të Zi, gjatë qëndrimit në Tiranë zhvilluan takime të shumta jo vetëm me homologët e tyre të vendeve të rajonit, por edhe me personalitete të larta të shtetit shqiptar dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.
Rrjeti i Asociacionit të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore (NALAS) është formuar në kuader të Paktit të Stabilitetit dhe ka mision që në mënyrë aktive të forcojë procesin e decentralizimit në Evropën juglindore nëpërmjet forcimit të asociacioneve të pushtetit lokal dhe me këtë të kontribuojë në demokratizimin dhe stabilitetin e rajonit.

Kohapress