Robert Belushi, djali i dinastisë mbërrin në Tiranë

December 7, 2008   | Lajmet / Vijesti

Si i ati dhe i biri! Është rasti i Robert Belushit, djalit te James Belushit. Edhe ai ka ndjekur rrugën e kinematografisë. I ardhur në Shqipëri për të dytën herë pas thuajse 14 vjetësh, tashmë Robert vjen në cilësinë e aktorit, në filmin “Përkëdheljet e Zimit“, pjesemarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër që po mbahet këto ditë në Tiranë.
“Jam i kenaqur që jam këtu për festivalin. Është një event kulturor shumë i rëndësishëm zhvillimi i një festivali ndërkombëtar të filmit. Kinematografia është mjeti që perdor një gjuhë shumë demokratike në të gjithë botën”, shprehet Belushi.
Para se të niste aktrimin, Robert Belushi ka studiuar për regjisurë. “Fillimisht mendoja të bëhesha regjisor. Frekuentova një shkollë për filma. Fillova të aktroj pasi u largova nga shtëpia e tim eti dhe nisa të jetoja vetëm. Kam bere disa filma dhe shumë teatre. Tani që merrem me aktrim kam edhe më shumë gjëra të përbashkëta për të folur me tim atë”, vijoi pasardhësi i dinastisë me origjinë shqiptare.
Në fakt kanë një raport të veçantë atë e bir. Robert tregoi per bisedat e tyre mbi origjinën shqiptare dhe shakatë e të atit. “Më flet shumë për prejardhjen tonë shqiptare. Për paraardhesit tanë. Ndonjëherë bën shaka dhe thotë se është rom. Ai punon shumë. Unë mendoj se shqiptarët në përgjithësi janë popull punëtor dhe kjo duket edhe tek im atë. Është njeriu më punëtor që njoh. Ai është im atë. Është heroi im”, shton Robert.
Me një sens të hollë humori që e karakterizoi gjatë gjithë intervistës, Robert Belushi rrëfeu si e sheh ai Shqipërine dhe lidhjen me tokën e paraardhësve të tij. “Kam qenë këtu para 14 vjetësh. Ndonëse me gjatësi kam mbetur njësoj si atëherë, jam rritur dhe i përceptoj gjërat ndryshe. Shqipëria është më e zhvilluar, më moderne. Tirana më duket madje edhe më e madhe se dikur”, perfundon ai.
Top Channel

YouTube Preview Image