SHAI”Art Club” dhe OJQ “Ora” shënuan të shtunën në Ulqin 100-vjetorin e kongresit të Manastirit

December 4, 2008   | Kulturë / Kultura

Një ngjarje dhe një personalitet i veçantë
– Në fjalën e tij, mr. Haxhi Shabani theksoi se “vendimi për miratimin e Alfabetit për gjuhën shqipe në Kongresin e Manastirit ishte një vendim jo thjesht gjuhësor e kulturor, por edhe kombëtar e politik”.
– Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku e cilësoi Eqrem Çabejn si një figurë të llojit të vet, njërën prej figurave më të ndritura, më të madhërishme që i ka pasur populli shqiptar, kultura shqiptare dhe në përgjithësi shkenca albanologjike.
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Organizata Joqeveritare “Ora” organizuan të shtunën në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin mbrëmjen kulturore të titulluar “Një ngjarje dhe një personalitet”, kushtuar dy ngjarjeve të rëndësishme për kulturën shqiptare – 100-vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Manastirit dhe 100-vjetorit të lindjes së studiuesit të shquar shqiptar Eqrem Çabej.
Për këto dy ngjarje të rëndësishme gjatë kësaj mbrëmjeje folën prof. Dr. Ruzhdi Ushaku dhe mr. Haxhi Shabani.
Në fjalën e tij kushtuar Kongresit të Manastirit, mr. Haxhi Shabani theksoi se “vendimi për miratimin e Alfabetit për gjuhën shqipe në Kongresin e Manastirit ishte një vendim jo thjesht gjuhësor e kulturor, por edhe kombëtar e politik: shqiptarët për të shkruar gjuhën e tyre do të përdorin një alfabet të përbashkët.
“Si rrjedhim, vendimi për zgjedhjen e alfabetit për të shkruar shqipen, para 100-vjetëve, ishte në frymën e evropianizimit të shteteve të Ballkanit, e cila është mbizotëruese sot e gjithë ditën”, tha ai.
Shabani bëri një krahasim ndërmjet Kongresit të Manastirit dhe Kongresit të Drejtshkrimit të mbajtur në vitin 1972 në Tiranë, duke vënë në pah dallimet ndërmjet tyre sa i përket mënyrës së marrjes së vendimeve.
“Modeli i mirë i zbatuar në Kongresin e Alfabetit, më 1908 për mundësinë e parashikimit të më shumë se të një varianti, në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972 nuk u përfill.
Problemet që linden pas Kongresit të Drejtshkrimit duhen parë si rezultat i arbitraritetit të përcaktimit të bazës së standardit që kishte edhe motivin politik, pastaj faktin e mosrespektimit të një varianti të kultivuar mirë, siç ishte gegërishtja e deri te rrethanat e reja të krijuara me themelimin e një shteti të ri shqiptar, në vitin 2008, siç është Kosova”, tha ai.
Ndërkaq në fjalën e tij kushtuar Eqrem Çabejt, prof. Dr. Ruzhdi Ushaku e cilësoi atë si njërën prej figurave më të ndritura, më të madhërishme që i ka pasur populli shqiptar, kultura shqiptare dhe në përgjithësi shkenca albanologjike.
Ai e vlerësoi Çabejn si një figurë të rrallë dhe të llojit të vet.
“Në shkencë por edhe në krijimtari të të gjitha fushave ekziston njeriu krijues, shkencëtar, artist, patriot, studiues i disiplinave të ndryshme, pra si profesionist, por ekziston edhe dimensioni njeri. Për mendimin tim, të rralla dhe shumë të rralla janë figurat e llojit të Çabejt i cili në personalitetin dhe qenien e tij, me dijen e tij, ka treguar ndaj njerëzve, ndaj të rinjve, studentëve një modesti të jashtëzakonshme dhe ka qenë shumë i natyrshëm”, tha prof. Ushaku.
Sipas tij, njohja personale me Çabejn ka bërë që ai të jetë dyfish i pasur.
“E para, sepse kam qenë në kontakt më heret sesa e kam njohur profesorin e nderuar, kam njohur veprën e tij dhe kur e kam njohur personalitetin e tij, atëherë me të vërtetë kam qenë i impresionuar me këto dy virtyte shumë të larta”, tha Ushaku.
Ai solli kujtime nga takimi me prof. Çabejn, që siç tha ai e ka nxitur për disa punime të tij, sidomos ato që kanë të bëjnë me tematikën detare.
Në kuadër të aktiviteteve kushtuar këtyre dy ngjarjeve, të premten në Shkollën e Mesme “Vëllazërim Bashkim” dhe Gjimnazin Privat “Drita”, prof. Dr. Ruzhdi Ushaku dhe mr. Haxhi Shabani mbajtën ligjërata kushtuar këtyre kësaj ngjarjeje dhe këtij personaliteti të njohur të kulturës shqiptare.
Kohapress

YouTube Preview Image