Të vendosur për integrim në BE dhe NATO

December 4, 2008   | Rajoni / Region

Kryeministri malazez, Millo Gjukanoviq, ka qëndruar të martën për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku është takuar me Kryeministrin, Sali Berisha, Kryetarin e Shqipërisë, Bamir Topin, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryebashkiakun e Tiranës, Edi Ramën. Në qendër të vëmendjes të dy kryeministrave ishte bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, dhe integrimi i dy shteteve në Bashkimin Europian.
Kryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i ftuar nga homologu i tij shqiptar, Sali Berisha, zhvilloi të martën në Tiranë një vizitë zyrtare së bashku me delegacionin e tij që e shoqëronte. Kryeministri Gjukanoviq në Tiranë u mirëprit me nderimet më të larta shtetërore. Te dy kryeministrat, Gjukanoviq dhe Berisha pas takimit të tyre në Kryeministri gjatë një konference për shtyp deklaruan se janë të vendosur për të aplikuar për anëtarësim në BE.
Nga ana e tij, kryeministri malazez Gjukanoviq u shpreh qartë se, “plani ynë është të aplikojmë për anëtarësim në BE gjatë takimit të ardhshëm, që do të mbahet në Francë”. “Ne po dialogojmë rreth kësaj çështjeje si brenda vendit, ashtu edhe me Komisionin Evropian. Nuk do kisha çztë shtoja më tepër nga sa tha zoti Berisha, para së gjithash, çdo hap në këtë drejtim duhet të jetë i koordinuar, sepse është në diskutim një proces ballkanik. Është logjike që hapa të tillë zakonisht duhen koordinuar me kryesuesin e takimit të ardhshëm të BE-së. Ky është vetëm fillimi i një procesi dhe ne jemi në një rrugë të përbashkët”, tha Gjukanoviq.
Gjithashtu gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri Sali Berisha vlerësoi rolin e homologut malazez, i cili me kurajo, guxim dhe vizionin e tij ka kontribuar në paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe rajon, i cili mori vendimin e guximshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Njohja që vendi dhe qeveria e Malit të Zi i bënë Kosovës, përbëjnë një bazë për marrëdhënie të shkëlqyer midis dy vendeve”, tha Kryeministri Berisha.
Të dy kryeministrat konfirmuan se diskutuan gjerësisht mbi zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, duke rënë dakord të intensifikojnë të gjitha përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që po rritet si pasojë e marrëveshjeve të tregtisë së lirë si dhe për bashkëpunim në infrastrukturë. Gjukanoviq dhe Berisha ndanë pikëpamje të njëjta për forcimin e bashkëpunimit në luftën ndaj kriminalitetit dhe mbi zhvillimet në rajon si dhe vendosmërinë për integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Te dy kryeministrat u përqendruan po ashtu edhe në nxitjen e perspektivave të reja në bashkëpunimin dypalësh, aspiratat integruese europiane dhe euroatlantike dhe bashkëpunimi rajonal.
Dy homologët i konsideruan marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyera dhe shprehën vullnetin për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve. Vizita në Tiranë dhe bisedimet dypalëshe u konsideruan nga ana e Kryeministrit Gjukanoviq një mundësi e shkëlqyer për të shënuar një moment të ri në marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Shqipërisë duke shprehur përgëzimet për marrjen nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO.
Në bisedimet e tyre, dy delegacionet u ndalën gjithashtu edhe në zhvillimin e projekteve konkrete që zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, si në fushën e infrastrukturës, projekti i ndërtimit të autostradës Adriatiko-Joniane, shqyrtimi i vendosjes së lidhjeve detare Durrës-Tivar dhe vendosja e linjës ajrore Tiranë-Podgoricë. Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin Gjukanoviq për angazhimin e Qeverisë shqiptare për tzi krijuar qeverisë malazeze të gjitha lehtësitë e nevojshme për autostradën Podgoricë-Plavë, e cila në disa kilometra të saj do të kalojë përmes territorit shqiptar.Po ashtu, Berisha e njohu homologun e tij se po ecet me shpejtësi në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës që lidh dy vendet, si rruga Shkodër-Hani i Hotit, Shëngjin-Ulqin dhe Vërmosh-Shkodër, pastaj bashkëpunimin në fushën e turizmit.
“Shqiptarët kanë pasur dhe kanë tek Millo Gjukanoviq një mik të çmuar dhe mik të ditëve të tyre të vështira. Ndihma e çmuar që ai personalisht dhe kombi i tij iu dhanë shqiptarëve në ditët e tyre më të vështira, njohja që qeveria dhe vendi i tij i bënë pavarësisë së Kosovës, përbëjnë një bazë për marrëdhënie të shkëlqyera midis dy vendeve”, u shpreh Berisha duke shtuar se “në Mal të Zi jeton një pakicë shqiptare, e cila gëzon standardet europiane të lirive dhe të drejtave që u takojnë. Ata marrin pjesë aktive në konsolidimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut në vendin e tyre. Pakica malazeze që jeton në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat që u takojnë me konventat ndërkombëtare”.
Kryeministri Gjukanoviq shprehu vlerësimet për rolin konstruktiv të Qeverisë shqiptare në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Pas takimit me Berishën, Gjukanoviq u takua edhe me Kryetarin e Shqipërisë, Bamir Topin, Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topallin dhe Kryebashkiakun e Tiranës, Edi Ramën.
Rr.D.
Koha Javore