Grupi i Adriatikut firmosi kërkesën për hyrje në NATO

December 5, 2008   | Rajoni / Region

Zgjerohet grupimi ballkanik i NATO-s, Karta e Adriatikut, që është themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia në vitin 2003.
Kartës i janë shtuar edhe Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina. Ceremonia është zhvilluar në Helsinki, ku kanë qenë prezentë: zv/sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, ministri Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, dhe homologët e tij të Maqedonisë, Milloshoski, të Kroacisë, Gordanoviç, të Bosnjë-Hercegovinës, Alkalaj dhe ai i Malit të Zi Rocen.
Të pranishmit në takim theksuan se Karta e Partneriteti Adriatik 3, fillimisht e nënshkruar mes SHBA-së, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e ritmeve të reformave të vendeve kandidate për t‘u anëtarësuar në NATO, duke ndikuar në krijimin e një klime mirëbesimi të ndërsjellë mes vendeve të rajonit.
Në takim u vlerësua se akti i aderimit i Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi në Kartë është shprehje e aspiratave dhe përpjekjeve për integrimin euroatlantik të dy vendeve dhe do të kontribuojë në rritjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në rajon.
Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, nënvizoi se ky është një moment i shënuar, sidomos në drejtim të zgjerimit të hapësirës së sigurisë në rajonin tonë, nxitjes së demokracisë, lirive themelore dhe sundimit të ligjit, në funksion të integrimit euroatlantik të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Top Channel