Jonida me videoklip pas “Këngës Magjike”

December 10, 2008   | Zbavitje / Zabava

Po shijon në maksimum këto ditë, ku ende nuk i ka ikur aroma e mirë që la fitimi i çmimit të parë në “Kënga Magjike”. Sapo është kthyer nga Qipro ku bashkë me prindërit e bashkëshortit të saj i bëri një surprizë motrës, të cilën nuk e takonte që prej ditës së dasmës. Jonida Maliqi, mbretëresha e festivalit në fjalë për këtë vit, ndihet e lumtur dhe e arrirë profesionalisht ndërsa sytë i ka nga e ardhmja, për të thurur atë si di vetë dhe si është më e mira për të. Në këtë rrëfim për “Bluetooth”, Jonida tregon që nga emocionet e para kur u shpall fituese, urimin e bashkëshortit, pikët e dhëna nga kolegët, udhëtimin drejt Qipros dhe projektet e saj të afërta.

Ka disa ditë tashmë nga përfundimi i “Këngës Magjike” nga ku dole fituese e çmimit të parë. Si ndihet Jonida tani? Komentet më të spikatura që ke marrë nga njerëzit?

Sigurisht që ndihem mirë, më mirë nuk ka dhe uroj që viti i ardhshëm të jetë kaq frytdhënës sa 2008-a. Pa ekzagjerim kam marrë rreth 200 sms dhe mjaft emaile në adresën time personale. Kanë qenë urime nga më të ndryshmet sidomos nga fansat e mi dhe nga miqtë e mi më të dashur.

Cili ka qenë urimi i parë?

Ndryshe nga herët e tjera urimin e parë e mora nga bashkëshorti im pasi ime më ka qenë ajo që e mbante rekordin në këtë pikë. Megjithatë nuk i vë faj sepse prindërit e mi nuk ishin në Shqipëri gjatë netëve të festivalit.

Na e përshkruaj pak çastin e komunikimit me të teksa u shpalle fituese…

Fillimisht me Gentin komunikuam në telefon dhe më pas u takuam në festën e organizuar nga “Kënga Magjike”.

Tek “E diela shqiptare” pamë reagimin e kolegëve të tu teksa verifikonin pikët dhe disa nuk hezituan ta bënin atë publike por menjëherë fillua grindjet mes tyre duke pasur parasysh që kishte dhe nga ata të cilët ishin votuar dhe me 0 pikë. Ç’mendim ke për këtë situatë?

Sinqerisht nuk u ndjeva aspak mirë për më tepër që festivali tashmë kishte mbaruar. Artist je në skenë, i tillë duhet të jesh edhe në sjellje. Nëse nuk të pëlqen formati i “Këngës Magjike” je i lirë të mos jesh pjesë e tij. Ka plot festivale të tjera..

Si po i kalon Jonida këto ditë?

E urrej shiun megjithatë po relaksohem në maksimum sepse festat po afrohen dhe angazhime të tjera më presin.

Sapo je kthyer nga Qipro ku deshe t’i bëje një surprizë motrës tënde dhe mbesës që jetojnë atje. Ç’mund të na thoni rreth kësaj?

Dy ditë pas mbarimit të Festivalit “Kënga Magjike” unë nisem së bashku me prindërit e Gentit për në Qipron Greke. Mamaja e bashkëshortit tim mori përsipër gjithçka në kohë rekord. Kjo ishte një dhuratë për fitoren time. Brenda ditës e mora vesh që do të niseshim dhe kështu u bë. Motra ime Xhilda nuk ishte në dijeni dhe kur trokitëm në derën e saj ajo u shtang dhe filloi të bënte disa pasthirrma të çuditshme. Kisha shumë nevojë të shihja atë dhe mbesën time të cilën që pas dasmës nuk e kisha parë dhe gjatë gjithë javës që qëndrova atje iu përkushtova totalisht.

Çfarë po përgatit Jonida tani, apo kjo është një periudhë pushimi?

Përpara festave do të nxjerr videoklipin e këngës “Njëri nga ata”. Xhirimet tashmë kanë mbaruar dhe pritet të mbarojë montazhi. Do të jetë një klip shumë i veçantë ku do të shihni një Jonidë në fillimet e saj dhe se si rritet në skenë me dashurinë dhe pasionin për këngën.

Look-u yt tani është përqendruar tek flokët bionde të shkurtër. Cila mendon se do të jetë tendenca e radhës?

Flokët realisht më janë dëmtuar pasi unë nuk duroj dot që të më dali rrënja qoftë edhe 1 milimetër kështu që i kam lyer shpesh herë. Ngjyra bionde platin qenka e tmerrshme. Ndoshta do t’i errësoj pasi unë gjithmonë kam qenë fanatike e flokut të shëndetshëm dhe prandaj e kam kaq të vështirë t’i zgjas ato.

Jemi në prag të festave të fundvitit. Ku do t’i kalosh ato?

Ende nuk e di, gjithmonë vendosim në momentin e fundit.

Cili është projekti yt më i afërt?

Në Janar do të filloj të merrem seriozisht me materialet muzikore që kam krijuar vetë.

Bluetooth

YouTube Preview Image