Një delegacion i LD në MZ mori pjesë në kuvendin v zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

December 9, 2008   | Politika

Shprehet nevoja për
Një delegacion i LD në MZ i kryesuar nga kryetari i saj Mehmet Bardhi mori pjesë në Kuvendin V Zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i cili u mbajt të dielën në Prishtinë.
Kryetari i LD në MZ përshëndeti delegatët dhe të ftuarit në Kuvendin e AAK-së.
Ai vlerësoi se “edhe pse Kosova u bë e pavarur dhe sovrane, kërkon edhe shumë angazhime, në vazhdimësi dhe vigjilencë politike e diplomatike, sepse qëndrueshmëria e saj, megjithëse tashmë u pranua, si tërësi, nga një numër i madh shtetesh, varet nga shumë faktorë, të cilët nuk lënë vend për vetëkënaqësi.”
Bardhi falënderoi Kosovën për kontributin që ka dhënë në shkollimin dhe edukimin e gjeneratave të tëra të shqiptarëve nga Mali i Zi.
Në fjalën e tij, ai tha po ashtu se “çështja shqiptare, me Kosovën e Pavarur, po shkon përpara, por mbetet ende e pazgjidhur. Shqiptarët, në trojet e veta, sot në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, në Serbi, janë larg asaj që pritem e duhet të jemi.”
Bardhi përfundoi se “me Shqipërinë në NATO e Kosovën e Pavarur dhe me miqtë – SHBA-të, aleatët veriatlantikë e BE-në, shpresojmë se edhe shqiptarët në trojet e veta, sot në Malin e Zi, do të kenë ditë më të mira e perspektivë”.
Delegacioni i LD në MZ në të cilin përveç kryetarit Bardhi ishin edhe Tahir Gjonbalaj, Nikollë Camaj, Kadri Sinani dhe Miftar Balidemaj, zhvilloi pas Kuvendit një takim me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas përfaqësuesve të LD në MZ pjesëmarrës në këtë takim, kryetari Haradinaj vlerësoi lartë angazhimin konsekuent të LD-së në zgjidhjen e problemeve jetike të popullatës shqiptare në Mal të Zi dhe shprehu qartë nevojën e thellimit të bashkëpunimit me këtë subjekt politik të shqiptarëve në Mal të Zi.
Delegacioni i LD në MZ theksoi se situata reale e shqiptarëve në Mal të Zi nuk është as përafër asaj që tentohet të paraqitet e që shpesh krijon imazh joreal se “Mali i Zi qenka shembull për realizimin e të drejtave të pakicave.”
Gjatë këtij takimi u theksua nevoja e një bashkëpunimi më intensiv ndërmjet strukturave politike shqiptare në rajon.

(Kohapress)

YouTube Preview Image