Dinosha: Tirana mirëpret Gjukanoviqin

December 9, 2008   | Reportazh / Reportaža

Mali i Zi intensifikon marrëdhëniet me shqipërinë
Autori i këtij shkrimi, si kryetar i partisë së vetme shqiptare, të cilës i kaluan dhjetë vjet në Qeverinë antimillosheviqiane të Malit të Zi, dhe si anëtar i ekipit të kryeministrit Gjukanoviq gjatë vizitës në fjalë në Shqipëri ka kuptuar se nuk duhet të dëgjojë fjalët e kundërshtarëve të tij politikë në Mal të Zi, por të dëgjojë dhe të mbajë mend fjalët e liderëve pushtetarë e opozitarë të shtetit tonë amë për hapa demokratikë të pushtetit malazez dhe të personalitetit politik në krye të këtij pushteti në fundshekullin e shkuar dhe në fillim të këtij shekulli.
Javën e shkuar Kryeministri i Malit të Zi, z. Millo Gjukanoviq, në krye të një delegacioni shtetëror, ka qëndruar për vizitë zyrtare njëditëshe në Tiranë, ku është pritur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, nga Presidenti, Bamir Topi, nga kryetarja e Parlamentit zonja Jozefina Topalli dhe nga lideri i opozitës e kryetar i Tiranës, z. Edi Rama.
Duke patur parasysh fazën e pikërishme të proceseve demokratike në rajon dhe rolin e dy shteteve fqinje në to, sidomos pas vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për të njohur Kosovën e pavarur, kjo vizitë tejkalon labirinthet protokolare dhe merr dimension historik, siç janë shprehur edhe vetë bashkëbiseduesit. Se Tirana po i kushtonte rëndësi të veçnatë kësaj vizite është hetuar që në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ku kishte aterruar aeroplani i Kryeministrit Gjukanoviq. Në të dalë, ishte shtruar qilim i kuq, mbi të cilin po priste delegacioni i pritjes, në të cilin ishin edhe ambasadori i Shqipërisë në Podgoricë, z. Tonin Beci dhe ai i Malit të Zi në Tiranë, z. Zhelko Peroviq. Dikush kishte boshatisur rrugët e Tiranës dhe suita e motorizuar nuk kishte vështirësi ta shpiente delegacionin e Malit të Zi deri në cakun e parë, Kryeministrinë. Në oborrin e Qeverisë po priste Kryeministri Berisha, i cili pas një pritjeje të përzemërt dhe intonimit të himneve shtetërore i prinë kryeministrit Gjukanoviq për takim sy më sy pas të cilit dy kryeministrat vinë në sallën ku do të zhvilloheshin bisedimet midis dy delegacioneve. Duke qenë anëtar i delegacionit të Malit të Zi, këtij autori nuk i shpëtojnë fjalët e kryeministrit Berisha që në fillim të takimit. Pasi shpreh kënaqësi të veçantë me rastin që po i jepej, z. Berisha e quan z. Gjukanoviq “mik të shtrenjtë të shqiptarëve”, duke theksuar rolin e tij edhe personal në vendosjen e një bashkëpunimi me shqiptarët në Mal të Zi, në strehimin e rreth 100 mijë shqiptarëve të dëbuar nga Kosova gjatë luftës atje dhe, së fundi, në njohjen që Qeveria e tij ia kishte bërë Kosovës së pavarur.
Dy kryeministrat kanë shtjelluar pastaj çështje me interes të dyanshëm siç janë integrimet europiane dhe euroatlantike, duke shprehur gatishmëri për ndihma reciproke në vazhdën e intensifikimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Gatishmëri për fqinjësi të mirë është shprehur edhe në raport me Kosovën. Duke iu referuar planit 6-pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që tashmë është miratuar në Këshillin e Sigurimit, Kryeministri Gjukanoviq tha se planet për ndarjen e Kosovës janë varrosur, kurse Kryministri Berisha ka theksuar se EULEX duhet të shtrihet në tërë Kosovën dhe se ky mision duhet të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës.
Berisha e Gjukanoviq gjatë bisedimeve kanë prekur edhe projekte të zhvillimit ekonomik dhe të infrastrukturës, siç është rruga Shkodër-Hani i Hotit – Podgoricë, rruga Plavë-Podgoricë nëpër Shqipëri, rruga Shëngjin – Ulqin, me një urë të re mbi Bunë etj.
Është rënë dakord që të vazhdohet edhe projekti i përbashkët i valorizimit të Liqenit të Shkodrës e të lumit Buna.
Pritje e përzermërt e miqësore hetohet edhe te Presidenti i Shqipërisë z. Bamir Topi. Ai apostrofon dhe shpreh përkrahje për hapat që Kryeministri Gjukanoviq ka ndërmarrë në proceset politike në Mal të Zi, duke shprehur edhe përkrahjen e tij për këta hapa, që kanë pasur rëndësi jo vetëm për Malin e Zi por edhe për rajonin.
“Kjo ka krijuar një logjistikë – thekson z. Topi, për intensifikim të marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Malit të Zi e Republikës së Shqipërisë, por edhe për marrëdhënie të reja në Ballkan”. Ai shpreh gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar Malin e Zi në ato projekte në të cilat Shqipëria ka bërë më shumë përparim se Mali i Zi, siç është Karta e Adriatikut, pastaj ecja në drejtim të anëtarësimit në NATO etj.
Theks të vaçantë presidenti Topi i kushton gatishmërisë së Malit të Zi, që në kohët e vështira të presionit të politikave të Millosheviqit të ketë sens e kurajo që të kujdeset për mbrojtjen dhe përparimin e pozitës së shqiptarëve duke dhënë hapësirë edhe për vendosjen e partneritetit me ta, në dobi të proceseve të gjithëmbarshme demokratike në Mal të Zi.
Ai apostrofoi veçmas rolin e faktorit shqiptar në Mal të Zi dhe kontributin e tij dhënë projekteve në krye të të cilave është gjetur Kryeministri Gjukanoviq, duke shprehur kënaqësi për këtë dhe duke shprehur bindjen se partitë shqiptare do të jenë bashkëpunuese me Qeverinë e Kryeministrit aktual dhe konstruktive në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike të Malit të Zi dhe në bashkëpunimin e tij fqinjësor me Republikën e Shqipërisë.
Atmosferë mikpritjeje e miqësie haset edhe te kryetarja e Kuvendit z.Jozefina Topalli e cila nuk fsheh kënaqësinë që mysafir ka Kryeministrin e Malit të Zi. Ajo thekson se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve mund të pasurohet edhe me bashkëpunimin ndërparlamentar duke shtuar që kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, z. Krivokapiq, pasi të ishin parë në ndonjë tubim ndërkombëtar, t`i ketë shprehur gadishmëri për ta ftuar për vizitë në Mal të Zi. Në këtë ajo merr përgjigjen e Kryeministrit Gjukanoviq se informacioni i tij flet se janë në përgatitje e sipër edhe vizita e saj edhe vizita e Presidentit Topi në Mal të Zi.
Vizita e Kryeministrit Gjukanoviq përfundon në kabinetin e kryebashkiakut të Tiranës e kryetar i Partisë Socialiste (opozitare), z. Edi Rama. Edhe këtu si në Kryeministri, në Presidencë e në Parlament, tek opozita, si te pozita, pritje e përzemërt e miqësore. Z. Rama nuk i shpëton të radhitë projektet të cilave z. Gjukanoviq u ka dhënë vulë duke shprehur admirim për to. “Një gjë nuk e kam të qartë – shprehet ai – si ia dilni që me të gjitha këto kundërshtarët i lëni pa fjalë. Unë kësaj nuk ia kam dalë në Shqipëri”.
Pas kësaj, në shenjë respekti të veçantë, z. Rama i dorëzoi z. Gjukanoviq çelësin e Tiranës. “Dyert e Tiranës janë të hapura për Ju” – shprehet ai. Në momentet e këtilla, njeriut, sidomos nëse është kryetar i partisë që është anëtare e Qeverisë në krye të së cilës ndodhet kryeministri Gjukanoviq, deshti s`deshti, i paraqitet retrospektiva e angazhimeve dhe hapave të partive shqiptare në skenën politike të Malit të Zi. Dhe del se, përveç Unionit Demokratik të Shqiptarëve asnjëra nuk ka krijuar partneritet me Qeverinë e tij dhe nuk ka bashkëpunuar me të në proceset demokratike të kohës, në të cilat është dashur të mendohej jo vetëm për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe për krijimin e bazave logjistike të marrëdhënieve të reja në Ballkan, nga të cilat do të nxjerrnin benefite të gjithë shqiptarët. Për më tepër, liderët e partive të tjera shqiptare, në momente kyçe të proceseve demokratike në Mal të Zi, kanë kundërshtuar projektet e Kryeministrit Gjukanoviq ose kanë sugjeruar parnteritet me liderë të opozitës malazeze, me të cilët mund të shkohet në Beograd por jo në Tiranë.
Ky autor, si kryetar i partisë së vetme shqiptare, të cilës i kaluan dhjetë vjet në Qeverinë antimillosheviqiane të Malit të Zi, dhe si anëtar i ekipit të kryeministrit Gjukanoviq gjatë vizitës në fjalë në Shqipëri ka kuptuar se nuk duhet të dëgjojë fjalët e kundërshtarëve të tij politikë në Mal të Zi, por të dëgjojë dhe të mbajë mend fjalët e liderëve pushtetarë e opozitarë të shtetit tonë amë për hapa demokratikë të pushtetit malazez dhe të personalitetit politik në krye të këtij pushteti në fundshekullin e shkuar dhe në fillim të këtij shekulli. Ai, poashtu, ka kuptuar se duhet të vazhdojë të merret me punën me të cilën merret edhe në fazën e proceseve demokratike në Mal të Zi, në të cilën Podgorica do të ketë më nevojë për Tiranën sesa anasjelltas dhe në të cilën faktori shqiptar, falë miqësisë shqiptaro-amerikane, mund të ndihmojë aspiratat euro-atlantike të Malit të Zi të cilat për ne nuk mund të jenë të dëmshme.
Duhet thënë, në fund, se pjesëmarrja e kryetarit të UDSH-së në delegacionin shtetëror të Malit të Zi, që në rrethana të pikërishme i bën vizitë Shqipërisë dhe i cili pritet në Tiranë ashtu siç u tha më sipër, flet se shqiptarët në Mal të Zi nuk duhet të hezitojnë që t`i bashkohen edhe më masivisht kësaj partie e cila di të çelë rrugë për faktorizimin e tyre në të gjitha situatat që i sjell koha.
Ferhat Dinosha
Koha Javore

YouTube Preview Image