Gazmend Oketa: Të intensifikohet bashkëpunimi i forcave të armatosura

December 9, 2008   | Rajoni / Region

Ministri shqiptar i mbrojtjes Gazmend Oketa vlerëson bashkëpunimin e shqipërisë dhe malit të zi në fushën e mbrojtjes dhe kërkon
Podgoricë – Bashkëpunimi i forcave të armatosura të Malit të Zi dhe Shqipërisë është shumë i mirë, por ka akoma hapësirë për avancimin e tij, ka vlerësuar ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gazmend Oketa.
“Sektori i sigurisë së detit dhe i kontrollit të kufirit detar është fushë ku mund të bashkëpunojmë me sukses”, ka thënë ai.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë vlerëson se dy shtetet mund të bashkëpunojnë edhe në fushën e demilitarizimit.
“Shkatërrimi i tepricës së armatimit dhe i municionit është problem me të cilin përballen edhe Shqipëria edhe Mali i Zi, kështu që edhe kjo mund të jetë fushë në të cilën mund të shkëmbjemë përvojat dhe të bashkëpunojmë”, ka thënë Oketa për revistën “Partner” të cilën e publikon Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi.
Ai ka theksuar se Shqipëria është e gatshme të ndajë përvojat me Malin e Zi edhe kur bëhet fjalë për integrimet euroatlantike, duke potencuar se benefitet e anëtarësimit në NATO janë të shumëfishta.
“NATO nuk është vetëm aleancë ushtarake dhe duhet të shikohet si aleancë e shteteve demokratike në të cilën respektohen të drejtat e njeriut, ku ekonomia është funksionale dhe me rregulla të qarta”, ka thënë Oketa.
Ai ka thënë se më e rëndësishmja është që ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi ekziston vullneti i mirë për bashkëpunim.
“Jam i sigurt që bashkëpunimi i deritashëm do të vazhdojë dhe se do të jetë edhe më intensiv”, ka thënë Oketa.

(Kohapress)

YouTube Preview Image