Përfaqësuesit shqiptarë të bashkëpunojnë dhe dialogojnë

December 4, 2008   | Lajmet / Vijesti

Ulqin – Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi Tonin Beci është takuar të mërkurën e kaluar në Ulqin me kryetarin e Këshillit Nacional Shqiptar, Tahir Tahiri, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe kryetarin e Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.
Në takimin e parë zyrtar me kryetarin e KNSH-së, Tahir Tahiri, ambasadori Beci është informuar për ndërtimin dhe funksionimin e tij, si dhe problemet me të cilat ky këshill ballafaqohet.
Kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, Tahir Tahiri, ka thënë se “ambasadori shqiptar ka shprehur gatishmëri që të ndihmojë me të gjitha mundësitë e veta në afirmimin dhe aktivitetet e Këshillit, si dhe ka premtuar se do të japë përkrahje maksimale sa i përket projekteve të ndryshme në të mirë të avancimit të të drejtave dhe pozitës së tyre si pakicë në Mal të Zi”.
Gjatë vizitës në Ulqin, ambasadori Beci është takuar edhe me kryetarin e Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, kryetarin e PPD-së, Amir Hollaj, kryetarin e BDSH-së, Ali Doda, si dhe përfaqësuesit lokalë të LD në MZ dhe UDSH.
Ai ka dëgjuar prej tyre pikëpamjet e ndryshme rreth gjendjes në përgjithësi, raporteve mes forcave politike, si dhe pikëpamjen e secilës forcë politike për çështje të caktuara.
“Mesazhi im ishte nevoja e bashkëpunimit, dialogu dhe komunikimi në interes të të drejtave të shqiptarëve”, ka thënë ambasadori shqiptar.
Në takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ambasadori shqiptar është njohur me funksionimin e pushteti lokal dhe projektet zhvillimore.
“Synimi im ishte të kisha një pasqyrë të përgjithshme të situatës në Komunën e Ulqinit, projektet zhvillimore, problemet e arsimit në gjuhën shqipe, etj”, ka thënë ambasadori shqiptar në Mal të Zi, Tonin Beci.
I.Kallaba
Koha Javore