Në Ulqin u mbajt mbrëmje autoriale kushtuar shkrimtarit Fadil Kraja

December 9, 2008   | Kulturë / Kultura

Shkrimtari që ka ndërtuar kullën e vet polivalente
“Ky kranjan i zgjuar, ky shkodran tipik, ky shqiptar i racës së epërme, e ndërtoi kullën e vet të shkrimtarit polivalent me durim, sakrificë, me vullnet e pasion, me bjerrje interesash intime e me fytafytje që kapërdihen hera herës me vështirësi”, tha shkrimtari dhe kritiku Dashamir Cacaj.
Ulqin – Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Qendra e Kulturës Ulqin dhe Organizata joqeveritare “Harmonia” organizuan të martën në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin mbrëmjen autoriale kushtuar shkrimtarit Fadil Kraja.
Për veprimtarinë e Krajës folën në këtë mbrëmje shkrimtari dhe kritiku Dashamir Cacaj dhe Muhamet Nika.
Sipas Cacajt, personaliteti i Krajës rrezaton mirësi.
Ai tha se Kraja është i njohur jo vetëm në Krajë e Ulqin, Tivar e Cetinë, Tuz e Podgoricë, Shkodër e Shqipëri, por edhe më gjerë.
“Ky kranjan i zgjuar, ky shkodran tipik, ky shqiptar i racës së epërme, e ndërtoi kullën e vet të shkrimtarit polivalent me durim, sakrificë, me vullnet e pasion, me bjerrje interesash intime e me fytafytje që kapërdihen hera herës me vështirësi”, tha Cacaj.
Ai tha se Fadil Kraja është më shumë se shkrimtar, dukshëm i shquar e me profil që rrezaton talent dhe pasion.
“Ky personalitet ka plotësuar disa arterie që mbajnë në këmbë kulturën mbarëkombëtare. Fadil Kraja nuk është sozi e askujt, anipse pëlqen dhe përçon muzën më kualitative krijuese të pararendësve të vet. Fadil Kraja ka zaptuar një territor të vetin, territor i cili nuk është “tapi” e askujt”, tha ai.
Ndërkaq Muhamet Nika e cilësoi Fadil Krajën “krenaria e kombit shqiptar” për risitë të cilat i bën në formën e mendimit dhe në formën e të shprehurit.
Ai tha se Fadil Kraja është ndër ata krijues që tërë kohën u angazhua për një shoqëri të hapur shqiptare.
“Përmes dramave të tij e sidomos ato që janë të karakterit mitik, Kraja din të bëjë një lidhje kohore prej së kaluarës në të tanishmen, duke dhënë një vizion edhe në të ardhmen”, theksoi Nika, duke thënë se Kraja përbën një institucion në vete.
Vetë autori Fadil Kraja në fjalën e tij u përqendrua në lidhjet ndërmjet Shkodrës dhe Ulqinit dhe ndihmën që duhet t`i japë Shkodra Ulqinit në planin kulturor.
“Ulqini është një bijë e vjetër e Shkodrës. Shkodra është nëna e Ulqinit. Dhe në qoftë se nëna nuk kujdeset për këtë bijë apo bir të vetin, atëherë kush duhet të kujdeset tjetër?! Tani janë krijuar kushtet që të kemi më tepër bashkëpunim. Dhe këto nëntë muajt jashtë verës në Ulqin duhet t`i gjallërojmë me veprimtari artistike, letrare, kulturore, e pse jo edhe shkencore”, ka thënë Kraja.
Ai ka shtuar se çdo shfaqje kulturore, artistike, çdo aktivitet që mbahet në Shkodrë mund të mbahet një ditë më pas edhe në Ulqin.
Në emër të organizatorëve përshëndetën drejtori i Qendrës së Kulturës Shaban Gjekaj, kryetari i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dr. Gani Karamanaga dhe kryetari i Organizatës joqeveritare “Harmonia”, Ibrahim Berjashi.
Mbrëmja u shoqërua me leximin e disa fragmenteve nga proza e Krajës si dhe pika muzikore.
i.kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image